Oerd BYLYKBASHI
Si i thone llafit, “plasi në Kuçovë”! Po na dalin këta të LSI tani dhe gjoja po u tregojnë munxet aleatëve socialistë! I akuzojnë për korrupsion, për trafiqet e drogës, për blerjen dhe vjedhjen e votave, për abuzim me policinë, për shkatërrimin urban nëpërmjet betonit, për mjekësine e shpartalluar e të vjedhur, për varfërinë, të pastrehët dhe papunësinë, e ku di çfarë tjetër!
Ndërkohe Rama u thotë: “qentë le të lehin, karvani shkon përpara”. Ja si shqyhen tani!
Po kush i mbajti këta hajdutë në pushtet? Po ku ishin deri para një jave, një muaji, gjashtë muajsh, një viti, para dy vjetësh a më herët akoma kur këto akuza i ngriti me prova PD dhe këta ose heshtën ose votuan së bashku dhe më pas ndanë paratë dhe pushtetin, përzunë bashkarisht njerëz nga administrata etj? Kur mbreti është i keq, edhe ai qe e mban në karrige është po aq.
Madje LSI kanë filluar sulmin kundër PS edhe në Durrës! Dako i korruptuar, po mbulon me beton qytetin, se sheshi para Bashkisë ishte skandal, se policia është pjesë e trafiqeve të drogës në majat e saj, se krimi ka kapur Dakon dhe qytetin etj!
Po kur i thonim ne gjatë gjithë këtyre viteve pse nuk dolën të na mbështetnim nëse na qenkan kaq parimorë? Kur prishen pazaret dhe fillon shahesh, nuk ka vlerë asgjë sepse të gjithë e kuptojnë se është qaravitje për pazaret e prishura. Po ashtu nuk ka asgjë parimore të presësh prillin për të bërë parimorin! Të thuash të vërtetën nuk të bën automatikisht të jesh i vërtetë!
Po sikur të ishte kaq, hajde de. Nese ajo Vela e betonit e Dakos që kushton 6 milion USD e që do mbulojë murin antik dhe do i zërë frymen Torres Veneciane, kur me ato para zgjidheshin halle të përditshme të durrsakeve, kur fondet e buxhetit shkojnë vetëm për betonizim të qendrës së Durrësit por asgjë për hallexhinjte qe vdesin ne te ftohte, per te pastrehet, per banoret e ishkomunave qe permbyten por kanalet nuk u pastrohen, kur asgjë nuk investohet për plehrat që digjen në qiell të hapur dhe që helmojnë ajrin e durrsakëve, etj, pse LSI miratoi buxhetin e Dakos? Sa vlejnë këto akuza një javë pasi mbyllen pazaret se si do ndahen paratë e buxhetit të durrsakëve?
Këta të kësaj mazhorance mos i dinë durrsaket apo shqiptarët në përgjithësi se janë dele apo si është puna? Na paskan hallin se kush do dali i pari, PS apo LSI se nuk duan t’ia dinë për PD. Të presin. Cdo vepër korrupsioni që kanë bërë e ka të gjatë afatin e parashkrimit të ndjekjes penale! Edhe po t’ia mbathin ne Bahamas apo ishujt Kayman, prangat në Rinas i presin!
E kam thënë herë tjetër: me bukë në trajse do u ngjitemi nga pas dhe të shohin si do t’u shkoje halli! Edhe krimineleve qe i mbështesin, edhe atyre maskarenjve drejtorë që kanë vënë si rreshterë për të blerë vota dhe karta identiteti! Edhe oficereve të policisë që i mbeshtesin në trafiqet e drogës!
Per kauzën tonë morëm mbështetje të plotë në EPP në Bruksel dhe në Bundestag dhe CDU ne Berlin.
Koha e palaçollëqeve ka marrë fund! Të presin se do ta shohin shpejt!