Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar pas presioneve që po i bëhet administratës së Vlorës për të marrë pjesë në takimin e Ramës ditën e nesërme në Vlorë.
Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar mesazhet e qytetarëve nga Vlora duke shkruajtur: Lexoni dokumentat që faktojnë se si po përdhos Sheshin e Flamurit me antimitingun e tij të turpit, Edvin Kristaq Mbatharaku. Ai po detyron të gjithë administratën të shkojë nesër në Vlorë”.
Në mesazhet e publikuara nga Berisha, vërehet porosia që në mitingun e Ramës “me përgjegjësi të plotë kërkohet pjesëmarrja e të gjithëve!”
“Nën kujdesin e veçantë të kryetarit të bashkisë Vlorë, z. Dritan Leli, ditën e shtunë, datë 16 shkurt 2019, ora 10:30, në Sheshin e Flamurit do të zhvillohet aktiviteti “Për Vlorën që duam” me pjesëmarrjen e kryeministrit z. Edi Rama. Ju mirëpresim. Kabineti, bashkia Vlorë. Përshëndetje, lajmëroni gjithë stafin tuaj për të qënë pjesë e aktivitetit. Me përgjegjësi të plotë kërkohet pjesëmarrja e të gjithëve!”
Ndërsa, në një mesazh tjetër, një punonjës i shtetit në Poliçan, tregon çfarë po organizohet deri në qelizat më të vogla të administratës, për të goditur me antimiting në Vlorë, protestën kombëtare në Tiranë.
Përshëndetje doktor!
Jam një punonjës në bashkinë e Poliçanit me rrogë të përgjysmuar, 170 mijë në muaj. Na mblodhi dje përgjegjësi i komunales dhe na tha “kush nuk vjen në Vlorë të shtunën, të hënën të mos vijë në punë. Është i pushuar.
Unë e urrej atë kryeministër sa s’ka ku të veje, por ç’të bëj, më heqin nga puna. Po u bëjnë të gjithëve presion për të ikur në Vlorë. Falemnderit në qoftë se e publikon. Dhe mos të dalë emri im, se jam në hall se më heqin nga puna. Respekte doktor.