Po kërkohet largimi i Ramës, si “koka” e korrupsionit dhe peng i krimit

Kastriot ISLAMI
Rama është sot në Berlin dhe po përpiqet me “gojë dhe me gjeste” ta mashtrojë kancelaren gjermane Merkel se qeveria e tij ka punuar mirë dhe Shqipëria e meriton hapjen e negociatave. Se s’është i korruptuar dhe s’është i lidhur me krimin e kriminelët. Se s’ka lidhje me trafiqet e kokainës e heroinës dhe se ka shkatërruar vjet kanabisin. Së koti, se të gjithë këto janë gënjeshtra e mashtrime që s’i ha as politika e as media serioze gjermane.
Politika zyrtare e media gjermane jo vetëm janë skeptikë për hapjen e negociatave por mbi të gjitha janë të shqetësuara për lidhjen e qeverisë Rama me krimin, trafiqet e klanet mafioze. Madje kanë dyshime të forta se korrupsioni dhe lidhjet me krimin e trafiqet shkojnë deri lart, pra deri te “koka Rama”. Ky për më tepër është jo vetëm një perceptim i disa shteteve që janë skeptikë për të mos thënë kundërshtare të hapjes së negociatave.
Gazeta gjermane die Ëelt i ka kushtuar vëmendje të veçantë rastit Tahiri, pas pyetjes së sikletshme që ajo i ka bërë Ramës me rastin e takimit me Merkel dhe përgjigjes së tij aspak bindëse: “Besoj se dyshimet ndaj një personi s’mund të pengojnë përpjekjet e një vendi të tërë”; Në realitet “rasti Tahiri” është vetëm testi ndaj Ramës sepse po të ishte një rast i shkëputur ky s’do të përbënte asnjë shqetësim, jo më të kushtëzonte hapjen e negociatave. Pra problemi s’është Tahiri por vetë Rama.

Sepse, së pari, Tahiri nuk është një person i thjeshtë por ish-ministri i brendshëm i Ramës me të cilin ai mburrej me superlativa, deri në atë masë sa që Rama bëri çmos për ta futur deri në zyrën ovale të Presidentit Obama.
Së dyti, Tahiri është ish-ministri i brendshëm që ka shumë informacion për afera korruptive, lidhje me krimin dhe kriminelët dhe histori trafiqesh ku në mënyrë direkete apo indirekte është i implikuar edhe koka-Rama apo zyrtarë të lartë të qeverisë Rama. Sigurisht këto informacione i kanë edhe shumë shërbime partnere apo autoritete ligjzbatuese. Një nga aferat që media e ka raportuar shpesh, dhe që Rama duket i marrë peng nga Tahiri është ajo e trafikut të kokainës së Xibrakës. Dosje të cilën mesa duket e zotëron Tahiri për shkak të detyrës si ish-Ministër i Brendshëm. Kjo është një dosje ku thuhet në media se është i implikuar vëllai i Ramës.
Kjo dosje e kopsitur, me shumë gjasa, është e përgatitur nga shërbimet inteligjente të një vendi të rëndësishëm.
Së treti, Tahiri s’është thjesht një person rreth të cilit ka vetëm disa dyshime, por një person që shërbimeve të huaja inteligjente ju rezulton i lidhur ngushtë me familjen mafioze të Habilajve. Madje ishte Gjermania që e “këshilloi apo i kërkoi” Ramës ta hiqte si Ministër i Brendshëm, kërkesë së cilës Rama s’mundi ti rezistonte.
Së katërti, Rama s’e dorëzon mesa duket dot Tahirin se ai është kthyer në një bombë me sahat apo kamikaze për Ramën, gjë që mesa duket ja ka bërë të qartë Ramës përmes sekserëve. Ky është edhe sikleti më i madh që ka Rama dhe që ndjehet keq sa herë ja bëjnë këtë pyetje. Ky është testi që Rama s’po e kalon dhe që ka rritur shumë dyshimet për atë vetë.

Si përfundim, s’janë dyshimet për Tahirin që mbajnë peng hapjen e negociatave sic pretendon apo kërkon Rama të mashtrojë median gjermane apo edhe kancelaren Merkel. Por janë lidhjet e ngushta korruptive dhe jo rrallë edhe të “tipit mafioz” të Ramës me disa nga ministrat e tij, me zyrtarë shumë të lartë, individë me rekorde kriminale dhe biznesmenë të klientelës, ku rasti Tahiri është veçse njëri prej tyre, që mbajnë peng hapjen e negociatave. Sado të përpiqet Rama të mashtrojë median gjermane apo kancelaren, duke minimizuar rastin Tahiri apo duke ja hedhur fajin disa vendeve të BE, e vërteta e dyshimeve për lidhjet e kokës-Ramës me korrupsionin, krimet e trafiqet, do të shpërthejë shumë shpejt. Dhe do të ishte mirë që këto lidhje të mos mbanin peng hapjen e negociatave.
Çështja që shtrohet është më e thjeshtë: S’duhet mbajtur peng vendi dhe hapja e negociatave nga halli që ka zënë Ramën apo më saktë për shkak të lidhjeve mafioze që koka-Rama ka me korrupsionin, me grupe kriminale, trafikantët e drogës e të armëve. Duhet të ketë vetëm një kusht për hapjen e negociatave: Largimi i Ramës, si “koka” e korrupsionit në vend, që është peng i krimit dhe trafiqeve dhe ideatori i kultivimit të kanabisit….

Exit mobile version