Një media afër qeverisë dje aludonte e sigurtë se bazuar në votat e vitit 2013, PS e ka të sigurt mandatin e nëntë të Fierit ose e thënë më saktë atë të sekretarit të Përgjithshëm, Gramoz Ruçi. Në fakt nuk e dimë se ku e gjen sigurinë kjo media, por duket se Edi Rama diçka po kurdis me zgjedhjet e Fierit, ku fillimisht e dërgoi që ta digjte Ruçin, por mesa duket tashmë i duhet në luftën e tij me Ilir Metën. Por kjo është punë e PS-së dhe ajo që duhet sqaruar është se PS nuk i merr dot 9 mandate në Fier bazuar në rezultatet e vitit 2013, pavarësisht shkrimeve të porositura që vijnë nga zyra e shitësit të fiqve në Bashkinë e Tiranës. Praktikisht bazuar në rezultatet e vitit 2013, Ruçit i duhen dhe 24 mijë vota që të arrijë këtë rezultat. Nuk e dimë se si i bëjnë hesapet rilindasit dhe bashkë me ta Edi Rama, por po i japim ca të dhëna. PS e vetme në vitin 2013 mori 44% ose 89 mijë vota në Qarkun e Fierit. Ky qark në këtë kohë për të nxjerrë një deputet i janë nevojitur rreth 12700 vota për një parti e në kushtet kur garon e vetme siç garon dhe PS aktualisht. Në të njëjtat kushte kjo forcë politike dhe në vitin 2013 nuk do i merrte më shumë se 7 deputetë dhe ja përse. Partia Socialiste duke hequr votat e LSI në këtë qark si parti e koalicionit ka marrë nga sistemi dhe votat e partive të tjera shifrën e 107 mijë votave, pra 18 mijë vota më shumë që në këto zgjedhje nuk i ka. Por dhe me 107 mijë vota, të partive të tjera si PSD, PDS, Aleanca Popullore (të regjistruara të gjitha më vete dhe që do të bëjnë luftën e tyre) sërish nuk i bën dot më shumë se 8 mandate. Numrin magjik 9 asokohe ia siguroi koalicioni, pasi koalicioni i djathtë ishte larg mandatit të gjashtë. Shifrat janë kokëforta, por le të bëjmë dhe një llogari tjetër, duke iu referuar të njëjtave shifra që duket se e kanë me qejf t’i referohen matematicienët e Ramës. Përqindja e shifrës 89 mijë në Qarkun e Fierit nuk është më shumë se 44%, që do të thotë më pak se gjysma ose më pak se 8 deputetë. Një mandat pa koalicione në Qarkun e Fierit kërkon rreth 6.3 për qind të totalit të votave. Llogaritë sërish nuk dalin dhe rezulton se PS-së i duhet një rritje prej 12 për qindësh që të arrijë shifrën magjike për të dalë Ruçi fitues ose aq sa e nxori një sondazh i paguar nga Rama, 56% në këtë qark. Pra, llogaria është bërë sikur opozita mos ishte në zgjedhje, por ja që opozita është dhe pretendon në këtë qark të paktën gjashtë mandate. Gramoz Ruçi mund të dalë deputet në këtë qark, vetëm po i fali votat e saj LSI dhe mos marrë asnjë deputet. Por a do të pranojë kjo forcë politike, pas debateve të fundit të lerë jashtë Parlamentit kryetarin e saj, Petrit Vasilin që është në krye të listës në këtë qark? Si vështirë. Atëherë ku do i gjejë votat Ranma për të shpëtuar Ruçin nga humbja e sigurtë në rast se s’ka menduar ndonjë skemë manipulimi?