Kjo është një histori që mbi të gjitha bazohet tek hipoteza (dhe nuk ka sesi të jetë ndryshe, duke qenë se po flasim për një botë, atë të spiunazhit, ku sekreti është gjëja më e rëndësishme dhe arti i prishjes së provave është rregulli), për të cilën nuk duhet marrë si shpjegim definitiv i fakteve (por, nga ana tjetër, sa prej shpjegimeve zyrtare që marrim për një fakt të mirëqenë janë vërtet “definitive”?).Kështu që duhet të bëjmë dy pyetje të veçanta, me dy përgjigje të veçanta.
Gjërat shkuan vërtet kështu? Nuk e dimë. Gjërat mund të kenë shkuar kështu? Po, fare mirë mund të kenë shkuar siç do t’i tregojmë. Është një histori që është harruar për një kohë të gjatë, por jo për këtë më pak e rëndësishme, duke qenë se përfshin një figurë të dorës së parë të kulturës së shekullit të XX. Po flasim për Albert Camus, shkrimtar francet, fitues i Çmimit Nobel për Letërsinë në vitin 1957 në moshën 44 vjeçare (nobelisti për Letërsinë i dyti më i ri në moshë pas Rudyard Kipling, që e vlerësua në moshën 42 vjeçare).
Camus është një gjeni i paracaktuar, aq i paracaktuarsa të shfaqet në kontekstin e një degradimi social të konsiderueshëm. U lind në vitin 1913 në Mondovì (sot Dréan) të Algjerisë, djali i një fshatari francez i mërguar në koloni në kërkim të fatit. Por fati nuk e ndihmon dhe babai, i rekrutuar në Luftën e Parë Botërore, vdes në Betejën e Marnës të 1914 (“për t’i shërbyer një vendi që nuk ishte i tiji”, do të shkruajë me hidhërim vite më vonë i biri). Vogëlushi Albert do të rritet kështu nga e ëma dhe nga prindërit e saj, të gjithë me origjinë spanjolle: njerëz të mirë, por të varfër dhe analfabetë.
Kurse ai shkon në shkollë dhe është shumë i zoti, fiton bursa studimi që i mundësojnë të frekuentojë kolegje të shkëlqyer. Si fëmijë ëndërron të bëhet futbollist, karrierë shumë e lakmuar qysh në atë kohë: portier i shkëlqyer (ka zgjedhur këtë rol sepse është ai që konsumon më pak këpucët), ka tërhequr tashmë vëmendjen e vëzhguesve të disa skuadrave profesioniste franceze, por i duhet që ta ndërpresë papritmas aktivitetin, kur diagnostikohet me tuberkuloz, sëmundjen që masakron të varfërit. Për të njëjtën arsye, i duhet të braktisë edhe një ëndërr tjetër, atë të aktorit të teatrit.
Nuk i mbetet vgjë tjetër veçse t’u kthehet studimeve, që nuk i reshtin së dhëni kënaqësi. Gjithmonë me anë të bursave, arrin që të futet në Universitetin e Algjerit (që në atë kohë ishte ndër më prestigjiozet e Francës) dhe të diplomohet për Filozofi. E pret një ardhme si mësues dhe gazetar, që përfaqëson një hap goxha të madh përpara respektivisht origjinës së tij, por talenti do ta çojë shumë më larg. Ndërsa është ende në universitet, boton një libër, “Metafizika kristianedhe neoplatonizmi”, që e vendos në vëmendje të shtëpive botuese. Pasojnë punime të tjera dhe një aktivitet intensiv gazetaresk, që e vendos në kontakt me autoritetet franko – algjeriane, duke qenë se është një mbështetës i kauzës së pavarësisë të vendit afrikan nga Franca. Në vitin 1940 do të detyrohet të transferohet në Francë që të mund të vazhdojë të punojë.
Camus është një njeri që mendon me kokën e tij dhe, si gjithmonë në këto raste, krijon armiq kudo. Është komunist, por jo stalinist, dhe, pas luftës civile spanjolle, bëhet anarkist. E do Algjerinë e pavarur, por ka frikë se mos futet në orbitën e monarkive islamike, për të cilat mendon se janë përgjegjëse për mjerimin dhe shfrytëzimin e popujve të tyre. Është antinazist i tërbuar dhe merr pjesë në rezistencën franceze, si edhe do të donte një Europë të bashkuar e te federuar, me vende që bashkëpunojnë dhe që nuk bëjnë luftëra midis tyre. Gjatë një udhëtimi në Shtetet e Bashkuara për të mbajtur konferenca në vitin 1946 do të survejohet vazhdimisht nga CIA.
Nga pikëpamja e përmbajtjes, vepra e tij letrare, pavarësisht numrit modest të titujve (kur merr Nobelin ka botuar gjithsesj 4 romane, 7 ese dhe 4 vepra origjinale teatrale, plus 2 përshtatje tetrale të autorëve të tjerë), është monumentale, e pamundur për t’u sintetizuar në pak rrjeshta: Camus është përfaqësuesi më i madh i Ekzistencializmit, poeti i “divorcit midis Njeriut dhe Jetës” dhe i “luftës së përditshme kundër Absurdit”, të cilës do t’i kushtojë faqe të pavdekshme si ato të “Mitit të Sizifit”.
Pas Nobelit deri edhe autoritetet franceze vetëdijësohen se një personalitet si ai ka të drejtën e vlerësimit të duhur dhe Ministri i Kulturës Andrè Malraux (intelektual dhe shkrimtar i nivelit të shkëlqyer) i propozon që të drejtojë “Comèdie Francaise”. Por Camus nuk është shumë mirë, nuk është shëruar kurrë nga tuberkulozi (edhe pse pi duhan si dreqi) dhe impenjimi i duket shumë i rëndë. Kërkon në fakt që të mund të drejtojë një teatër eksperimental. Malraux ia plotëson dëshirën dhe në ditët e fundit të 1959 marrëveshja është gjë e kryer, mungojnë vetëm firmat në letër. Ndërkohë, Camus lë të shoqen Francine në Paris dhe shkon ta kalojë vitin e ri 1960 në Provenza me familjen e botuesit të tij, Michel Gallimard, me të cilin është shumë i lidhur. Më 3 janar pranon edhe që të niset për Paris në makinë me familjen Gallimard (përveç Michel, janë edhe bashkëshortja Janine dhe e bija Anne), pavarësisht se ka prerë biletën e trenit.
Nga Provenza në Paris, uhdëtimi është i gjatë dhe në janar errësohet shpejt. Mbrëmjen e 3 janarit, makina e Gallimard (një Facel Vega FV3B, model shumë i suksesshëm i asaj kohe) ndalet përpara një hoteli luksoz në Thoissey, të quajtur Chapon Fin, ku grupi i vogël përfiton për të festuar 18 vjetorin e Anne.Në mëngjes, pas bërjes së pagesave, nisen. Deri në Paris duhen ende 4 orë udhëtim dhe Gallimard, që ka impenjime pune, ngutet që të arrijë. Rruga është e gjatë dhe nuk ekzistojnë kufizime shpejtësie, Facel Vega nxjerr 140 km/orë.
Jemi rreth orës 10 të 4 janarit kur makina kalon në pjesën vijëdrejtë që kalon Petit-Villeblevin të Borgogna, nja 1 orë larg Parisit. Papritmas, një zhurmë e thatë ndjehet nën dyshemenë e saj, Michel Gallimard që ulëret “Merde!”, makina që anohet frikshëm nga njëra anë, përplasja e fortë me një pemë anës rrugës. Gallimard dhe Camus, të ulur përpara, mbesin të mbërthyer brenda, nga ku do të nxirren më kot nga zjarrfikësit, për të vdekur të dy pak çaste më vonë. Janine dhe Anne, të ulura përpara, prej përplasjes janë flakur tej dhe kanë rënë në mes të arave anës rrugës, marrin shumë plagë, por do të mbijetojnë. Hetimi i vetëm sqaron se aksi i përparmë i makinës është thyer prej bllokimit të një rrote, si pasojë e bllokimit të kësaj të fundit. Rasti arkivohet si një incident i pafat. Dhe i tillë do të mbesë prej gjysmë shekulli.
Le të ndryshojmë krejtësisht skenë. Tani ndodhemi në Pragë, në vitin 2010 dhe është një i ri që po kryen kërkime. Quhet Giovanni Catelli, është nga Cremona dhe, përveçse shkruan tregime, i kushtohet me pasion letërsisë çeke, i së cilës është edhe specialist. Po punon lidhur me ditaret e Jan Zabrana, një poet që ka jetuar nga 1931 deri më 1984. Teksa po shqyrton bllokun e shënimeve të klasifikuar si “Blloku Blu Nr. 91”, has një shënim të çuditshëm, që i përket vitit 1960. Zabrana shkruan se ka mësuar nga burim shumë i besuar se ai në të cilin ka humbur jetën Camus nuk ka qenë një incident normal, por një atentat i kryer në dëm të tij nga agjentë të KGB-së, të cilët kanë vënë dorë në një rrotë të makinës që të shpërthente në eje e sipër, me urdhër të drejtpërdrejtë të Ministrit të Brendshëm të atëhershëm Dimitri Shepilov.
Catelli mbetet pak i dyzuar, por pas disa kontrollesh kupton se ideja nuk mund të ketë dal kot. Camus e ka pasiur gjithmonë me Shepilov: i pajisur me famën e tij, gjatë krizës së Hungarisë të vitit 1956, e ka sulmuar ashpër nga faqet e periodikëve të majtë si “Monde Nouveau” dhe “Franc-Tireur”, duke tronditur ndërgjegjet e mjaft komunistëve francezë të kaluar më pas në pozicione jo më prosovjetike, sesa jo hapur antisovjetike. Kurse në vitin 1958, pas rastit Pasternak (poetit të madh dhe autorit të “Doktor Zhivagos”, të cilit autoritetet sovjetike e penguan që të shkojë në Stikholm për të marrë Nobelin më 1958), Camus ka vazhduar akoma më rëndë, duke u kapur sërish sidomos me Shepilov. Është shumë e mundur që Shepilov ja ka mbajtur vath në vesh.
Në këtë pikë, Catelli dëshiron të shikojë qartë dhe kontakton Maria Zabranovan, vejushën e Zabranas. Kjo e fundit i tregon se ditari i të shoqit ishte aq sekret sa që edhe ajo e ka mësuar ekzistencën e tij në vitin 1984, kur Jan më së fundi ka vendosur që t’ia zbulojë, dy javë para se të ndërronte jetë. Maria Zabranova, ashtu si kineasti Ales Kisil, edhe ky i kontaktuar nga Catelli dhe autor i një dokumetari për jetën e Zabranas, janë dakord mbi faktin se një njeri si ai nuk do ta kishte përcjellë kurrë një thashethem të tillë sa për të shkruar diçka, duhej të ishte i sigurtë për atë që shkruante. Në këtë pikë janë në kontrast me Patrik Ourednik, kuratorin francez e veprave të Zabranas, për të cilin një nënvizim i tillë është jo i besueshëm, aq sa nuk e përfshin në edicionin francez të “Ditarit”.
Maria Zabranova dhe Ales Kisil i japin Catelli edhe një listë emrash nga e cila mund të dalë në dritë emri i atij “burimit të besueshëm” të mundshëm. Janë të gjithë personazhe që duken si të dalë nga një roman i John Le Carrè, intelektual[ që gjatë Luftës së Ftohtë jetojnë në Pragë, por shpesh shkojnë në Moskë dhe shëtisin lirisht, por thuajse me siguri i kalojnë informacione fshehurazi CIA-s, aq është e vërtetë sa që pas rënies së Bashkimit Sovjetik do të shkojnë thuajse të gjithë në Shtetet e Bashkuara apo në Kanada: Jiri Gibian, Jiri Zuzanek, Jiri Barbas, Josef Svorecky dhe shkrimtari rus Vasilij Aksenev. Nga gjithë ky material i mbledhur, Catelli nxjerr një libër, “Camus deve morire”, që ka dalë në vitin 2013. Por historia nuk mbaron këtu.
Po në vitin 2013, teksa po prezanton librin në Milano, në mes të publikut ndodhet avokati Giuliano Spazzali, juristi i bërë i famshëm për duelet e tij në debatimin me Antonio Di Pietro gjatë procesit të Tangentopoli. Spazzali është shumë i interesuar për librin e përmbajtjen e tij dhe i shton një të dhënë tjetër materialit në posedim të Catelli.
Spazzali pohon se një mik i tij, avokati francez Jacques Vergès, i vdekur në vitin 2013, ka theksuar gjithmonë se Camus ishte vrarë nga KGB-ja. Nuk është një gjykim për t’u nënvlerësuar, pasi edhe Vergès është një tip për romanet e Le Carrè. Franko – vietnamez, komunist, për një kohë të gjatë agjent i shërbimeve sekrete kineze, Vergès është juristi që në vitet ’60 mori përsipër mbrojtjen e indipendentistes algjeriane Djamila Bouhired, e dënuar me vdekje për terrorizëm në Francë dhe që i ka shpëtuar togës së pushkatimit prej një fushate të palodhur në favorin e saj të organizuar nga Vergès dhe nga shkrimtari Georges Arnaud. E falur dhe e liruar në vitin 1962, Bouhired do të bëhej më pas gruaja e vetë Vergès, i konvertuar apostafat në islam.
Rindërtimi i Vergès referuar Catelli nga Spazzali i shton gurë të tjera mozaikut të ngjarjes. Agjentët e KGB-së do ta ndiqnin Camus për 3 vite me radhë, duke pritur rastin e përshtatshëm për ta eliminuar. Po shërbimet sekrete franceze?
E dinin, por nuk bënë asgjë për t’i penguar, duke qenë se Camus bezdiste edhe drejtuesit e tyre. Mbi të gjitha, rrëfen Vergès, megjithëse Franca ishte në NATO, raportet midis francezëve dhe sovjetikëve nuk qenë edhe aq të këqija: francezët nuk e kanë parë kurrë me sy të mirë hegjemoninë amerikanë në Europë dhe, për ta, gjithçka që mund të dobësonte pozicionin ndërkombëtar e Shteteve të Bashkuara ishte mirë, përfshi shkëmbimin e favoreve reciproke me Bashkimin Sovjetik, boll që të mos dihej asgjë. Dhe, me këtë, kemi përcjellë gjithçka që dihet deri më tani.
Pyetjet dhe përgjigjet mbesin ato të mëparshmet. Ngjarjet u zhvilluan vërtet kështu? Nuk e dimë. Ngjarjet mund të jenë zhvilluar kështu? Po, fare mirë mund të jenë zhvilluar pikërisht kështu siç i kemi treguar.
(nga Vanilla Magazine)
Përgatiti
ARMIN TIRANA