Pogba: Modelet që ndjek, Bufon dhe Pirlo

“Puno fort dhe mos u dorëzo kurrë”. Një sjellje e përulur dhe për t’u admiruar ajo e francezit, i cili, edhe pse vetëm 23-vjeçar, numëron disa arritje të rëndësishme në karrierë. Nga të qenit i votuar i riu më i mirë i Kupës së Botës 2014, te trofetë në Itali me Juventusin, e deri të qenit finalist i Ligës së Kampioneve në vitin e kaluar. Rritja e Pogbasë ka qenë shumë e shpejtë, por ai ka ditur gjithmonë që t’i mbajë këmbët fort në tokë dhe të mendojë vetëm për t’u përmirësuar.
“Është e vërtetë, jam përmirësuar shumë në vitet e fundit, falë edhe ndihmës së madhe që më kanë dhënë te Juventusi, vazhdon mesfushori i bardhezinjve. Dhe mendoj se kjo ka ardhur edhe si rrjedhojë e faktit se jam i rrethuar nga kampionë të mëdhenj, shumë të përulur, punëtorë për t’u marrë shembull, por edhe nga njerëz që të bëjnë të punosh fort në mënyrën e duhur. Futbollistë si Xhixhi Bufon apo Andrea Pirlo, të cilët janë modelet e mi.
Dhe unë po mësoj që të kem një karrierë si të tyren”. Mentaliteti që i kanë injektuar familja dhe trajnerët e tij në këto vite kanë bërë diferencën në rrugën e tij të profesionalizmit. Impenjim, zemër, vullnet për të mësuar dhe njëkohësisht për t’u përmirësuar. Cilësi këto me të cilat është njohur që në moshë të re, të cilat janë përforcuar edhe më shumë, kur përfaqësoi Francën në Kampionatin Europian U-17, në vitin 2010, në Lihtenshtein.
“Ai është një kujtim i madh. Në atë Europian, luajta kundër disa prej kombëtareve më të mëdha për brezin tonë, si Anglia dhe Spanja. Ishte një eksperiencë fantastike për një futbollist të ri si unë. Humbëm, por edhe nga kjo mësova shumë. Pikërisht disfatat janë ato që të ndihmojnë të rritesh. Pastaj, për mua ka qenë gjithmonë një ëndërr që të vishja fanellën e vendit tim dhe ia kam arritur që ta ruaj ende sot, duke u ngjitur në radhët e kombëtares së parë”. Pol Pogba shënoi dy gola në atë kompeticion, kundër Portugalisë në fazën e grupeve dhe më pas ne humbjen 2-1 kundër kampionëve të ardhshëm, Anglisë. Ajo humbje i djeg ende sot, ndonëse kanë kaluar shumë vite.
“Ishim shumë të zhgënjyer, por shokëve u thashë: “Duhet të fitojmë tjetrin, do ta fitojmë madje!’”. Pikërisht ky është leksioni i jetës për Pogbanë, të cilin numri 10 i Juventusit kërkon t’ua transmetojë futbollistëve që do të ndjekin hapat e tij në kombëtaret e moshave: “Mos u dorëzoni dhe jepni gjithmonë maksimumin tuaj. Realizoni ëndrrat tuaja dhe mbi të gjitha besoni te realizimi i tyre deri në fund”.

Exit mobile version