Po vjen njeriu me bisht

Bledi KASMI

Ultimatumi i djeshëm i Ramës në drejtim të drejtorëve të hipotekave për dhënien e dorëheqjes të gjithë në bllok brenda 24 orëve, përtej pozave qesharake të liderit suprem që u shfaq i vrenjtur nga hallet e popullit që nuk i hipotekon dot në bankën e gruas, ka edhe një dimension tjetër.
Me pozat e një deliranti po shfaqet si shpëtimtari i vendit që po lufton korrupsionin, edhe pse simboli më i qartë i krimit në hipotekë, do të jetë nga shtatori deputeti i tij i Durrësit, që i merrte vendimet tek klubi i lagjes nën shoqërinë e Shullazit.
Me komplekset e inferioritetit të diktuara nga dështimet në qeverisje, Rama po kërkon të përçojë tani një mesazh tjetër në fillim të mandatit të dytë të pushtetit me vota të blera, sipas të cilit pushteti fillon dhe mbaron tek ai.
Në mënyrë qesharake po kërkon të ngrejë kultin e individit sipas të cilit nuk ka asnjë institucion tjetër që ekziston në këtë vend dhe që mund të veprojë brenda kornizave ligjore dhe kushtetuese përveç institucionit të tij personal. Ai është edhe ligji edhe Kushtetuta. Edhe dielli edhe hëna.
Po kërkon të lindë Republikën e Deleve për t’i ushqyer ata me barin e propagandës së tij. Vetëm delet mund të besojnë se ndëshkimi për gabimet mund të jetë sërish kolektiv sikurse ishte përgjatë gjysëm shekulli diktaturë. Mes atyre drejtuesve të hipotekave mund të jenë të gjithë hajdutë e banditë, por asnjë shkarkim nuk mund të vijë përmes një akuze kolektive.
Po çfarë do të ndodhë pas atij spektakli të rëndomtë të një njeriu që shfaqej i përvuajtur nga meraku për popullin që e do aq shumë sa çmimin e ujit ja bën më të shtrenjtë se çmimin e qumështit?
Qyfyrja tjetër do të jetë sot. Lajmi i ditës sot do të jetë vazhdimi i asaj që ndodhi dje në Kryeministri. Mediat e kapura me pompozitet do të hapin titujt e mëdhenj me nota ekzaltimi se të gjitha delet kanë ikur, pra kanë dhënë dorëheqjen nga hipotekat në mënyrë të rrufeshme pa pyetur për damkën e vendosur në trupin e tyre. A do të ketë ndonjë dele që nuk do të ikë? Harrojeni se mund të gjeni të tillë sot në këtë pushtet-shtet.
Kështu nis rënia e njeriut të lirë dhe lindja e njeriut me bisht. Në fillim i hiqet e drejta e votës. Vota i blihet. Më pas i hiqet e drejta për të kundërshtuar, sepse nuk ka ku të kundërshtojë në një vend ku shteti personifikohet me individin. Pastaj vijnë tam tamet e mediave të pushtetit që i thurin lavde udhëheqësit që lufton të keqen. Dhe në fund, i duhet të bëjë gjithçka për të pasur dorë të lirë që të hapë dyert e burgjeve për të gjithë, për dikë më parë dhe dikë më vonë, me direktiva përmes gjyqeve publike si ai i djeshmi.
Natyrisht, populli i konsideruar dele ngazëllohet nga të tilla shfaqje. Kështu ka qenë historikisht. Kujtoni nga betejat e gladiatorëve e deri tek tërheqjet zvarrë të kufomave të diktaturës në rrugët e qyteteve. Po kërkohet të injektohet frika tek populli, i cili duhet të kuptojë se ose duhet të qëndrojë i bindur ndaj udhëheqësit ose në të kundërt duhet të presë ndëshkimin përmes linçimit publik.
Kjo ishte ëndrra e një nate vere të Kryeministrit që e shfaqi dje. Se çfarë do të ndodhë sot askush nuk e di. Endrrat e udhëheqësit janë zakonisht me armiq të brendshëm. Sot do të keni një armik të ri për ta linçuar publikisht. Mos hezitoni, bindjuni deri në përulësi liderit suprem derisa t’u vijë ju rradha.

Artikulli paraprakNipat e Gramoz Ruçit bëjnë kontrabandë me celularët
Artikulli tjetërNapoli s’heq dorë nga Rashica