“Po fole ti, do të flas edhe unë”, si Rama tenton të shantazhojë ambasadorin Lu

Ambasadori amerikan Lu ka reagur për “çështjen Xhafa” ndryshe nga sa e kishte parashikuar kreu i qeverisë. Dy ditë më parë Rama e përktheu heshtjen e ambasadorit amerikan ndaj skandalit Xhafa, në mbrojtjen e të vëllait të dënuar në Itali për trafik droge, si mbështetje politike ndaj ish-ministrit të Brendshëm.
Rama tha dy ditë më parë se “nëse për këtë zallamahi do kishte një grimcë të vërtete për ministrin tonë të Brendshëm, besoj se asnjë shqiptar nuk e quan të paarsyeshme se para se të flisnin këta do fliste miku ynë, ambasadori amerikan, BE.”
Konteksti politik i deklaratës linte të kuptohej se ndonëse mund të ketë vendime të formës së prerë të Gjykatës italiane, ato nuk kanë asnjë vlerë për sa kohë ambasadori amerikan nuk reagon. Përmes një deklarate të tillë, Rama e bëri fakt të kryer mbështetjen e ambasadorit Lu për Xhafën dhe dosjen për të cilën ai akuzohet, që përfshin vëllanë e tij të dënuar për trafik droge me 7 vite burg në Itali.
Deklarata e Ramës u komentua me ironi në media dhe rrjetet sociale dhe rëndoi mbi figurën publike të ambasadorit. Një ditë pas asaj deklarate ambasadori Lu reagoi vetëm përmes dy fjalive. “Kryeministri duhet të flasë në emrin e tij dhe ne do të flasim në emrin tonë. Ne jemi duke i shqyrtuar pretendimet që janë ngritur ndaj vëllait të ministrit Fatmir Xhafaj”.
Kaq mjafton për të kuptuar se ambasada amerikane është distancuar politikisht nga Rama në këtë rast. Ajo që duhet kuptuar nga kjo deklaratë kthehet në bumerang për Ramën, i cili nuk e ka kapërdirë lehtë faktin se Lu nuk i ka dalë kësaj here në krah atij dhe ministrit Xhafa për dosjen e drogës që ka dënuar vëllanë e ministrit.
Rama ka reaguar pas deklaratës së Lu duke thënë se edhe ai mund të thotë mendimin e tij mbi Lu ashtu sikurse Lu bën të njëjtën gjë për të. Rama në një reagim në faqen e tij zyrtare në Facebook, i është përgjigjur ambasadorit amerikan, Donald Lu. Rama i përgjigjet Lu duke thënë se është puna e tij të thotë atë që mendon.
“Patjetër që unë flas për veten time dhe miku ynë Lu flet për veten e vet. Dhe krejt normalisht, është puna ime të them atë që mendoj kur flas lidhur me të, siç është puna e tij të thotë atë që mendon kur pyetet lidhur me mua”, shkruan Rama në Facebook.

Reagimi i Ramës shpreh jo vetëm zhgënjim, por mënyra e komunikimit të tij i ngjan një mesazhi të hapur shantazhues në drejtim të ambasadorit.
“Po fole ti, do të flas edhe unë” është konteksti politik që Rama ka lëshuar për ambasadorin. Duket se situata po ndërlikohet dhe gjuha e mesazheve publike me dëshifrime jo vetëm politike është një provë e qartë në këtë drejtim. Të shantazhosh hapur me një kod mafioz një ambasador të Shteteve të Bashkuara kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë.
Të gjendur në vështirësi, Rama dhe njerëzit që e rrethojnë kanë zgjedhur ti përgjigjen shqetësimeve të partnerëve me gjuhën e mafies dhe të shantazheve politike. Vetëm pak ditë më parë në deklaratën e lexuar në Parlment, ish-ministri i Brendshëm, Tahiri duke dorëzuar mandatin e deputetit lëshoi një tjetër mesazh shantazhi ndaj ambasadorëve; “Janë të blerë”, tha Tahiri. Kjo nuk është deklarata e një politikani dosido, por deklarata e një ish ministri të Brendshëm, i cili di se çfarë thotë dhe po ashtu se cilëve veshë dhe sy i drejtohet.
Si Rama edhe Tahiri dhe Xhafa po kërkojnë të shpëtojnë duke tentuar të blejnë heshtjen e partnerëve të Shqipërisë përmes shantazheve dhe kodeve të gjuhës së mafies. A do të funksionojë kjo strategji e Ramës dhe bandës së tij? Këtë koha do ta tregojë, por kur marrëdhëniet e komunikimit arrijnë këtë gjuhë të drunjtë atëhere le të kuptohet se jemi në një “luftë të ftohtë” dhe mbetet për tu parë se kush do të tërhiqet, shantazhuesi apo i shantazhuari?
Nuk duhet harruar se kjo është gjuha e komunikimit që Rama zgjodhi edhe me partnerët europianë dhe kryesisht Gjermaninë kur deklaroi se; ose do të pranohet hapja e negociatave me Shqipërinë, ose ky karabushi ynë që hiqet si lider global do të bënte zgjidhje të tjera duke lënë të kuptohet Rusinë. Dhe më pas si për ta çuar më tej këtë provokim politik ftoi në Shqipëri edhe patriarkun e Putinit, një ish-agjent të KGB-së.
Duket se këshillat e Ramës vijnë nga Beogradi apo Ankaraja, sepse janë ata të parët që kanë funksionuar mbi bazën e këtyre marrëdhënieve të kushtëzuara me Perëndimin, por kjo lojë jo gjithmonë sjell rezultat. Në vende si Shqipëria pritet të ndodhë e kundërta, ku një grusht ballit, si ai i Rrugës së Kombit, por shumë herë më i madh dhe i fortë, të godet dhe nuk çohesh dot më kurrë.
“RD”

Artikulli paraprakJa si Gjush betonierja masakron Durrësin, tonelata betoni duke uzurpuar dhe rërën e detit
Artikulli tjetërFatos Nano rishfaqet me një mision në Maqedoni…