Bledi KASMI
Nuk është më sekret. Anija e pushtetit po mbytet. Të gjithë po mundohen të shpëtojnë atë çfarë mund të shpëtojnë përpara se të lënë anijen në fatin e destinuar. Takime të shumta të krerëve të koalicionit qeverisës të helmuar nga mosbesimi me prapaskena të thikës pas shpine ndaj njëri-tjetrit. Kush ja arrin i pari eleminon rivalin dhe mbretëron. Nuk ka më vend më për dy koka në flamurin e grisur të së majtës.
Akuzat dhe kundërakuzat mes mediave rivale të pushtetit shërbejnë për të kuptuar më mirë atë që po ndodh me shefat e tyre që tani për tani po angazhojnë skalionin e dytë në përballje për t’i lënë pak më tepër kohë fushëbetejës. Dueli deri tani është i heshtur. Rivalët për momentin po përdorin vetëm helmetat dhe mburojat për vetmbrojtje. Përmes gjuajtjeve nga larg po testojnë armatimet dhe po i bëjnë presion njëri-tjetrit, duke treguar forcën në distancë. Ora e shpatave po afron. Njëri do të bjerë në fushën e betejës.
Këtë më mirë se kushdo e ndjejnë kumbarët e këtij pushteti. Ata janë më të shqetësuar se kushdo tjetër. Fati i tyre është i lidhur me mbajtjen në këmbë me çdo çmim të pushtetit për të cilin kanë shpenzuar miliona, por edhe kanë përfituar miliarda.
Krimi i organizuar, jo vetëm ai vendas, por dhe rajonal ndjehet i rrezikuar ndaj dhe njerëz me dosje të nxehta krimi janë angazhuar në negociata të drejtpërdrejta. Nuk kanë më drojë se fotografohen nga mediat. Kanë hequr xhaketat dhe kollaret dhe së bashku po mundohen të arnojnë velat e shkepura keqazi të anijes që nuk ka më timonier.
Deputetët përtej gardhit opozitar janë të çoroditur. Lëvizin nga njëri krah i së majtës në krahun tjetër. Aferat janë të shumta në këto orë. Para të pista për të siguruar pushtet të përjetshëm përmes kapjes së drejtësisë. Dosjet, shantazhet dhe kërcënimet janë në mejdan.
Kur mafias i duhet të sigurojë mbijetesën, ajo përdor të gjitha mjetet. Orë të vështira. Temperaturat po rriten, ndërsa fati i kreut të qeverisë nuk varet më prej tij. Negociatorët nuk duken më të jenë të suksesshëm si kohë më parë, sepse edhe loja është e madhe. Kapja e një sistemi në mënyrë të përjetshme nga një individ kthen gjithçka përmbys. Këtë e dinë të gjithë ndaj dhe shumica është përtej interesave të pushtetit personal të një individi.
E nesërmja nuk do të jetë më hipokrite sa paqja e shtirur e së djeshmes. Në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të vendit anëtar në NATO janë grabitur në mes të ditës 20 milionë euro. Kryeministri, që pozon selfie nga Polonia me Presidentin amerikan nuk ka gjetur kohë që të reagojë për këtë krim të padëgjuar më parë në historinë e këtij vendi.
Përse nuk flet? Heshtja në vetevete nënkupton pohim për aktin e kryer. Ato para janë grabitur me porosi për t’u hedhur në tregun elektoral që Kryeministri po e përgatit shpejt në shërbim të vetvetes. Kështu ndodhi edhe në prag të fushatës së zgjedhjeve lokale me grabitjen e 5 milionë eruove të bankës tjetër tek stacioni i trenit.
Ministri i Krimit viziton rregullisht në qeli kryekriminelin e vendit, të cilit i premton besnikëri dhe lirim të shpejtë në prag të zgjedhjeve sepse i duhet për fushatë. Krimi është ngritur në këmbë. Po paralajmërohet deri hapja e burgjeve. Pushteti ka rënë, por nuk është i gatshëm që të ikë. E shkuara e këtyre tre viteve është mjaft e hidhur dhe i tremb. Krim, korrupsion, koncesione, tendera janë gogoli që pret tek dera pas një përmbysje të madhe.
Vallja e shpatave po nis, ndërsa Bilali pret “bashkëshorten” e tij që ta pasojë.