6 fitore radhazi, vendi i dytë në tabelën e klasifikimit dhe vetëm 7 pikë është diferenca me Chelsea-in kryesues, është Tottenham Hotspur, skuadra e momentit në Premier Leaguen angleze. Skuadra londineze sfidon këtë fundjavë Manchester City-it në “Etihad Stadium” në atë që konsiderohet edhe si treni i fundit i Citiziens në garën për titull. Pep Guardiola është duke përjetuar një nga momentet më të këqija të karrierës së tij si trajner dhe nga ky fakt kërkon të përfitojë Mauricio Pochettino. Numri 1 i stolit të Tottenhamit edhe pse e di që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë shpreson te një tjetër triumf ndaj City-it të Guardiolës, siç ndodhi në fazën e parë në White Hart Lane.
“Nuk mendoj se në këtë moment të sezonit ka ndonjë rëndësi të madhe diferenca e pikëve që kemi në klasifikim. Gjëja më e rëndësishme për mua aktualisht është të kuptoj se skuadra ime është përmirësuar dhe të mos përsërisim më të njëjtat gabime si sezonin e kaluar. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por edhe pse më duhet ta pranoj që kur luan ndaj një skuadre si Manchester City të gjithë lojtarët dëshirojnë të japin më të mirën e tyre për të ndihmuar skuadrën të marrë tre pikët”, u shpreh Pochettino.
Më pas, Mauricio Pochettino vlerësoi Pep Guardiolën, duke e cilësuar spanjollin si një nga trajnerët më të mirë në qarkullim, pavarësisht se me Manchester City gjërat nuk po i shkojnë shumë mirë. “Sipas opinionit tim, Guardiola është një nga trajnerët më të mirë në botë. Ajo që po i ndodh është normale, sepse futbolli anglez është i vështirë dhe kur merr drejtimin e një klubi të ri të duhet pak kohë për t’i dhënë skuadrës një tjetër dimension. Por unë mendoj se Pep po bën mirë. City është ende në pozita komode dhe skuadra mund të përmirësohet me kalimin e javëve”, përfundoi ai.