“Poezia u step pas ‘90-ës”, Sadik Bejko: Një monografi e munguar për letërsinë e poezinë shqipe

Profesori i Letërsisë Sadik Bejko e ka cilësuar veprën e Bardhosh Gaçes, “Letërsia bashkëkohore shqipe. Poezia”, si një studim me vlera të shumëfishta për kulturën, letërsinë, për lexuesin e poezisë dhe publikun në tërësinë e tij.

Sipas tij poezia ka qenë për një kohë të gjatë dhe vazhdon të mbetet një lloj letrar i rëndësishëm i prodhimit kulturor në botën shqiptare.

Postimi i plotë:

Një monografi e munguar dhe e mirëpritur nga Prof. Bardhosh Gaçe
(“Letërsia bashkëkohore shqipe. Poezia”. Botoi Maluka, Tiranë, 2023, 540 fq.)
1.
Monografia e gjerë e Prof. Bardhosh Gaçes me titull “Letërsia bashkëkohore shqipe. Poezia”, Tiranë 2023, sjell një studim me vlera të shumëfishta për kulturën, letërsinë, për lexuesin e poezisë dhe publikun në tërësinë e tij. Poezia ka qenë për një kohë të gjatë dhe vazhdon të mbetet një lloj letrar i rëndësishëm i prodhimit kulturor në botën shqiptare. Sado që në vitet e dekadat e fundit proza mori vrull dhe pati prurje shumë të vlerësuara, poezia e vazhdoi rrugën e saj, duke u zhvilluar në përputhje me shijet, me ngarkesat mendore e emotive që kërkonin kohërat.
Mbas viteve ’90, me rënien e sistemit totalitar, poezia nuk e step energjinë e saj, madje u ripërtëri në dy-tri drejtime a aspekte të panjohura më parë poetët e viteve ’60 si: Arapi, Agolli, Haliti, Spahiu, Zeqo njohën një “rini” letrare në stil, në tematikë, në ndjeshmëri sa siç konkludohet në këtë monografi, pjesa më e rëndësishme më e qëndrueshmja e fondit të trashëgimisë së tyre i takon veprës së shkruar mbas vitit 1990. Së dyti, poezia u pasurua me krijimtarinë e mbajtur në sirtar, me poezinë që vinte nga burgjet a nga diaspora, me poezinë e atyre autorëve që për motive politike ishin të mënjanuar nga botimi i veprave dhe nga përfshirja e krijimtarisë së tyre në shqyrtimet vlerësuese, në studimet letrare zyrtare. Së treti, poezia gjithashtu u pasurua me ardhjen e brezit të poetëve që morën udhë për së pari pas viteve ’90; tani këta autorë kanë bërë emër dhe meritojnë vend të nderuar në prodhimin letrar kombëtar.
Si prurje këto “lëvizje të brendshme” poezia më së shumti i pati në prodhimin poetik që u shkrua brenda kufijve të shtetit shqiptar, …jo aq në arealet e tjera ku shkruhet e botohet letërsi shqipe. E tërë kjo krijimtari, si pasuri kombëtare është shprehje e energjisë krijuese të gjuhës dhe të gjenisë vetjake të një vendi në rrugëtimin e tij historik, jo vetëm si zhvillim e ndryshim social politik, ekonomik por edhe shpirtëror. Këtë pasuri, në shtrirjet tematike, kohore, në vizatimin e individualiteteve krijuese, në tablonë e saj të gjerë e të pasur, ka marrë në shqyrtim në monografinë e tij prof. Bardhosh Gaçe. Është një punë prej studiuesi dhe është përballur me probleme jo të pakta.
2.
Monografia mbi poezinë bashkëkohore shqipe mbërthen një periudhë kohore 80-vjeçare. Fillon me poetin Mitrush Kuteli me librin “Sulm dhe lot”, 1944 dhe përfundon me poezinë e Arian Lekës dhe të Dhimitër Pojanakut. Vështrimet shtrihen në dy trevat kryesore të arealit shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë. Letërsisë arbëreshe i jep pak vend nga që autori ka një monografi të veçantë mbi poezinë arbëreshe bashkëkohore. Janë marrë në shqyrtim rreth 55 poetë, duke synuar evidencimin e profileve origjinale, zbulimin e tipareve individuale të prurjeve të këtyre autorëve. Punimi ndahet në disa pjesë. Secila prej tyre është paraprirë nga një hyrje paraqitëse.
Pjesa e parë që është dhe më e gjera rrok poezinë e poetëve të Shqipërisë e të Kosovës që poezinë bashkëkohore shqiptare e nisën gati “nga e para”, për nga tiparet stilistike e tematike. Në këtë pjesë poetët e trevës së Shqipërisë dhe ata të trevës së Kosovës janë trajtuar së bashku në një renditje sipas datëlindjes së autorëve. Janë 33 poetë nga Mitrush Kuteli e Martin Camaj e deri te Skënder Buçpapaj e Hamit Alia. Nga Kosova fillohet me Esad Mekulin, Din Mehmetin, Enver Gjergjekun e deri te Ali Podrimja. Në vështrimet mbi autorët nga Kosova B. Gaçe ka vërejtur përmasën përmbajtjesore tematike kombëtare të trajtuar me patos dhe frymë moderne nga gjithë këta autorë. Këtu ia vlen të ndalemi në një tipar përgjithësues të gjithë vështrimeve mbi autorët nga studiuesi Bardhosh Gaçe. Arrin në analiza të përqendruara të temave të quajtura me rëndësi si ato në mbrojtjen dhe afirmim të identitetin kombëtar, të historisë, të mbijetesës, por po aq thellohet në tipare të holla të stilit e të formës artistike. Studiuesi Gaçe ndalet në poezi e poema të veçanta që japin tiparet e imta dhe krejt origjinale të poetëve; te Kadareja ndalet në Laokonti, te S. Mato ndalet te poema për nënat…
Kjo është nga pjesët më të rëndësishme të kësaj monografie. Jepen profilet e poetëve më në zë të epokës, si: Kuteli, Kadare, Camaj, Arapi, por dhe Faslli Haliti, Koçi Petriti, Qiriazi, Mato e deri te Hamit Aliaj. Kjo ka qenë epoka e prurjeve “nga e para” edhe në traditën poetike të Kosovës. Krahas profileve poetike të Shkrelit, Din Mehmetit, Dedajt etj. veçohen si më të realizuarat analizat e hollësishme mbi poezinë e Esad Mekuli, sidomos vështrimet e thukëta mbi “bardin” modern të Kosovës, Ali Podrimjen. Vënia e analizave të poetëve në krah të njëri-tjetrit, parë nga një perspektivë kohore e së sotmes, nxjerr në pah dhe më shumë nga ç’thotë autori veçori e tipare që i shkojnë në veçantinë e tyre fondit themelor të vyer të një trashëgimie poetike të papërsëritshme.
Më tej, në një nënndarje të kësaj monografie, autori veçon vështrimet mbi poezinë e Kosovës të viteve ’70-’80 me autorë si: Brovina, Vinca, Hamiti, Eqrem Basha, Çapriqi. Për mendimin tim poezia e Kosovës për arsye të veçimit politik dhe të mosnjohjes së rrjedhës së botimeve, kërkon gjurmime të mëtejshme për ta rrokur atë në të gjitha prirjet dhe në gjithë autorët. Nuk mendoj se duhen shmangur autorë si: Beqir Musliu, A. Gajtani, Teki Dervishi, Fahredin Gunga, Milazim Krasniqi, Ibrahim Kadriu, Sali Bashota…
Një syth të veçantë në monografinë e Prof B. Gaçes merr dhe poezia e poetëve të ndaluar si: Zef Zorba, Leka, Blloshmi, Xhagjika etj. Më ka lënë mbresa të veçanta analizat mbi Genc Lekën, poezinë e hollë të një poeti të brishtësisë lirike.
Sythi mbi poezinë e viteve ’90.-2000 është i thelluar dhe vlerësues mbi disa individualitete e prirje të reja tematike-stilistikore. Vlen këtu ndalja mbi poezinë e Lleshanakut e të Pojanakut.
Si gjithmonë prof. B. Gaçja analizon në thellësi veçantinë e profileve poetike, të cilët i merr nën shqyrtim, përgjithëson e sintetizon cilësitë, arritjet duke qenë njëherësh deduktiv dhe induktiv. Zbërthimet e tij të mprehta, të imta të kodeve, të magjive, të ngjizjeve të blloqeve madhore të veprave të autorëve, shpesh shoqërohet me zbërthime të imta tekstore poezish të veçanta të autorëve që shqyrton. Këto shestime janë dëshmi të shijeve të pjekura, dëshmi të një shqise që di të zbulojë magjitë poetike në prurjet më kulmore, më të pasura cilësisht të një fondi të trashëgimisë sonë poetike. Ky libër e ka një themel të tij zhytjen në imtësitë më të skajshme të një poezie, po aq sa sintetizimin dhe analizën makro të tipareve përgjithësuese të një individualiteti poetik.
3.
Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e gjetkë ka shumë Universitete ku lënda e poezisë bashkëkohore zë vend me peshë në kurrikulat studimore. Shumë lektorë e ligjërojnë këtë lëndë në “heshtje” dhe nuk i publikojnë leksionet që mbajnë. Bardhosh Gaçe një titullar i pasionuar i kësaj lënde, merr guximin dhe i boton “leksionet” e veta. Po ta bënin këtë gjithë ata kolegë të kësaj lënde në dhjetëra katedra të Universiteteve tona do të kishim dhjetë a më shumë punë të tilla. Shkurt, kjo monografi vjen në një vend bosh për studime letrare kaq kapilare dhe përgjithësuese mbi poezinë në periudhën kohore që përfshin. Universitetet kombëtare duhet të jenë “barinjtë” që kujdesen për krijimtarinë kombëtare. Ato duhet ta studiojnë këtë krijimtari, ta mbarështrojnë, t’ia bëjnë të njohura vlerat, prirjet, problematikat, arritjet a rëniet, ulje-ngritjet formimin e personaliteteve të reja krijuese. Kjo ka munguar.
Bardhosh Gaçe vjen me pretendimin të vërë një rend në këtë kaos. Është një ndërmarrje e suksesshme. E ka rrokur në rrënjë e në degë tërësisht lëndën e marrë nën vështrimin e tij. Është punë e një jete. Është e bërë me pasion dhe përkushtim. Ka ndjekur zhvillimet në një kohë që botimet janë vështirë për t’u gjetur. Veç punës, pasionit, përkushtimit, këmbënguljes, vërehet dhe qasja cilësore prej profesionisti, prej studiuesi të pjekur të letërsisë.
Me këtë rast duhet të them se poezia shqipe ka pasur autorë të shquar, por jo dhe “profesorët” d.m.th. kritikët profesionistë. Poetët, autorët shqiptarë në këto vite të pas ’90 iu vunë mbijetesës si krijues të poezisë\letërsisë në një klimë që nuk menaxhohej nga shteti, nuk kishte shpërndarje nga shteti, nuk kishte kritikë, vlerësim publik prej profesionisti në shtyp. Poetët ndonjëherë shkruan recensa për kolegët. Në shtyp u bënë shkrime reklamuese dhe rrallë shkrime prej kritikëve e studiuesve profesionistë. Ne si traditë nuk kemi një shkollë ose më mirë na ka munguar klasa e kritikëve, e recensentëve, e studiuesve të profilizuar për poezinë. Kritika që merret me tekstin poetik, me gjuhën specifike të poezisë nuk është ushtruar.
Kritika sociologjike e periudhës së komunizmit i hodhi “armët” e veta të konsumuara, nuk pati të ardhme në kushtet e pas ’90. Ne ende si kulturë nuk e kemi klasën e profesionistëve që dinë ta paraqesin një libër të ri në faqet e shtypit, apo qoftë në studimet e specializuara të seminareve a konferencave shkencore kombëtare. Shumicën e studentëve që doktorojnë me një tezë nga poezia, nuk shkruajnë më për poezinë. Ose dhe kur shkruajnë, tekstet e tyre nuk e arrijnë nivelin e punës së doktoraturave të tyre. Shumica e atyre dr. prof. të katedrave tona universitare janë nëpunës që sigurojnë një vend pune, duke ligjëruar leksione mbi letërsinë të kompiluara nga të tjerët. Po kështu dhe institutet në nivel të akademive në këto vite punësojnë njerëz të shokëve dhe të miqve për të marrë një rrogë, sesa njerëz që e kanë për vokacion e profesion studimin në fushë të letërsisë, poezisë.
Kjo tablo e njerëzve të shumtë që nxjerrin jetën duke marrë një pagë nga puna me letërsinë, dhe që janë krejt të shterpëzuar a të patalentuar për t’u marrë me studimin a kritikën letrare, është shumë e trishtuar. Duke e parë poezinë/letërsinë si sociologji a si ideologji ne na munguan përgatitjet teorike për analizën e tekstit, për studimin e letërsisë si gjuhë, studimin e “letërsisë si e tillë”. Në këto vite studimet e prof. Ali Aliut, studimet për letërsinë bashkëkohore të prof Sabri Hamitit, në veçanti vështrimet e këtij të fundit mbi letërsinë në Kosovë, kanë qenë punë që peshonin në zbrazëtinë përqark tyre.
Në këtë kuadër të gjendjes së studimeve tona, (jo se kanë munguar monografi shkencore për autorë a vepra të veçanta, studime për dukuri letrare) puna e prof. dr. Bardhosh Gaçes për nga gjerësia e objektit të studimit të tij- një periudhë nga vitet ’40 të shekullit që shkoi e deri më sot, për shtrirjen e studimit të poezisë në Shqipëri, Kosovë e diasporë, për cilësinë profesionale të klasifikimeve dhe të analizave të saj është një punë me peshë që bie drejt e në themelin më të vyer të punimeve letrare të këtij lloji. Pavarësisht kërkesave që mund të kemi prej kësaj monografie, autori i saj mund të ketë më shumë ndaj vetes.
Veç një gjë e vlen për t’u theksuar, kjo punë përbën një bazë nga mund të nisesh. Në vende me traditë në studimin e prodhimit letrar bëhen antologji në çdo dhjetëvjeçar të paraprira këto dhe nga studime analitike profesionale, të cilat veçojnë prirjet e profilet e autorëve të rinj, risitë në gjuhë, në planin tematik-stilistikor, ulje-ngritjet në nivelin e mbarë një letërsie që ka një traditë të qëndrueshme letrare. Për fat të keq neve na mungojnë praktika të tilla. Një autor si Bardhosh Gaçja pa anashkaluar vështrimet kritike rastësore, në mungesë të analizave profesionale sipas periudhave të ngushta kohore, duhet t’i hyjë detit me këmbë për të përballuar një poezi të shkruar në tetë dekada, shkruar në kushte të ndalimit, të thyerjeve tematike-stilistikore deri të një letërsie që sot ballafaqohet dhe me botime e përkthime nëpër botë.

Artikulli paraprakZbulohen 5 vrasje nga mafia shqiptare, Holanda dhe Belgjika i dërgojnë Greqisë bisedat e “SKY Ecc”
Artikulli tjetërVrasja e Alush Lleshanakut