Po vjen lufta e superfuqive?

Dmitri Trenin

Respekti thuajse është zhdukur, gjë që duhet t’i lërë pa gjumë njerëzit në Moskë dhe në Uashington
Sikur që ka thënë Boris Johnson, sekretari i Jashtëm britanik, Rusia rrezikon që të bëhet shtet keqbërës.
Shkelja e fundme e armëpushimit ruso-amerikan në Siri, nuk është hera e parë që dështojnë përpjekjet paqësore të Moskës dhe Uashingtonit. Por, kësaj here ka diçka që është ndryshe. Në shkurt dhe mars, dështimi i armëpushimit erdhi si pasojë e veprimit të fraksioneve siriane. Rusia dhe SHBA-ja vazhdonin që ta ofronin një shpresë se mund t’i zgjidhnin gjërat së bashku. Por, jo më! Dështimi aktual erdhi si pasojë e bombardimit të forcave qeveritare siriane në Deir Ezzor, gjë që SHBA-ja e vlerësoi si gabim; si dhe për shkak të sulmit të një konvoji humanitar në Alepo, për çka amerikanët fajin ua lanë rusëve. Në vend të përmbajtjes, situata u përkeqësua nga mbështetja ruse ndaj forcave të Assadit në ofensivën e tyre në Alepo, si dhe nga vlerësimi nga SHBA-ja dhe aleatët e saj i këtyre veprimeve si “krime të luftës”. Si reagim ndaj kritikës amerikane, Vladimir Putin, President i Rusisë, suspendoi marrëveshjen e vitit 2000 me SHBA-në rreth përdorimit të plutoniumit. Në vetvete, çështja e plutoniumit është relativisht e vogël dhe shqetësimet e Moskës nuk janë të reja. Ajo që ka rëndësi është se, dështimi i asaj marrëveshjeje ngushton edhe më tej bazën për një kontroll amerikano-rus të armëve bërthamore.

Siria mund të shndërrohet në një fushëbetejë midis këtyre dy fuqive
Putini ka zgjedhur vënien e theksit te çështja e armëve bërthamore, meqë e di se kjo është një çështje që nuk mund të injorohet. Ai ia ka shtuar kësaj një listë të çështjeve, të cilat Moska i sheh si pengesë për marrëdhënie normale me Uashingtonin, duke filluar nga zgjerimi i NATO-s në Evropën Qendrore dhe Lindore, e deri te sanksionet ekonomike të vendosura sipas Aktit Magnitsky, të votuara në Kongresin Amerikan në vitin 2012. Zor se mund të ketë ndokush në Kremlin që me të vërtetë beson se këto pengesa mund të largohen në një të ardhme të afërt. Në vend të kësaj, këto çështje janë përmendur me qëllim të kundërshtimit të kërkesave amerikane ndaj Rusisë në lidhje me Ukrainën dhe Krimenë. Të paktën në aspektin retorik, kjo dmth barazim. Në ndërkohë, në Siri situata është bërë edhe më e keqe. Përfundimi i përpjekjeve paqësore amerikano-ruse ka trimëruar ato forca që angazhohen për një zgjidhje ushtarake. Ushtria ruse me gjasë është duke llogaritur se administrata amerikane, në largim e sipër, nuk do të rrezikojë që ta fillojë një luftë kundër Damaskut gjatë mandatit të mbetur të Obama-s. Kështu, mposhtja e rebelëve dhe asaj që ishte Jabhat al-Nusra, ish-franshiza e Al- Kaidës në Alepo, është e mundshme dhe, përpos kësaj edhe një kthesë vendimtare të luftës së Sirisë. Ky bixhoz mund të sjellë fitime, apo humbje. Nëse forcat rebele e marrin aftësinë e rrëzimit të avionëve rusë, situata atëherë mund të ndryshojë, sikur që ndodhi në Afganistan gjatë viteve 1980. Gjatë pjesës më të madhe të vitit aktual, Siria ishte vend i bashkëpunimit ruso-amerikan, por kjo lehtësisht mund të shndërrohet në një fushëbetejë midis këtyre dy fuqive. Kjo është një perspektivë tepër shqetësuese, e cila duhet që t’i mbajw pa gjumë njerëzit si në Uashington, po ashtu edhe në Moskë. Por, marrëdhëniet e reja tepër asimetrike midis dy fuqive lënë pak vend, apo aspak për respekt të ndërsjellë.

Putini si Milosheviçi
“Rusia e Putinit” gjithnjë e më tepër është duke u trajtuar në mediat perëndimore sikur që ishin trajtuar kundërshtarët e vjetër të Amerikës, duke filluar nga Jugosllavia e Slobodan Milosheviçit, e deri te Iraku i Saddam Husseinit apo Libia e Muammer Gaddafit. Sikur ka thënë Boris Johnson, sekretari i Jashtëm britanik, Rusia rrezikon që të bëhet shtet keqbërës. Në ndërkohë, në Evropën Lindore ka nxitje të luftës së amerikanëve kundër rusëve, duke llogaritur në një fitore të sigurt. Në kohët e tilla të paqëndrueshme, më së miri është të ruhet qetësia dhe mendjeçiltërsia. Gjatë muajve të fundit të Obamas në detyrë nuk mund të presim ndonjë bashkëpunim amerikan-rus në Siri, apo në ndonjë çështje tjetër të rëndësishme. Presidenti amerikan ia ka borxh vetes që të përkujdeset që një përplasje amerikane-ruse të mos ndodhë para syve të tij. Dhe, Putini duhet t’i përmbahet përkushtimit të tij se do të evitojë shndërrimin e Sirisë në një Afganistan të ri për Rusinë.
Establishmentet mbrojtëse të SHBA-së dhe Rusisë, përkundër tërë sinqeritetit të urrejtjes së tyre të dyanshme, duhet t’iu përmbahen rregullave strikte të zvogëlimit të incidenteve midis forcave të tyre ajrore që operojnë në Siri, e që tani edhe zyrtarisht janë në anë të kundërta. Fatkeqësisht, lufta civile në Siri do të vazhdojë me të njëjtin intensitet. Deri më tani, amerikanët dhe rusët janë treguar të paaftë për t’i dhënë fund kësaj lufte. Por, nëse nuk përjetojnë ndonjë skandal gjatë javëve dhe muajve në vijim, ato mund ta shohin veten bashkë në dhomën e negociatave, në një moment të caktuar. Moska dhe Uashingtoni nuk munden si të vetme të bëjnë paqe në Siri, por arritja e një marrëveshjeje paqësore është e pamundur pa to.

Artikulli paraprakLoja e rrezikshme e Theresa May me emigrantët
Artikulli tjetërPërvoja e trishtuar kur sëmuren presidentët