Paul Pogba, që pritet të bëhet lojtari më i shtrenjtë në histori, mbërriti në Manchester për kryerjen e vizitave mjekësore dhe zyrtarizimin e transferimit të tij në “Old Trafford”. Mesfushori francez pas një udhëtimi të gjatë nga New Yorku me tranzit në Nisë u shoqërua në selinë e klubit të Djajve të Kuq nga nëna e tij, Yeo Moriba për të mbyllur marrëveshjen më të rëndësishme në karrierë, por dhe të kësaj vere. Vizitat mjekësore ishin thjesht një formalitet për futbollistin, transferimi i të cilit te United pritet të zyrtarizohet këtë të martë. Marrëveshja mes Juventusit dhe Manchester United pritet të mbyllet për rreth 128 milionë euro duke e bërë Pogba-në futbollistin më të shtrenjtë në historinë e futbollit.
Një lëvizje që kalon dhe atë të Gareth Bale nga Tottenham te Reali i Madridit për shumën e 100 milionë eurove. Vetëm pak ditë më parë Murinjo bëri të ditur se pritet të mbërrijë një mesfushor i klasit botëror te United dhe deklarata e tij tashmë po bëhet realitet me Pogba-në, që në orët në vazhdim pritet të firmosë kontratën me Djajtë e Kuq, klub që e shiti pikërisht te Juventus në vitin 2012 për shumën e 1 milion eurove. Ai pritet të firmosë një kontratë pesëvjeçare nga e cila do të përfitojë 340 mijë euro në javë.
I pyetur se si ndihet që Unitedi ka thyer rekord në transferimin e lojtarëve, Hoze Murinjo ka përmendur Real Madridin, që kishte bërë të njëjtën gjë disa vite më parë. “Nuk mendoj se te Real Madridi ishin të mërzitur kur thyenë rekordin duke transferuar Gareth Bale. Nuk mendoj se kjo është një arsye për të qenë të mërzitur”, tha Murinjo. “Ne duhet të jemi krenarë që klubi është në gjendje për ta arritur këtë, për të sjellë lojtarët më të mirë”, shtoi Mou. “Nëse më pyet, a mendoj se janë shumë para? Mendoj se futbolli është i çmendur dhe tregu i transferimeve është edhe më i çmendur”, ka thënë Mou.
Trajneri i Chelsit, njëkohësisht ish-trajner i Juventusit, Antonio Konte ka ironizuar blerjen e Paul Pogba nga Manchester United. Në dy dekadat e fundit futbolli ka ndryshuar shumë dhe jo më shumë në mënyrën e të luajturit në fushë sesa jashtë saj. Paratë kanë bërë që të ketë më shumë transferime të bujshme, që kanë kulmuar me atë të Ronaldos e Bale, që mbajnë rekordin e transferimit për momentin, rekord që me gjasa do të thyhet këto orë nga kalimi i Pogba-së tek Manchester United
Këtë kalim ka komentuar me humor ish-trajneri i mesfushorit francez tek Juventusi, Antonio Konte, të cilin do të ketë përballë këtë herë në sfidën mes Manchester United dhe Chelsea-t. Duke folur për “The Sun”, tekniku ka sjellë një shembull personal. “Kur isha 13 vjeç luaja për Juventina Lecce, një skuadër që drejtohej nga im atë. Në atë kohë, mua dhe një shokun tim na bleu skuadra e Lecces në këmbim të 8 topave, tre prej të cilëve ishin të shfryrë”, deklaroi ai.