Plehrat kalojnë me 63 votat e deputetëve të Ramës

Parlamenti ka miratuar  me 63 pro, 27 kundër dhe 4 abstenim, ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, si dhe amendimet e paraqitura një ditë më parë nga LSI. Me gjithë kundërshtimet e shoqërisë civile dhe opozitës, maxhoranca ka miratuar ligjin që lejon importin e mbetjeve në vend.
Seancën e ka drejtuar nënkryetari i parlamentit Edmond Spaho i PD, pasi kryetari Ilir Meta ka munguar edhe gjatë votimit. PO kështu edhe deputetët e PDIU nuk kanë marrë pjesë në votim.
Sipas qeverisë, pr/ligji synon rilejimin e importit për mbetjet e ngurta jo të rrezikshme të listës së gjelbër, si lëndë e parë dytësore, për të plotësuar nevojat dhe kërkesat e industrisë ricikluese të vendit.
Ligji ka tashmë edhe një amendament të LSI, ku theksohet rëndësia e transparencës së procesit. Sipas deputetit Petrit Vasili, duhet t’i jepet akses për monitorin Shoqërisë Civile. Në rast se konstatohen manipulime, Vasili propozon anulim të ligjit.
Ky pr/ligj ka shkaktuar reagime të forta ditët e fundit nga shoqëria civile, e cila ka nisur edhe sot një protestë përpara parlamentit, pak para nisjes së seancës plenare.

Paloka: Ligj i mafies

Partia Demokratike votoi kundër projektligjit të qeverisë për importin e mbetjeve në Shqipëri. Kështu u shpreh deputeti demokrat në Parlament Edi Paloka, i cili foli në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. “Do votojmë kundër këtij pr/ligji se sot më shumë se kurrë jemi të bindur se është një pr/ligj i ardhur nga mafia. Plehrat importohen ose nga vendet shumë të zhvilluara ose nga vendet si Shqipëria për interesa të mafies, ka thënë ky zotëria. Askush në këtë vend nuk beson se kjo qeveri jep garanci maksimale. Edhe LSI me amendamentin e vet thekson mosbesimin tek kjo qeveri”, tha kreu i grupit të PD Edi Paloka. Jashtë ambienteve të Parlamentit po protestohet që Kuvendi të mos miratojë ligjin e mbetjeve, ndërsa brenda sallës Kreu i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka kërkoi që kryeministri të jetë në sallë dhe të japë llogari. “Kam vetëm një kërkesë në fillim të kësaj seance, të jetë i pranishëm, të mbajë qëndrim kryeministri për pr/ligjin që quhet pr/ligji i plehrave në gjuhën e popullit. Kjo ishte një iniciativë e dy deputetëve të mazhorancës, prandaj unë, opozita dhe gjithë shqiptarët donim të dinim qëndrimin e kryeministrit”. Deputeti demokrat Astrit Patozi ka theksuar se Partia Demokratike nuk do ta votojë ligjin për importin e mbetjeve, pasi sipas tij është tërësisht hipokrit. Gjatë fjalës së tij, Patozi u ndal gjatë tek situata e krimit dhe drogës në vend, duke akuzuar qeverinë se nuk ka vullnet për ta luftuar. “Edhe sikur mos t’i kishte ato problemet e rënda me të drejtat e njeriut, me cenimin e privatësisë apo shkelje të tjera të rënda, ky do të ishte një ligj i pavotueshëm prej nesh. Sepse mbi të gjitha ai është tërësisht hipokrit. Do ta shpjegoj më poshtë përse. Në pamje të parë, duket sikur qeveria po kërkon ndihmën e teknologjisë për të luftuar krimin në Shqipëri. Por unë e kam të vështirë ta besoj këtë. Sepse mendoj që në përballjen me krimin nuk kanë asnjë vlerë të kesh më shumë sy, kur të mungon zemra dhe kjo qeveri na ka dhënë prova të plota në këto tre vjet se nuk ka asnjë grimë vullneti për ta kryer këtë detyrim”, tha ai.  Patozi riktheu në vëmendje vrasjen e bankierit Artan Santo dhe tha se edhe pas dy vitesh nuk ka asnjë gjurmë të autorëve. “Po ju jap dy shembuj për ta ilustruar argumentin tim. Gati dy vjet më parë u vra mu në kërthizë të Tiranës bankieri i njohur Artan Santo dhe pamjet e tmerrshme të krimit i kemi parë të gjithë në video, sepse u filmua nga kamerat rrotull, por deri më sot nuk ka asnjë gjurmë të autorëve”, u shpreh ai.  Për sa i përket kultivimit të kanabisit, Patozi akuzoi qeverinë se u ka dhënë licencë bandave për të ushtruar qetësisht biznesin e drogës dhe është edhe vetë e përfshirë në këtë aktivitet të rëndë kriminal. “Nga ana tjetër, kam bindje se secili prej nesh ka parë me sytë e vet fusha, kodra dhe male të mbjella me hashash, por kjo nuk e ndalon aspak epideminë e kultivimit të drogës, që po zgjerohet me përmasa marramendëse në këtë vend. Dhe pyetja është çfarë do zgjidhim ne duke shtuar sytë e dëshmitarëve në qytete, kur qendra gravitacionale e krimit është spostuar në male dhe kodra, sepse droga sot është shndërruar në një sport kombëtar? A kemi nevojë ne realisht për kamera që t’i kapim banditët dhe mafiozët, ndërkohë që ne u kemi lënë atyre me mijëra hektarë në dispozicion për t’i mbjellë dhe për t’i korrur, për t’i paketuar dhe për t’i eksportuar pastaj, si finalizim i një cikli të mbyllur kriminal, që gjeneron miliona e miliona euro të pista? Si ka mundësi që kultivimi i drogës në Shqipëri, shkon në përpjesëtim të zhdrejtë me progresin e teknologjisë, pasi e dimë të gjithë se sot janë sofistikuar shumë mjetet e zbulimit, sidomos nga ajri, të saj? Përgjigja është vetëm një, sepse kjo qeveri, në rastin më të mirë, u ka dhënë licencë bandave për të ushtruar qetësisht biznesin e drogës, dhe në rastin më të keq, është edhe vetë e përfshirë në këtë aktivitet të rëndë kriminal”, tha Patozi. Deputeti demokrat ka ironizuar deklarata e Ministrit të Brendshëm, duke shtuar se nëse do kishte nëndetëse, droga do të transportohej edhe me to.  “E di se shumë prej jush, sidomos ministri i Brendshëm, e kanë në majë të gjuhës pretendimin se qeveria po bën aq sa mundet, dhe se kanabis është kultivuar edhe në të shkuarën, por jeni krejtësisht të pabesueshëm kur e thoni këtë. Kam dëgjuar justifikimin me qesharak për pafuqinë e qeverisë, kur Saimir Tahiri tha se nuk kemi pse habitemi nga avionët në Shqipëri, sepse në Amerikë droga transportohet edhe me nëndetëse. Dhe për ta çuar deri në fund shakanë e tij, unë po them sot se ne nuk e ndjekim dot shembullin e Amerikës thjesht për faktin se nuk kemi nëndetëse. Se ato katër që kishim në Pashaliman i nxorëm në pension, mesa di njëra prej tyre, e famshmja 105, shërben tani si muze. Sepse po të ishin në punë sot ato nëndetëse, do ta bënin tre herë në ditë, me shpesh se tragetet, rrugën Vlorë-Bari”, deklaroi Patozi.

Mbetjet, Duka kundër amendamentit të LSI

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka është shprehur kundër importit të mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri, duke kërkuar që mbetjet e vendit të kenë përparësi. Nga foltorja e Kuvendit, Duka deklaroi se amendamenti i LSI-së për pr/ligjin për importin e mbetjeve nuk zgjidh asgjë, pasi shoqëria civile nuk mund të jetë shtojcë e qeverisë. Sipas Dukës, shoqëria civile nuk mund të monitorojë importin e mbetjeve, pasi nuk ka specialistë.

Kryebashkiaku i Parmës i bashkohet protestës kundër mbetjeve në Shqipëri

Kryetari i Bashkisë së Parmës në Itali, Federico Pizzaroti i është bashkuar protestës së shoqërisë civile në Tiranë përpara Parlamentit, ku po zhvillohet seanca plenare. Ai i është bashkuar turmës së protestuesve dhe është shprehur kundër projektligjit të Qeverisë Shqiptare për importin e plehrave. Duke folur në këtë protestë, kryebashkiaku i Parmës ka thënë se publiku duhet të edukohet për mbetjet. “Nuk lejohen impiantet që djegin plehrat. Janë rritur deri në 70% impiantet e riciklimit. Më vjen mirë që ka një lëvizje të fortë qytetare që janë të angazhuar për interesin publik”, ka thënë para protestuesve kryetari i Bashkisë së Parmës në Itali.

Shoqata e Bashkive kundër importit të mbetjeve: Bëhet për interesa politike

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë është kundër miratimit të ligjit për importin e mbetjeve nga jashtë, dhe e vlerëson tërësisht të gabuar qasjen, argumentet dhe logjikën për të miratuar një ligj të tillë.
Shoqata e Bashkive të Shqipërisë vlerëson, se së pari, procesi i përgatitjes së këtij ligji nuk është shoqëruar me konsultime të gjera, të hapura dhe me një proçes transparent. Ky proçes duhet të fillonte së pari, me konsultime me organet e pushtetit vendor, me ekzekutivin dhe legjislativin e 61 bashkive dhe 12 qarqeve, dhe të merrte dakortësinë e tyre, dhe të gjitha grupeve të interesit që përfaqësojnë të zgjedhurit vendorët, por po jo vetëm. Proçesi i hartimit të këtij ligji është bërë në cikël të mbyllur gjeografikisht dhe cikël të mbyllur pjesëmarrjeje, duke shmangur qëllimisht konsultimet dhe debatet e hapura mbarëkombëtare. Shoqata e Bashkive shpreh keqardhjen e madhe që për interesa politike dhe biznesi, të krijohet alibi se ky ligj duhet pasi nuk performojnë mirë bashkitë, dhe shkaku tjetër kishte të bënte me faktin se kishte shume bashki dhe komuna para reformës territoriale që nuk menaxhonin mirë vend-grumbullimet e mbetjeve. Reformës Administrative nëpërmjet së cilës u krijuan 61 njësive vendore të reja me shtrirje hapësinore më të gjerë dhe numër popullsie mjaft më të madh sesa të mëparshmet, pritet të krijojë kushte dhe klimë më të mirë për bizneset e riciklimit, duke performuar më mirë dhe duke ndërtuar një sistem të menaxhimit të integruar të mbetjeve, çka do të sjellë më shumë lëndë të parë vendase për këtë industri, duke bërë të panevojshme importin, pra të panevojshëm këtë ligj. Megjithatë, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë vlerëson, se standardet e tashme të punës në qeverisjet vendore në përgjithësi janë ende larg mundësive, kërkesave të biznesit dhe qytetarëve dhe sidomos krahasuar me vende të tjera në rajon dhe Evropë, kryesisht në fushën e mjedisit dhe manaxhimit të mbetjeve. Por, kjo vjen së pari, nga defektet e sistemit, nga mungesa e kudrit ligjor dhe rregullator, nga mungesa e bashkëpunimit ndërqeveritar dhe ndërinstitucional, nga mungesa e vullnetit të pushtetit qendor për të mbështetur bashkëpunimin ndërbashkiak, për manaxhimin e mbetjeve dhe vendgrumbullimin e tyre mbi baza rajonale. Shoqata e Bashkive vëren me keqardhje gjithashtu, politika të dobëta të qeverisë qendrore dhe një mungesë vizioni për çështjet mjedisore, dhe ajo që është më e rëndësishme, faktin se qeveria qëndrore nuk financon bashkitë për sistem me standarde të manaxhimit të mbetjeve, por i orienton financimin në projekte butaforike dhe imazheri. Ndaj ne kërkojmë që qeveria së pari, të decentralizojë dhe të forcojë me çdo instrument bashkitë.

Exit mobile version