Po kërkon shpëtim për veten

Lulzim BASHA

Predikimi i gjatë duke fryrë tullumbacen e madhe të mashtrimit ishte një dëshmi e freskët se sa e do Reformën në Drejtësi Edi Rama. Llomotitja e mbrëmjes nuk reflektonte asgjëkundi takimin konstruktiv të pasdites, zhvillimin e ri, hapin e hedhur, marrëveshjen për caktimin e negociatorëve, përafrimin e zgjidhjes, por nga fillimi në fund vetëm retorikën e vjetër të konfrontimit. Një përpjekje për ta hequr Reformen në Drejtësi nga tryeza ku po negociohet, nga tryeza ku u ra dakort pak orë më parë, edhe nga ai, që të negociohet.
Një përpjekje për ta hequr nga tryeza e zgjidhjes e për ta shtruar në tavolinën e ushqimit të tij të përditshëm politik që është sulmi dhe provokimi ndaj opozitës.  Ky shfrim vërteton edhe një herë nevojën akute për argumenta elektorale që ka kryeministri me bilancin më të keq të këtyre 20 viteve.
E tregoi dhe një herë se nuk do drejtësi, por shpëtim për veten e tij. Takohemi për konsensus si rruga e vetme për të votuar reformën, ky sa del nga takimi, trumbeton ndarjen e re të Parlamentit, të politikës!
E në cilën anë të ndarjes i bie të jetë ky që futi aty banditë, trafikantë droge, tutorë e vrasës. Armando Prenga që do thërrase për të votuar të enjten reformën, në cilën ndarje bën pjesë? Pretendimi që i paska 94 vota është një presion kriminal, krejt e kundërta e asaj që duhet të vihet në themelet e një reforme afatgjatë në drejtësi.
Nuk i ka votat, sepse projekti Rama nuk ka qenë dhe nuk është Reforma në Drejtësi, por kapja e saj nëse do ta kishim lejuar ne, ose dështimi i saj.
Drejtësinë që lufton krimin e korrupsionin e ka në tryezë. Drejtësinë e pavarur që e rekomandon Komisioni i Venecias e ka në tryezë. Drejtësinë për qytetarët, për ligjin, e jo për të mbyllur dosjet e tij e ka në tryezë. Për këtë drejtësi janë votat, gati për ta kaluar të enjten në Parlament.
Është koha për të marrë përgjegjësi dhe për të shërbyer konsensusin dhe jo për të trazuar çorbën e prishur të rilindjes së skaduar që s’e gëlltit dot më askush.

Artikulli paraprakMiqtë nuk i përjashtojmë
Artikulli tjetërÇfarë kërkojnë të rinjtë nëpër botë?