Edison YPI
Vdiq Poeti Piro Kuqi.
Nga uria?
Jo nga uria. Nga uria vdesin fukarenjtë. Njëqind dollarët në muaj që i jepte shteti, Piros i mjaftonin e i tepronin për të ngrënë e për të pirë.
Nga të ftohtit?
As nga të ftohtit. Shpella prej tullash kartonash, dërrasash e rraqesh, ku jetonte Piro, e fuste erën dhe shiun nga katërqind të çara. Por Piro i mbledhur me lecka nuk mund të mbërdhifte se Piro ngrohej, duke u dridhur nga bukuria e vargjeve që thurte. Për shembull ato vargjet që shkroi atë natë dimri, kur një gjethe e ardhur prej kurrkundit i fëshfëriste nën derë; “Ik moj fletë nëpër natë, ikë mos më rri tek dera, se dimri ishte aq i gjatë, sa frikë po kam dhe nga pranvera”.
Piro Kuqi nuk vdiq as nuk lindi.
Piro Kuqi erdhi natën, shtyu portën, kaloi nëpër kalldrëmin e oborrit, ndali nën dritën e verandës, e pa orgjinë që bëhej brenda, u skuq, u zverdh, u zbardh, u nxi, u lemerit, dhe iku.
Kush ishte Piro Kuqi?
Është më lehtë të përgjigjesh kush ishte Jezu Krishti se kush ishte Piro Kuqi.
Piro Kuqi ishte një kujnajë njerëzore përsosmërisht e mbyllur dhe e mbytur, që mund të krahasohet me brimat e zeza të universit, ekzistenca e të cilave nuk mund të konstatohet drejtpërdrejt, por vetëm tërthorazi përmes efekteve.
Piro Kuqi erdhi në jetë jo për t’u dukur, por për t’u zhdukur.
Prezenca e Tij ishte mungesa e Tij.
Vdekëtarët banalë lodhen të bien në sy me prezencë. Piro Kuqi ishte nga fort të rrallët, të cilët mbi qiellin e zi të botës sonë vijnë e ikin si kometat për të sfiduar rregullin në dukje të pandryshueshëm të rënies në sy me prezencë. Piro Kuqi ia arriti të bëhet i pavdekshëm, jo përmes prezencës, por përmes mungesës. Piro Kuqi ishte trupëzimi i dhënies së shembullit me anë të heshtjes, tërheqjes, mbylljes në vetvete, arratisjes në abiset labirintike të trishtimit meditues.
Skllav i përulur i fjalës së bukur, Piro Kuqi i pamposhtshëm, na la shembullin e rrallë të poetit, i cili për hir të artit, poezisë, njerëzillëkut, refuzoi çdo kompromis me materialitetin deri në kufijtë e absurdit. Disa vite burg politik që bëri ishin kurrgjë krahasuar me më pas ç’hoqi. Piro Kuqi, me vetëdije të plotë, rehatitë e botës i këmbeu me llaftaritë e Ferrit të Artit.
Një strehë më të rehatshme dhe disa orendi Piros mund t’ja jepte kushdo. S’ishte ky problemi. Problemi, dhe zgjidhja e problemit, çudia dhe fati, mrekullia dhe shenjtëria, është se Piro qe’ refuzues i materialitetit deri në vetëflijim. Nuk e refuzoi Jeta Piro Kuqin. Piro Kuqi refuzoi jetën.
Pothuaj as frymë nuk merrte. Nuk fliste që të mos u jepte rast të shpifnin. Nuk udhëtonte që të mos i thoshin si e qysh këtu e këtje. Nuk simpatizoi ndonjë parti, që të mos e shurdhonin. Nuk bleu, nuk shiti, nuk këmbeu, madje as nuk hëngri që të mos i thoshin bëre thërrime.
I pangjashëm me asnjë dhe me asgjë, Piro Kuqi jetoi kohën e tij. Jo këtë që njohim ne. Një tjetër kohë, e cila ishte e gjitha e tija. Jetoi kohën kur kompjuteri dhe interneti ose donin shekuj të shpikeshin, ose kishin shekuj që ishin zhdukur.
A ishte i ndjeshëm Piro Kuqi?
Sa s’thuhet, sa s’rrëfehet, sa s’shkruhet, sa s’shikohet, sa s’dëgjohet, sa s’ulëritet, sa s’dihet, sa s’njihet, sa s’këndohet, sa s’filmohet, sa s’gdhëndet, sa s’besohet, sa s’kuptohet.
Përbindëshi i Shenjtë i ndjeshmërisë së pafundme nuk u martua kurrë.
Ndonjë e ndjeshme e vonuar mund të habitet e të thotë; Më rëntë pika si s’e paskam njohur.
Përgjigjet Piro nga varri,
Kjo femër që më njohu
Tani që kam vdekur
Më kujton një tjetër
Që dot s’e pata gjetur.