Po Xhafa a duhet të hetohet për deklaratat kontradiktore për kokainën?

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj i kërkoi Prokurorisë së Krimeve të Rënda të marrë në pyetje kryetarin e PD-së, Basha dhe ish-kryeministrin Berisha, për shkak të akuzave publike që ata kanë bërë për ngarkesën e kapur të kokainës në Maminas.
Në shkelje të hapur të çdo lloj ligji dhe standardi për pavarësinë e Prokurorisë dhe të drejtësisë nga ekzekutivi, Fatmir Xhafaj i ka shkruar sot një letër zyrtare Prokurorisë së Krimeve të Rënda vetëm për t’i përcjellë këtë kërkesë.
Kërkesa ka frymë urdhërore dhe është e mbushur me opinione apo mendime personale të ministrit Xhafaj, të cilat tejkalojnë përgjegjësitë e tij zyrtare, dhe ndërhyjnë në përgjegjësinë e Prokurorisë për drejtimin e hetimeve penale. Mbi të gjitha Xhafaj, në letër, ushtron trysni mbi Prokurorinë, duke e kërcënuar atë dhe duke thënë se zbatimi i kërkesës së Xhafajt është përgjegjësi ligjore e Prokurorisë.
Ndër të tjera, ministri Xhafaj shkruan:
Çmoj se ka interes të ligjshëm publik dhe posaçërisht për hetimin që është duke u kryer që, nga ana e institucionit që ju drejtoni, të thirren këta persona dhe të deklarojnë përpara Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në zbatim të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, faktet për të cilat kanë dijeni dhe provat, që ata zotërojnë për klanet kriminale të trafikut të drogës, përfshi edhe rastin e fundit të sekuestrimit të 613 kilogram kokainë.

Nga këto deklarime publike bie veçanërisht në sy fakti se nga zoti Sali Berisha dhe zoti Lulzim Basha pretendohet qartë që ata kanë dijeni për fakte konkrete lidhur me klanet e trafikut të drogës në Shqipëri. Po sipas këtyre deklarimeve publike, rezulton se të dy këta persona kanë veçanërisht dijeni mbi poseduesit dhe përfituesit e sasisë prej 613 kilogram kokainë të sekuestruar së fundmi në Portin e Durrësit.
Kërkesa e Xhafajt, përveçse ndërhyrje, në pavarësinë e Prokurorisë, ka prapavijë të qartë politike. Nëse shqetësimi i tij do të ishte apolitik, ai duhet të kishte mbajtur të njëjtin qëndrim dhe të njëjtat standarde në çdo rast të ngjashëm të Bashës, Berishës dhe çdo kujt tjetër që ka artikuluar akuza publike.
Në këtë kuptim, Fatmir Xhafaj duhet të pyetet për qëndrimin e tij për shumë raste dhe persona që kanë bërë akuza publike. Si fillim ai mund të pyetet për sa më poshtë:
– Vetë Zoti Xhafaj a nuk duhet të thirret dhe dëshmojë në Prokurori pse bëri deklarata kontradiktore në lidhje me kapjen e drogës?Përse gënjeu ministri Xhafaj në deklaratën e tij të dytë publike, duke qenë se ka të dhëna që policia shqiptare pati informacionin dhe ndihmën e partnerëve të huaj në operacion?

– Pse Policia nuk e arrestoi dhe e lejoi të largohej nga Shqipëria pronarin e kompanisë që kishte porositur ngarkesën edhe pse kishte informacion paraprak për ngarkesën në emër të tij?
– A i ka kërkuar zoti Xhafaj informacion Ambasadorit amerikan Donald Lu në lidhje me 21 klanet dhe 4 familjet mafioze që ambasadori ka përmendur në publik se ekzistojnë në Shqipëri? Nëse po çfarë ka bërë për arrestimin e tyre?
– A i ka kërkuar zoti Xhafaj Prokurorisë të thërrasë Bashën dhe Berishën për të dhënë sqarime në lidhje me akuzat e tyre për Agron Xhafajn, për të cilin ata pretendojnë se kanë prova që është trafikant ndërkombëtar kokaine i dënuar në Itali?
– A i ka kërkuar zoti Xhafaj Prokurorisë të thërrasë Bashën dhe Berishën për akuzat e tyre ndaj Vangjush Dakos dhe Damian Gjiknurit, duke qenë se ata pretendojnë që kanë dijeni për regjistrime telefonike të tyre, ku bëjnë konspiracion me kriminelë për vjedhje votash?
– A i ka kërkuar zoti Xhafaj Prokurorisë të thërrasë Bashën për akuzat për lidhje të kompanisë ruse Gavnurin dhe Jurimeks me Edi Ramën dhe Damian Gjiknurin?
– A i ka kërkuar zoti Xhafaj Prokurorisë të thërrasë edhe Taulant Ballën për çështjen e financimit rus, pasi Balla bën përditë deklarime publike që ka informacion për financim rus të PD-së?

Exit mobile version