Po vjen armata e Trump: “Shporrini këta banditë”

Partia Demokratike ka marrë dje mbështetjen e Republikanëve, fitues të zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Sekretari i Përgjithshëm i Rinisë së Partisë Republikane në SHBA, Jason Emert, iu bashkua dje çadrës së lirisë, ku shpalli mbështetjen e partisë që ai përfaqëson për kërkesat e opozitës dhe për kreun Basha, duke u shprehur se ai do të jetë kryeministri i vendit.
Jason Emert në mes të entuziazmit të të pranishmëve, u bëri një thirrje të fortë shqiptarëve për të shporruar bandën në pushtet. “Sot jemi në natën e 13-të dhe mbase mund të duhen edhe 300 të tjera, por duhet të qëndroni me këtë Lëvizje, sepse nuk do të ketë kënaqësi më të madhe se sa t’i shporrni këta të inkriminuar dhe banditë dhe të zgjidhni një qeveri të lirë dhe demokratike. Nga një qasje ndërkombëtare, nuk ka zgjidhje tjetër, vetëm një qeveri teknike”, tha Emert.
Deklarata e kreut të të rinjve republikanë vijnë pas një sensibilizimi gjithnjë dhe më të madh në Shtetet e Bashkuara për duart e një qeverie krimi tek zgjedhjet në Shqipëri. Më shumë se 10 senatorë dhe kongresmenë janë tashmë të angazhuar fuqishëm për të bërë të mundur që Shqipëria të ketë zgjedhje të lira dhe me qeveri teknike.
Drejtuesi i të rinjve republikanë, Emert u shpreh se ka udhëtuar nga mijëra kilometra larg vetëm për t’ju bashkuar protestës së opozitës, por dhe për të lajmëruar të gjithë shqiptarët se, Basha do të jetë kryeministri i ardhshëm i këtij vendi. Qasja ndërkombëtare sipas zotit Emert është e qartë, se nuk ka zgjidhje tjetër veç qeverisë teknike. Eshtë vërtet një nder që jam këtu me ju, duke parë se si gjërat ecin në këtë protestë. E di që kjo është një Lëvizje. Kam shumë miq në Shqipëri dhe pasi i kontaktova u thashë që do të vij e të jap mbështetje. Jam i lumtur që solla me vete edhe mot të mirë. Siç e dini, në Washington ka patur ndryshim: Partia Republikane, Presidenti Trump, dhe unë jam i gëzuar për ta thënë këtë; Ne premtuam për ta bërë Amerikën madhështore sërish dhe do të mbështesim miqtë tanë kudo në botë që duan të bëjnë vendin e tyre madhështor. Dua t’u them që ju nuk i meritoni këta, të inkriminuarit. Asnjë vend nuk dëshiron dhe meriton të drejtohet nga krimi i organizuar apo nga banditë”, tha Emert.
Kreu i të rinjve republikanë amerikanë paralajmëroi shqiptarët se ndryshimi dhe beteja me një bandë krimi nuk do të jetë e lehtë dhe se ajo do të kërkojë kohën e vet, por përfundimi do të jetë ai i fitores së një shoqërie të lirë mbi një bandë krimi. “Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në çdo vend demokratik ne mbështesim shtetin ligjor, ne mbështesim zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ne mbështesim të drejtën tuaj për të zgjedhur. A do t’i siguroni këto standarde nga këta?! (të inkriminuarit). Kush do ua sigurojë këto standarde?! Nuk jam këtu vetëm për të mbështetur lëvizjen tuaj për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por jam këtu edhe për të siguruar që zoti Basha do të jetë kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë. Por nuk do t’u gënjej, kjo nuk do të jetë e thjeshtë. Sot jemi në natën e 13-të dhe mbase mund të duhen edhe 300 të tjera, por duhet të qëndroni me këtë Lëvizje, sepse nuk do të ketë kënaqësi më të madhe se sa t’i shporrni këta të inkriminuar dhe banditë dhe të zgjidhni një qeveri të lirë dhe demokratike”, tha Emert.
Kreu i të rinjve republikanë është shprehur se qasja ndërkombëtare është ajo për një qeveri teknike dhe se zgjidhje tjetër nuk do të ketë.  “Nga një qasje ndërkombëtare, nuk ka zgjidhje tjetër, vetëm një qeveri teknike. Sepse çdokush në këtë sallë dhe kudo në Shqipëri e di se sa e rëndësishme është që të mos grabitet vota e tij. Prandaj vazhdoni këtë punë të mirë. Vazhdoni të bëni presion. Duhet ta dini që komuniteti ndërkombëtar është me ju! Ju keni miq kudo anembanë botës, por edhe një mik të madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kërkon të shohë një Shqipëri të begatë, të suksesshme, një Shqipëri të lirë dhe demokratike. Faleminderit që më pritët këtu”, u shpreh Emert.
Emert nuk është i pari nga administrata Trump që jep mbështetje për protestën e opozitës në Shqipëri. Protestës së saj i janë bashkuar dhe senatorë apo kongresmenë të këtij vendi. Vetëm para disa ditësh kreu i PD, Basha, shpalli lëvizjen MAGA (Make Albania Great Again), një lëvizje që do të mbështetet nga senatorë dhe kongresmenë republikanë të përtej Adriatikut. Senatorët Roger Wicker; kryetar i Komisionit të Helsinkit në Kongres, Senatori Lamar Alexander, Kongresmeni Steve King, Trent Kelly, Richard Hudson dhe Robert Aderholt u angazhuan që zëri i opozitës të dëgjohet dhe debatohet jo vetëm në Kongres, por edhe në të gjitha nivelet e administratës së Presidentit Trump. Jason Emert ishte një tjetër personalitet i lartë i republikanëve atje, por nuk është dhe nuk do të jetë i fundit.

Basha: Republika e krimit po vdes

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi në mbrëmjen e 13 të protestës qytetare, se Republika e krimit po vdes dhe se fitorja do të jetë e opozitës dhe shqiptarëve të bashkuar në protestë. Ai deklaroi se protesta ndërkombëtare nuk ka qenë kurrë më e madhe për një kauzë si ajo e zgjedhjeve të lira dhe luftës ndaj krimit të ngritur në institucion.
“Arsyeja është ajo që këto ditë e kemi quajtur demokracia fasadë, Parlamenti, qeveria, drejtësia fasadë dhe sot kemi rastin t’i shohim, këtu, prej kartoni, se çfarë ka prapa kësaj fasade. Prapa fasadës së republikës së vjetër që po vdes janë kokat e krimit dhe drogës që bashkëqeverisin me Edi Ramën dhe me këtë qeveri të inkriminuar. Kjo është arsyeja se pse Shqipëria u mbulua si asnjëherë me drogë, pse ekonomia shqiptare sot nuk prodhon më përveç drogës dhe shërbimeve të lidhura me të, pse shteti në shërbim të qytetarit ka pushuar së ekzistuari dhe kemi një shtet në shërbim të krimit dhe bandave të pushtetit. Kjo është arsyeja dhe kërcënimi real dhe i vërtetë për zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Politikanët e korruptuar dhe kriminelët po bëhen gati të vjedhin zgjedhjet e shqiptarëve, siç paralajmëroi para disa javësh një diplomat i rëndësishëm në Tiranë”, u shpreh Basha. Një thirrje zoti Basha ia drejtoi kryeministrit Rama, referuar incidentit të paradites në tendën e protestuesve. “Edi Rama hiq dorë nga përçarja, distancohu nga thirrja e provokatores tënde në këtë çadër, distancohu ose mbaj përgjegjësi para shqiptarëve si përçarës i kombit! Shqiptarët nuk ta falin! Streha e fundit e krimit, streha e fundit e maskarallëkut është patriotizmi i rremë, por po kështu paska edhe një strehë tjetër kur i fryn përçarjes kombëtare sepse nuk ke kurajon të ballafaqohesh me qytetarët e bashkuar shqiptarë që kërkojnë zgjedhje të lira e të ndershme pëmes largimit të kësaj qeverie, sepse kjo është fytyra e vërtetë e qeverisjes së Edi Ramës”, tha ai.

Exit mobile version