“Pogboom” nga Italia: Kampioni i botës do të rikthehet te Juventusi

Paul Pogba, mesfushori francez i Manchester United, mund të kthehet në Seria A sezonin e ardhshëm, te kampionët italianë, ku ka luajtur dy sezone më parë. Këtë e konfirmon sot, në ballinën e saj, gazeta “Tuttosport”. Sipas edicionit të së martës, kampioni i botës do ta kishte të lehtë për të zgjedhur fatin e tij, duke u rikthyer te Juventusi.
Mesfushori ka qenë edhe në “radarin” e Barcelonës, por informacioni i mbledhur nga gazeta torineze, shumë pranë bardhezinjve, është se francezi “do vetëm Juven”. Marrëdhëniet mes Pogba dhe Jose Mourinhos vazhdojnë të jenë temë debati çdo ditë në mediat angleze, por jo vetëm, me trajnerin portugez që është munduar të mohojë gjithçka në këtë drejtim.
Sidoqoftë, “shigjetat” mes njëri-tjetrit nuk kanë munguar. Së fundi ishte futbollisti francez, që e kritikoi trajnerin e tij për qasjen mbrojtëse në përballjen në Premier League, kundër Wolverhampton, në “Old Trafford”.
Këto situata, sipas “Tuttosport”, tregojnë se Pogba po ecën drejt Torinos. Çka do të ishte një rikthim për të, në një mjedis ku shkëlqeu dhe u bë transferimi më i shtrenjtë në historinë e futbollit, para se Neymar të bënte të njëjtin veprim në aksin Barcelonë-PSG.

Exit mobile version