Pol Pogba dhe Juventusi duket një bashkëjetesë, e cila do të vazhdojë edhe sezonin e ardhshëm. Të paktën është kjo që lë të nënkuptojë mesfushori francez gjatë intervistës së tij për “Sky Sport”, në pritje të finales së Kupës së Italisë kundër Milanit, nesër në mbrëmje. “Duhet që të tregohemi të përulur, të përqendruar dhe të ndërgjegjshëm se në ndeshje të tilla jo gjithmonë fiton skuadra më e fortë. Edhe pse kampionati ka përfunduar, sezoni ynë mbyllet të shtunën, prandaj, nëse nuk tregojmë qëndrueshmëri psikologjike, do të gabonim.
Finalet luhen për t’u fituar, por mbi të gjitha Milani nuk do të vijë kurrsesi në Romë për të na e dorëzuar ne trofeun e Kupës së Italisë, përkundrazi.
Do të jetë një ndeshje e vështirë, pa favoritë. Prandaj, nëse duam që të dërgojmë në Torino edhe këtë trofe, duhet të bëjmë ndeshjen tonë më të mirë”, bëri hyrjen e tij 23-vjeçari. Bufon thotë se jeni rritur, qoftë nga pikëpamja fizike dhe teknike, por edhe nga ajo e vetëbesimit, duke u shndërruar në një nga liderët e këtij Juventusi. Ndihem shumë më i përgjegjshëm, sepse këtë sezon humbëm disa lojtarë të rëndësishëm, jo vetëm teknikisht, por edhe në aspektin e lidershipit.
Për këtë arsye, mua më është dashur që të marr më tepër përgjegjësi mbi shpatulla. Nga pikëpamja teknike, ju jeni lojtari i dytë në Itali për sa u përket driblimeve të bëra, 102, por edhe i pari në pesë kampionatet më të rëndësishme të Europës, për goditje në portë.
Ndërkohë, Sinisa Mihaljoviç është shkëputur zyrtarisht nga Milani. Trajneri serb dhe drejtuesit e klubit kuqezi gjetën konsensusin për zgjidhjen e kontratës mes tyre me 47-vjeçarin që tashmë është i lirë të kërkojë një tjetër skuadër. Marrëveshja për zgjidhjen konsensuale mes Milanit dhe Mihajloviçit u arrit pas një takimi të zhvilluar në Romë mes tij e Galianit, me klubin që pranoi të paguajë për llogari të trajnerit edhe një dëmshpërblim. Sipas medias italiane, destinacioni i ardhshëm për Mihajloviç duket se është Torino. Trajneri aktual i kësaj skuadre, Giampiero Ventura do të marrë drejtimin e përfaqësueses italiane, duke e lënë të lirë vendin e tij.