Po paralajmërohet rrëzimi i Ramës, deklaratat e SHBA-BE

RAMA DHE MINISTRAT NE BULEVARD - Kryeministri, Edi Rama, i shoqeruar nga kabineti i tij qeveritar, duke ecur ne bulevardin, "Deshmoret e Kombit", per te shkuar ne godinen e Kryeministrise, pasi kane bere betimin tek Presidenti, Bujar Nishani.

Armand MAHO

Sa më shumë shtohet izolimi ndërkombëtar, aq më shumë i shtohet dhe çalltisja dhe paranoja për gjetjen e armiqve të brendshëm, atij që duhet të bëjë kryeministrin e vendit të shqiptarëve. Pas deklaratave të deputetit të Bundestagut Gjerman, Krichbaum se gjendja e Shqipërisë është katastrofë, lideri global nuk vonoi të lëshojë lukuninë e të paguarve për të gjejtur fajtorët tek opozita. Në një kohë që ekonomia është nën kthetrat e drogës, se korrupsioni po i merr frymën vendit, që zgjedhjet rrezikohen të blihen me paratë e krimit, apo që në poste kyçe të administratës dhe politikës janë vendosur persona me rekorde kriminale, kryeministri gjen kohën për të folur në rrjetet sociale për sukseset e tij dhe enturazhit të tij. Por në fakt ndërkombëtarët e kanë kuptuar se, “koka e karvanit” e ka humbur me kohë orientimin që duhet të jetë shteti ligjor dhe lufta kundër fenomeneve kriminale. Kjo vlen për ndërkombëtarët, se shqiptarët e kanë ditur që kjo qeveri dhe ky kryeministër nuk e kanë pasur asnjëherë këtë orientim. Në këtë situatë, Edi Ramën se mbështet më askush, ska ku e drejton gishtin si referencë, nuk i pijnë ujë as batutat bajate me të cilat kërkonte të bënte për vete diplomacinë ndërkombëtare. Vlerat mbi të cilat është ngritur BE dhe SHBA nuk mund të lejojnë që një shtet të drejtohet nga kriminelë, nga të korruptuar dhe njerëz të mbrujtur me amoralitet. Detyra e tyre është të venë në dukje, se rruga e zgjedhur nga ajo që duhet të ishte “Rilindje” është një rrugë që të çon drejt rrënimit dhe varfërisë. Kjo është rruga e burgosjes së hallexhinjve dhe e parajsës së trafikantëve!

Gjermania

“Knockout”-i do i vinte nga Gjermania. Edi Rama që nuk ndan dot fantazinë nga realiteti, ishte investuar shumë në një imazh fals sikur mbështetja i vinte nga Kancelarja gjermane. Në këtë marrëzi, ku nën zë e ku mbi zë, ku me media e ku me Facebook e emisarët e tij mundoheshin ta justifikonin çdo korrupsion, çdo veprim të çalltur të tij si orientim që vinte nga kancelaritë gjermane. Bufonizmi i tij sikur të ishte klloun oborri, në konferencat zyrtare ku vendosej dhe fati i Shqipërisë komentoheshin gjatë nga të paguarit e tij si shprehje të vizionit diplomatik. Në këto rrethana nuk e priste që pikërisht Kryetari i Komisionit të Jashtëm gjerman, një deputet me peshë në partinë e Merkelit të shprehej se, Gjermania nuk mund të pranonte të ulej në tavolinën e negociatave me shtetin e Ramës. Ai ja tha troç e qartë se bashkësia evropiane, nuk ka asgjë të përbashkët me lumenjtë e drogës, korrupsionin apo ngjitjen e kriminelëve në politikë. Gunther Krichbaum, u shpreh se Gjermania do të votojë kundër. Kjo votë kundër në fakt nuk është kundër Shqipërisë, nuk është kundër shqiptarëve. Kjo votë është kundër Edi Ramës, sepse bashkësia evropiane e ngritur në parimet e të drejtave të njeriut dhe shtetin ligjor, s’mund të pranojë të bisedojë me një njeri që i shkel këto parime përditë. Një njeriu që ka njollosur vendin e tij, që po përze popullin, që po e burgos dhe që si busull orientimi ka pazaret me kriminelët. Jo, kjo nuk është Evropa e vlerave!

SHBA dhe OSBE

Ish-zëdhënësi i Pentagonit dhe një prej këshilltarëve të Presidentit të zgjedhur Donald Trump, do të deklaronte për Fox News, menjëherë pas deklaratave delirante të kryeministrit se, në mediat shqiptare dhe amerikane se “Ky njeri foli për Donald Trump dhe tha që përbën rrezik për civilizimin. Dhe e dini kush e thotë këtë, Edi Rama, i cili është në krye të një Parlamenti të korruptuar, që është i lidhur me korrupsionin”. Pra, me pak fjalë gjyqin e kandidatit republikan e ka bërë ai që akuzohet se me anë të korrupsionit ka bërë një pasuri prej 200 milionë dollarësh. Sot, Donald Trump është president i zgjedhur i Amerikës, aleatit më të rëndësishëm të Shqipërisë dhe kjo ishte goditja e parë për Ramën. Ky i fundit u struk në gjendjen e tij, natyrisht për votën e popullit amerikan këtë herë fajin nuk e kishte opozita. Qentë e sulmit të kryerilindasit s’mund të dilnin në foltore për t’u çjerrë se, “fajin e ka Saliu”. Gjithsesi, mangësitë që koka e karvanit ka në luftën kundër korrupsionit, dhe problemet me zgjedhjet do ja vinte në dukje dhe misioni amerikan në OSBE në deklaratën e 24 nëntorit.

Greqia

Problemin e drogës dhe vendosjen e vetos për penalizimin e Shqipërisë nuk e ka vetëm Gjermania. Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, dy ditë më parë ja përplasi në fytyrë moralin nacionalist kryerilindasit. Ky i fundit për të tërhequr vëmendjen nga problemet e vendit luan kartën e nacionalizmës, tashmë në fund të mandatit. Por ministri i Jashtëm grek la të kuptonte se këto teza s’mund t’i jepnin njerëz që kanë blerë mandatin e tyre politik me paratë e drogës, duke na sjellë në mendje dhe postulatin se, “Nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve”. Kotzias tha se, Shqipëria është vendi i parë në botë për prodhimin e drogës, dhe se implementimi i luftës kundër këtij fenomeni nuk bëhet me fjalë, por me politika reale dhe zbatim ligji. Pra dhe kartën e nacionalizmit, me të cilën është dashuruar së fundmi Edi Rama ja dogji shefi i diplomacisë greke.

Kriteret e vendosura nga Gjermania

Kriteri i parë, ka të bëjë me Reformën në Administratën Publike, e cila duhet të provohet në praktikë për të treguar se sa i qëndrueshëm është zbatimi i ligjeve të miratuara.
Kriteri i dytë, ka të bëjë me Reformën në Drejtësi, e cila, sikurse thotë dokumenti, duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme dhe të plotë me qëllim forcimin tërësor të nivelit të profesionalizmit dhe integritetit në fushën e drejtësisë.
Kriteri i tretë, thotë se në luftën ndaj korrupsionit nëpërmjet Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, e cila duhet të jetë e pavarur nga kontrolli dhe ndikimi i politikës, duhet të jenë shënuar arritje të konsiderueshme.
Kriteri i katërt, për luftën kundër krimit të organizuar është që të rritet ndjeshëm numri i dënimeve me vendime të formës së prerë, të forcohen dukshëm përpjekjet për luftën ndaj krimit të drogës dhe të shënohen suksese të prekshme.
Kriteri i pestë, ka të bëjë me atë që konsiderohet “prioriteti kyç” në fushën e të drejtave të njeriut, masave kundër diskriminimit dhe realizimit të së drejtës së pronës, për të cilin vlerësohet se Shqipëria duhet ende të përmbushë ato pika që përmend raporti i Komisionit Europian i datës 9 nëntor 2016.
Kriteri i gjashtë, është që rekomandimet e OSBE/ODIHR-it në lidhje me Reformën Zgjedhore të zbatohen deri në zgjedhjet e qershorit 2017, të cilat duhet të përmbushin standardet europiane.
Kriteri i shtatë, ka të bëjë me ligjin për Dekriminalizimin e Parlamentit dhe institucioneve qendrore e vendore, i cili, siç thotë dokumenti, duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme e të plotë.

Katër deklaratat e forta

J.D Gordon ish-zëdhënës i Pentagonit, këshilltar i Trump
E dini që këtë javë ishte në Uashington miku i ngushtë i George Soros, i cili ka qenë i ftuar nderi në dasmën e tij. Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë zhvilloi takime në Shtëpinë e Bardhë. Ky njeri foli për Donald Trump dhe tha që përbën rrezik për civilizimin. Dhe e dini kush e thotë këtë, Edi Rama, i cili është në krye të një Parlamenti të korruptuar, që është i lidhur me korrupsionin. Ne duhet t’u themi këtyre liderëve europianë që të mos fusin hundët në politikën tonë të brendshme”.

Kate Byrnes Misioni i SHBA në OSBE
“Ashtu siç e nënvizoi edhe ambasadori Borshard, lufta kundër korrupsionit mbetet një nga sfidat kryesore për qeverinë shqiptare. Megjithë progresin e bërë në hartimin e strategjisë anti-korrupsionit dhe kuadrit ligjor, në raport nënvizohet se nevojitet të bëhet më shumë për të përforcuar kuadrin aktual dhe për të rritur pavarësinë e institucioneve që luftojnë korrupsionin. Siç konstatoi edhe ODIHR duhet të bëhet më shumë për të rritur besimin e publikut te procesi zgjedhor, gjithashtu duhen dhënë garanci se burimet shtetërore nuk do të përdoren për qëllime fushate, duhet të rritet transparenca e partive politike dhe financimeve në fushatë, si edhe të zbatohen ligje të qarta dhe të rrepta kundër blerjes së votës. Këto, si edhe rekomandimet e tjera duhet të vihen në zbatim përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Nikos Kotzias ministër i Jashtëm i Greqisë
“U kemi thënë që të marrin rrugën për anëtarësim në Bashkimin Europian, që me kaq zemërgjerësi iu dha statusi në të kaluarën. Do të duhet të implementojnë politika kundër krimit të organizuar dhe të luftojnë drogën, sepse është vendi i parë në botë për prodhimin e drogës dhe shumë politikanë ndoshta financohen nga ky aktivitet”, tha ministri i Jashtëm grek.

Michael Hummer Parlamenti i Austrisë
Në mënyrë të veçantë problemi i kultivimit e trafikimit të drogës duhet të zgjidhet shumë urgjentisht nga qeveria Rama dhe autoritetet përgjegjëse. Qeveria duhet të ndalojë dhe refuzojë praktika të tilla nëse dëshiron të ndryshojë imazhin e saj në botë. Ky problem është një pengesë thelbësore për çeljen e negociatave të anëtarësimit. Për këtë arsye, qeveria Rama duhet të bëhet aktive dhe t’i pastrojë gjërat. Nga ana e BE-së duhet të mbikëqyren rreptësisht këto zhvillime.

Exit mobile version