“Fundi” i pandemisë ndoshta nuk do të vijë ndonjëherë, por vaksinat përfaqësojnë mundësinë tonë për të bashkëjetuar me virusin në këtë fazë tranzicioni. Më pas gjurmimi do të mundësojë të shmangen valë të reja infektimesh.
Gjatë këtyre ditëve dëgjojmë të përsëritet se brenda gushtit apo shtatorit do të mund të arrihet imuniteti i tufës. Ritmi i fushatës së vaksinimit, na thonë, do të rritet javët e ardhshme deri në pikën sa të mund të shpresohet të vaksinohet 80% e italianëve brenda fundit të verës. Megjithatë, javën e kaluar revista shkencore “Nature”, një ndër më prestigjizet në botë, titullon: «Pesë arësye për të cilat imuniteti i tufës ka mundësi të jetë i pamundur për t’u arritur». Imuniteti i tufës arrihet kur numri i njerëzve të infektuar mesatarisht nga një i infektuar është më i ulët ose i barabartë me një. Në këtë rast, virusi vazhdon të qarkullojë, por numri i njerëzve të mundshëm për t’u infektuar nuk është i mjaftueshëm sa ta rrisë sërish epideminë.
Kur arrihet tufa
Pragu i imunitetit të tufës varet në radhë të parë nga numri i riprodhimit të virusit, R0. Për SARS-CoV-2, vlerësimet e para të R0 qenë rreth 3 dhe pragu i imunitetit rreth 60% – 70%. Por R0 më pas është riparë në ngjitje dhe bashkë me të edhe pragu i imunitetit, që sipas disa ekspertëve mund të tejkalojë 80%. Kjo është përqindja e popullsisë që duhet të jetë e imunizuar ndaj virusit, o sepse është infektuar më parë, o sepse është vaksinuar. Duke anashkaluar për momentin pjesën e imunitetit natyror, për të arritur imunitetin e tufës duhet të vaksinojmë midis 60% dhe 80% të popullsisë të popullsisë me një vaksinë efikase në masën 100% për të frenuar transmetimin e virusit. Këtu është problemi i parë, vaksinat që kemi në dispozicion janë tejet efikase në shmangien e infektimeve simptomatike, por studimet klinike nuk e kanë vlerësuar efektin e tyre ndaj infektimeve simptomatike dhe mbi infektueshmërinë. Ndonjë indikacion vjen nga studimet e parë lidhur me çështjen. I fundit është kryer nga CDC amerikane mbi rreth 4000 punonjës shëndetësie dhe ka treguar se vaksinat me mRNA Pfizer e Moderna kanë një efikasitet prej 90% në parandalimin e infektimit, si simptomatik, ashtu edhe asimptomatik, pas 14 ditësh nga doza e dytë. Një njeri që nuk infektohet nuk mund ta transmetojë virusin. Veç kësaj, duket se në rastet e rralla të infektimeve midis njerëzve që kanë marrë vaksinën Pfizer, ngarkesa virale është nga 3 deri 5 herë më e ulët se ajo e jo të vaksinuarve.
Ky është konkluzioni i një studimi të kryer në Izrael dhe i botuar pak tidë më parë në “Nature Medicine”. Ngarkesa virale është një përafrim i mirë i infektueshmërisë: ngarkesë më e vogël virale do të thotë aftësi infektimi më e vogël. Edhe sikur këto rezultate të shkëlqyera të konfirmoheshin dhe konkluzione të ngjashme të vlenin për vaksinat me vektor viral, si AstraZeneca apo Johnson&Johnson, gjithësesi do të duhej ta rrisnim me rreth 10% pragun e imunitetit, që në vlerësimin më optimist do të binte midis 70% dhe 80%.
Rasti italian
Por duhet kujtuar se për momentin vaksinat nuk janë të autorizuara për më të vegjëlit se 18 vjeç, që në Itali përfaqësojnë rreth 16% të popullsisë. Kështu, për të vaksinuar 70% – 80% të italianëve, do të duhet të vaksinojmë 80% – 90% të të rriturve. Një përqindje jo e lehtë për t’u arritur, edhe për shkak të vështirësive të furnizimit dhe të shpërndarjes. Faktikisht, një sondazh i Ipsos Mori ka treguar se, anipse në rritje, përqindja e të rriturve midis 18 dhe 74 vjeçarëve në Itali që dë ta pranonin menjëherë një vaksinë është në masën 85%. Mund të ulet pragu i imunitetit të tufës duke ruajtur disa rregulla të distancimit social: do të ulej kështu numri i riprodhimit të infektimit, por edhe pragu i imunitetit. Kjë është një prej mundësive më konkrete: shfrytëzimi i vaksinave jo për ta zhdukur epideminë, por për ta ngadalsëuar shumë në mënyrë që, nëpërmjet gjurmimit dhe izolimit, të mund t’i menaxhohen vatrat.
Pastaj nuk duhet harruar se pragu i imunitetit të tufës ka edhe një dimension gjeografik, si lokal, ashtu edhe global. Pranimi dhe hezitimi vaksinor përqëndrohen në grupe dhe komunitete. Në vitin 2019 komuniteti hebre ortodoks i Williamsburg në Brooklyn u godit nga një epidemi fruthi për shkak të rezistencës së prindërve për të vaksinuar fëmijët e tyre. I njëjti fenomen është verifikuar në Europë. Pastaj, në nivel global ka pabarazi të mëdha. Izraeli, që ka vaksinuar rreth 50% të popullsisë së tij, rrethohet nga vende si Siria, Jordania dhe Libani që janë shumë më prapa në këtë drejtim. Disa vende afrikane po i fillojnë vetëm tani fushatat e tyre të vaksinimit.
Këtyre pengesave i shtohet edhe fakti se i ashtuquajturi imunitet sterilizues, ai që pengon të transmetohet virusi dhe që duket se vaksinat e sigurojnë, tenton të zhduket me kalimin e kohës. Biologia Jennie Lavine e Emory University të shtetit Atlanta në Shtetet e Bashkuara e ka krahasuar situatën me tentativën për të shmangur përhapjen e një zjarri me lagien e trungjeve të pemëve të një pylli. Përpara se të laget një numër i mjaftueshëm, të parët tashmë do të ishin tharë. Në fakt, duket se antitrupar specifikë ndaj SARS-CoV-2 zvogëlohen mjaft shpejt duke u larguar nga infektimi, siç nënvizohet në një studim të botuar në muajin tetor nga Imperial College i Londrës. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se do të bëheshin të prekshëm si më parë. Në fakt, antitrupat janë vetëm një pjesë e përgjigjes imunitare. Pas infektimit prodhohen edhe qeliza, limfocite B dhe T, në gjendje që t’i kujtojnë sistemit tonë imunitar të prodhojë antitrupat nëse do të duhej ta merrnim sërish virusin dhe të eliminonim qelizat që eventualisht virusi do të arrinte të infektonte.
Kjo pjesë tjetër e përgjigjes imunitare mund të zgjasë më shumë dhe të bënte në mënyrë të tillë që riinfektimet të zgjidheshin me masa më të lehta. Është kjo që sugjeron një kërkim i realizuar në muajin nëntor nga La Jolla Institute of Immunology në shtetin California, që ka teguar se në kompleks përgjigjia imunitare ndaj SARS-CoV-2 nuk ka gjasa të ulet në 6 muajt e parë pas infektimit. Duke ekstrapoluar këtë të dhënë, ekspertët parashikojnë se mund të zgjasë disa vite. Kështu që do të mund të riinfektoheshim përpara 2 apo 3 viteve nga hera e parë, por sëmundja nuk do të ishte e rëndë. Kjo tërësi vëzhgimesh, megjithëse duke qenë ende shumë të paqarta, do të bënin të kuptohej se SARS-CoV-2 ngjan me 4 koronavirusët endemikë e gripit të thjeshtë. Sikur të ishte kështu, do të duhej të hiqnim dorë nga ideja e një “fundi” të pandemisë. Më shumë, do ta shikonin SARS-CoV-2 të transformohej nga një pandemik në virus endemik, domethënë që ruan një prani konstante në popullsi. Në periudhë afatmesme, cilësitë e jetëve tona do të vareshin nga natyra e këtij tranzicioni.
Në revistën “Science”, grupi i koordinuar nga Lavine ka provuar të bëjë skenarë të mundshëm. Sipas shpejtësisë së zbutjes së imunitetit dhe të pranisë ose jo të rregullave të distancimit, do të mund të na duhej nga 2 deri në 20 vjet për ta arritur fazën endemike ku vdekshmëria do të zbriste nën atë të gripit sezonal. Koeficenti i vdekshmërisë do të ulej sepse qarkullimi virusit do të spostohej gradualisht drejt grupmoshave më të ulëta ndaj të cilave është më pak agresiv, duke pranuar se nuk e humb këtë karakteristikë me evoluimin gjenetik. Imuniteti i zhvilluar nga të vegjël të vaksinuar do të mbronte nga format e rënda gjatë moshës së rritur. Në ndërkohë, të rriturit do të mbroheshin me vaksina, eventualisht me apele të përsëritura periodikisht, për t’ju nënshtruar faktit që nuk i ekspozohen SARS-CoV-2 nga fëmijë.
Armët tona
Disponueshmëria e vaksinave jashtëzakonisht efikase në shmangien e formave të rënda të sëmundjes premton të ndryshohet fytyra e krizës në periudhë afatshkurtër. Në Mbretërinë e Bashkuara, zgjedhja për të vaksinuar në mënyrë prioritare të moshuarit dhe dhënë dozën e parë sa më shumë njerëzve që është e mundur, edhe me koston e vonimit të thirrjeve, ka shkaktuar rënien e numrit të viktimave dhe të shtrimeve spitalore në javët e fundit. Evolucioni i genomës mund të shfaqë të panjohura shtesë. SARS-CoV-2 duket se evoluon shumë më ngadalë se virusët e tjerë me RNA, si ai i gripit sezonal. Por kohët e fundit janë shfaqur një seri variantesh më infektuese dhe, duket, më vdekjeprurës, por nuk është ende e qartë nëse janë në gjendje t’i shmangen përgjigjes imunitare natyrale apo vaksinës. Në një koment tek “Nature Reviews Immunology”, epidemiologët Sarah Cobey dhe Marc Lipsitch, kanë nënvizuar sesi vaksinat, edhe pse vetëm pjesërisht efikase, gjithësesi mund të ndihmojnë të ngadalësohet shfaqja e varianteve të reja dhe përshtatshmëria e tyre. “Fundi” ndoshta nuk do të ndodhë, por vaksinat patjetër që përfaqësojnë munëdsinë tonë për të bashkëjetuar sa më mirë të jetë e mundur me virusit në këtë fazë tranzicioni.
(Chiara Sabelli për Domani)
Përgatiti
ARMIN TIRANA