“Po bëhet kasaphanë me rrugën, jemi njerëz jo kafshë”- Dy akse në Elbasan peng i tenderimit, banorët: Na premtohet çdo vit por asgjë nuk bëhet

Përfundimi i disa akseve të rëndësishme rrugore ne qarkun e Elbasanit si ai Zgosht-Ura e Cerenecit, pjesë e aksit nacional Librazhd-Bulqize apo Qukës -Qafë Plloçe duket se do te jetë e pamundur edhe për shume kohë, pasi puna qe ka nisur prej mëse një dekade ende nuk është finalizuar.

Rruga Zgosht-Ura e Çerenecit prej 47 km e filluar para 2013 ka mbetur ende peng i tenderimeve. Sistemimi dhe asfaltimi i rrugës Zgosht-Ura e Çerenecit pjese e aksit nacional Librazhd-Bulqize ka përfunduar vetëm ne një segment prej 9.6 km duke filluar nga qyteti i Librazhdit deri në fshatin Zgosht, pjesa tjetër është thuajse e pakalueshme për shkak se traseja e saj është me gropa dhe e rrezikshme nga dherat dhe gurët e rrezuar.

Për shkak të terrenit malor rruga ka pësuar dëme te mëdha duke penalizuar edhe turizmin ne parkun kombëtar të Shebenikes.

“Ka 10-11 vjet që po bëhet kasaphanë me rrugën. Zhvillimi po stopohet, nuk po investohet asgjë. Rruga është ajo që na stopon dhe investimi po ikën kot. Nuk e dimë, shpresa vdes e fundit thonë, por nuk po na vjen fundi”, tha një banor.

“Ne jemi keq vetëm për rrugën. Rruga ka 12 vite që nuk është vënë dorë. Ku të shkojmë në fshatarët e varfër, ku të shkojmë ne pensionistët që nuk kemi një doktor. Këto jetojnë njerëz, nuk jemi kafshë”, tha një tjetër banor i fshatit.

Rruga Zgosht-Ura e Cerenecit konsiderohet pjesë e një arterie të rëndësishme rrugore nacionale qe lidh Korridorin 8-të me rrugën e Arbri por pavarësisht kësaj, për përfundimin e saj janë bëre vetëm premtime që nuk janë mbajtur.

“Vijnë ca nga Tirana dhe asgjë. Na premtojnë ne, na jep votën. Vjen ambasadori evropian dhe thotë do ta bëjmë rrugën nesër. Ka 3 vjet nuk është bërë. Nuk e dimë çfarë ti themi shteti. Gjynah këtu te ne. Turizmi pa rrugë nuk bëhet. Ikën rinia se nuk ka çfarë bën rinia këtu”

“Përiudha e dimrit këtu është vështirësuar shumë. Rruga është bërë me gropa. Na kanë premtuar para shumë vitesh, që në 2014. Jemi në 2024 dhe akoma nuk është planifikuar që të sistemohet”, u shpreh një tjetër banor.

Një tjetër aks nacional Qukës-Qafë Plloçë me një gjatësi 43,5 km që shkurton ndjeshëm distancën mes Tiranës dhe Juglindjes është rruga që edhe pas më shumë se një dekade duket se nuk do mbarojë edhe për disa vite. Kryeministri, zv.kryeministrat dhe ministrat e Qeverisë Rama e kanë inspektuar me dhjetëra herë dhe kanë premtuar përfundimin e shpejtë té saj, por realiteti tregon të kundërtën. Pas 15 vitesh që nga projektimi i saj specialistët kanë deklaruar se do duhen e pakta edhe dy vite që kjo rrugë të jetë e përfunduar duke iu kushtuar shqiptareve miliona euro./ Panorama.com.al

Exit mobile version