Koncesioni i plehrave në Fier, qeveria firmosi kontratë bosh

Kompania fituese e këtij koncesioni jo vetëm që ka qenë e paracaktuar, por nuk ka asnjë lidhje me ndërtimin e landfilleve,
e ndërsa banorët e fshatrave të Fierit po dhunohen nga policia se kundërshtojnë ngritjen e landfillit të plehrave, të tjera të dhëna zbardhin aferën skandaloze se si është dhënë ky koncesion. Koncesioni për ndërtimin e impiantit të djegies së mbetjeve në Portëz të Fierit i miratuar me shpejtësi dhe në fshehtesi të plotë në muajin shtator është dhënë përmes një kontrate bosh. Kompania  “Integrated Technology Services” e regjistruar për aktivitet në fushën e Teknologjisë së Informacionit,  15 ditë pas shpalljes së tenderit shton në objektin e aktivitetit të saj edhe ndërtimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve me djegie (Incenerator) dhe landfille për përpunimin e mbetjeve urbane dhe të rrezikshme. Kompania fituese e këtij koncesioni jo vetëm që ka qenë e paracaktuar, por nuk ka asnjë lidhje me ndërtimin e landfilleve. Më datë 13.07.2016 është hapur tenderi për dhënien me koncesion të ndërtimit dhe administrimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier. Ndërkohë më datë 28.07.2016, kompania fituese e tenderit “Integrated Technology Services” e regjistruar për aktivitet në fushën e Teknologjisë së Informacionit papritur shton në objektin e aktivitetit të saj edhe ndërtimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve me djegie (Incenerator) dhe landfille për përpunimin e mbetjeve urbane dhe të rrezikshme.
Nga ana tjetër, më 15.09.2016 njoftohet se një bashkim operatorësh ndërmjet kësaj kompanie shqiptare “Integrated Technology Services”, me administrator dhe ortak të vetëm Klodian Zoto e njohur si kompani IT-e dhe shoqërisë italiane “Energy 2SRL” e specializuar në “green energy”, pa lidhje me riciklimin, kanë fituar garën për kontratën koncesionare me një afat 6-vjeçar. Rasti në fjalë u denoncua dje nga zëdhënësja e PD, Ina Zhupa. “Çdo ditë po dalin në dritë fakte të reja që vërtetojnë se, nxitimi i Edi Ramës për të miratuar ligjin e mbetjeve është thellësisht korruptiv. Rast flagrant është edhe koncesioni për ndërtimin e impiantit të djegjes së mbetjeve në Portëz të Fierit i miratuar me shpejtesi dhe në fshehtesi të plotë në muajin shtator. Firma fituese nuk ka asnjë eksperiencë në këtë fushë. Megjithëse është detyrim ligjor publikimi i kontratës, në portalin e prokurimeve publike është publikuar vetëm një tip kontratë bosh. Në të nuk ka të përcaktuar sa është vlera e investimit dhe as tarifat koncesionare”, bëri të ditur PD.  Duke iu referuar koncesionit, Zhupa solli në vëmendje se nuk përcaktohet sa para do të përfitojë nga shteti si subvencion, por vetëm që detyrimi i Autoritetit Kontraktor për pagesën fillon nga data e fillimit të punimeve. “E vetmja gjë e përcaktuar është afati 6-vjeçare i koncesionit. Pra për 6 vjet do t’u merret toka pronarëve për të ndërtuar një impiant për djegien e mbetjeve të vendit dhe ato që Edi Rama shpreson të sjellë me ligjin e mbetjeve. Gjithçka është bërë në fshehtësi të plotë në mungesë transparence dhe me shpejtësi marramendëse. “Ky është interesi i Edi Ramës dhe jo kompanitë e riciklimit që i përdor për të mbuluar aferat e tij korruptive me ligjin e mbetjeve. Kjo është arsyeja e vetme, shpjegimi i vërtetë se pse Edi Rama tre vite më parë bëri të anulohej referendumi, duke anuluar ligjin për mbetjet, dhe sot riktheu ligjin dhe fyen këdo që është kundër”, tha zëdhënësja e PD.  PD thekson se afera korruptive mbi të cilën po ngrihet ky impiant i djegies së mbetjeve është arsyeja e dhunës së ushtruar të premten që shkoi ndaj banorëve të fshatit Portëz që kundërshtojnë ndërtimin e këtij impianti. “Paraja dhe pushteti është interesi i vetëm i Edi Ramës. Prandaj nuk bën transparencë, prandaj i tradhtoi ashiqare 65 mijë qytetarët që firmosën për referendum. Partia Demokratike kërkon nga Prokuroria një hetim të shpejtë për aferë korruptive të impiantit të diegive të mbetjeve në Fier. Për para dhe pushtet me drogën dhe plehrat, Edi Rama po kthehet në kërcënim serioz për jetën dhe shëndetin e qytetarëve”, tha zëdhnësja e PD.

Afera 3.7 miliradë lekë me koncesionin

Në kulmin e debatit pas miratimit të ligjit për mbetjet, qeveria dha me koncesion ndërtimin e landfillit të Fierit, me një vlerë prej 3.7 miliardë lekësh, i cili sipas specifikimeve në dokumentacionin përkatës parashikon tretjen e mbi 180 mijë tonë plehrash në ditë. Oferta mbi të cilën janë shpallur fitues operatorët është 3.7 miliardë lekë. Në fakt, bashkimi i dy kompanive që kanë rezultuar fituese është surprizuese në kushtet ku më herët e interesuar ishte shprehur “Building Construction & Green Energy”, që kishte kryer dhe studimin e fizibilitetit. Impianti në fjalë parashikohet që të ketë një kapacitet tretës prej 180-200 tonë në ditë mbetje, fuqia termike do të jetë 18.4 megavat, kurse ajo elektrike 3.85 megavat, kurse prodhimi vjetor do të jetë 28.7 milionë kwh energji. Kompania fituese “Integrated Tchnology Services” rezulton se ka aksioner të vetëm Klodian Zoto, ndërkohë që sipas ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Biznesit, objektivi i kompanisë për “Përpunim, trajtim, menaxhim dhe transport të mbetjeve” ka ndryshuar vetëm më 28.07.2016, pak ditë pas shpalljes së tenderit nga ministria.

Banorët e Fierit: Nuk tërhiqemi nga protestat

Banorët e fshatit Mbyet në Fier, kanë protestuar për të tretën ditë më radhë kundër ndërtimit të landfillit të përpunimit të mbetjeve. Banorët thonë se do të vijojnë të protestojnë deri në anulimin e vendimit për ndërtimin e impiantit. Ndërkohë policia ka proçeduar 12 prej banorëve protestues për grumbullim të paligjshëm. Banorët e fshatit Mbyet në Fier kanë vijuar për të tretën ditë me radhë, protestat kundër ndërtimit të landfillit.
Pavarësisht se protesta e tyre cilësohet e paligjshme nga policia, banorët thonë se nuk do të tërhiqen deri në anulimin e vendimit për ndërtimin e landfillit të përpunimit të mbetjeve.
Ata kërkojnë që shteti të mos sjellë mbetjet në Plyk, ku banesat janë shumë pranë vendit të përcaktuar për landfillin.
Banori: Është me ligj që duhet larg zonave të banuara, as 50 metra larg tij janë shtëpitë, ku do shkojnë këta? Nuk bëhet fjalë për tokën, ku do të shkojmë ne si banorë? Kanë ardhur të shtunave dhe të dielave dhe na kanë matur tokat pa leje, është shkelje e pronës dhe individit.
Banori: Të bashkohen, të vijë Plyku, Krabzi, Driza, Mbyeti. Të tërë të çohen se do të na helmojnë me plehra. Për këta kalamaj bëhet kjo luftë këtu, nuk bëhet për ne.
Ndërkohë, policia e Fierit njofton se ka proceduar penalisht 12 banorë protestues të fshatit Mbyet, për grumbullim të paligjshëm dhe kundërshtim të policisë.

A.Shahini

Artikulli paraprakFerguson: Klop ka ringjallur Liverpulin
Artikulli tjetërMontella: Pescara e rrezikshme