Kreu i PD, Lulzim Basha, ka vijuar këtë të diel Podcastin e radhës me pedagogun Marsid Gupi dhe gazetarin Ermal Peçi.
Në një rrëfim për jetën në fillimet e demokracisë, Basha ka folur për herë të parë për shkuarjen e tij në Hollandë dhe arsyet se pse zgjodhi të studionte për juridik.
Më poshtë pjesë nga intervista e Bashës:
Gjenerata ime është që gjimnazi, viti i tret i gjimnazit na zuri me ndryshimet politike në Shqipëri. Dhe gjatë regjimit, shumica e njerëzve, përfshirë dhe mua dhe familjen time, e kishim të kufizuar se çfarë mund të planifikonim. Së pari, megjithëse unë isha një nxënës i shkëlqyer, me të gjitha 10-ta, nuk ishte e mirëqen që do të më jepej shkolla e lartë. Shkollën e lartë e kontrollonte partia. Dhe po të të jepnin shkollën e lartë, e vendosnin ata se ku do të shkoja. Dhe kjo është diçka jo për ta thënë vetëm si anekdotë, por për ta kuptuar rinia se çfarë është liria. Nuk kishte liri për të zgjedhur në komunizëm. E para e punës shanset ishin në qoftë se të gjenin si me thënë një cent në biografi, apo dhe të shpiknin që të eleminonin ty, sepse numri i atyre që shkonin në shkollë të lartë ishte i kufizuar. Duhej t’i bëje planet me çfarë mund të të priste. Dëshira ishte diçka tjetër. Dalëngadalë kisha kultivuar, pavarësisht se kisha interes të madh tek historia, tek diplomacia, tek letërsia, duhej të planifikoje diçka që ishte më e mundshme të ndodhte. Dalëngadalë kultivova dhe një interes tek mjekësia. Vështirësi e madhe për t’u futur në mjekësi, por nuk mund të mendoja të shkoja në juridik. Atëherë fakulteti juridik quhej, Fakulteti i Shkencave Juridike dhe Politike dhe ishte i rezervuar për nomeklaturën. Pra, ishin bijtë dhe bijat e bllokut, të nomeklaturës së lartë. Të shkoje aty, përfundoje prokuror, hetues, gjyqtar, ose një pjesë e vogël që i çonin në ministri të jashtme diplomatë.
Pastaj ndodhën ndryshimet politike dhe për shkak të rrethanave na u dhanë 2 mundësi ne studentëve më të mirë të gjimnazit “Sami Frashëri”. Të shkonim me studime të plota në universitetin e sapo themeluar amerikan në Sofie, apo të shkonim një vit Exchange, program shkëmbimi në Universitetin e Utrektit në Hollandë. Unë natyrisht zgjodha të shkoj në perëndim dhe jo në një universitet të sapo themeluar nga perëndimi në Lindje, madje më në lindje se Shqipëria, në Bullgari. Dhe kur shkova atje kisha interesin për të studiuar shkencat politike. Pyeta aty, a ka shkenca politike dhe më thanë s’ka shkenca politike. Në fakt shkencat politike ishin një department brenda Fakultetit të Humaniteteve. Ekzistonin shkencat politike, mirëpo më thanë s’ka shkenca politike, çfarë do të studiosh, juridik i thash, e drejta ndërkombëtare, kështu përfundova.