Dy janë argumentet kryesore mbi të cilat Kryeministri Rama ka ndërtuar pr.ligjin e tij për lejimin e importimit të mbetjeve në vend: është ulur numri i mbetjeve të lejuara; dhe ndryshimet ligjore do ta shpëtojnë industrinë ricikluese.
Për të shtjelluar këto dy teza, Kryeministri Rama ka hedhur në publik një sërë pohimesh, më të rëndësishmet e të cilave ne po i komentojmë dhe vlerësojmë më poshtë- pohimet e Kryeministrit, të cituara fjalë për fjalë me blu, janë marrë nga komunikimi i tij javor i javës që shkoi.
Importi i plehrave nga jashtë është rreptësisht i ndaluar sepse në ligjin e ri është e shkruar ajo ç’ka nuk ishte në ligjin e vjetër. Në Shqipëri ndalohet djegia apo groposja e mbetjeve të importuara. Më qartë se kaq nuk e di, por nuk më duket se ka.
Pohimi i Kryeministrit është i vërtetë për pretendimin se ndalohet importimi i plehrave për djegie apo groposje. Por pohimi i tij është krejtësisht i pavërtetë në pretendimin se ndalimi është futur në ligj nga amendamentet e qeverisë së tij: ndalimi i importit të mbetjeve për qëllime depozitimi (groposje) dhe asgjësimi (përfshi, asgjësimin me djegie) ka qenë sanksionuar që në ligjin origjinal të qeverisë Berisha të vitit 2011. Shikoni, për këtë qëllim, nenin 48, pika 3 të ligjit të vjetër.
Në tërësi, vlen të theksohet se, sikurse kemi shpjeguar në një analizë më të detajuar, amendimet e qeverisë Rama praktikisht e kanë kthyer ligjin në të njëjtin pozicion origjinal të vitit 2011, me disa përmirësime me rëndësi dytësore dhe disa përkeqësime me rëndësi parësore.
Legjislacioni i ri, ndryshe nga ligji që anuluam, nuk e lejon dhënien e licencave për importin e mbetjeve të letrës, plastikës, aluminit apo drurit, sepse këto janë që importohen, nëse kërkuesi i licencës nuk ka fabrikë riciklimi.
Pohim përsëri i pavërtetë në lidhje me ligjin e vitit 2011 dhe amendimet e qeverisë Rama. Ligji i vjetër, edhe pse nuk e cilësonte se importi i mbetjeve mund të bëhej vetëm për qëllime të përdorimit si lëndë e parë për riciklim ose si lëndë zëvendësuese për industri të tjera, sikurse e kanë specifikuar amendamentet e qeverisë Rama, praktikisht nuk linte hapësirë për asnjë lloj përdorimi tjetër dhe ndalonte qartësisht importin për çdo qëllim tjetër.
Sikurse bëhet e qartë në sqarimin e detajuar krahasimor të dy varianteve të ligjeve, amendimet e qeverisë Rama janë në thelb shtim fjalësh përsëritëse pa asnjë efekt shtesë ligjor.
Legjislacioni i ri për listën e importit të mbetjeve të riciklueshme është sot për sot më e kufizuara listë në rajon dhe në Evropë.
Ky është një variant tjetër i pohimit të pavërtetë, të diskutuar më sipër.
Së pari, duhet sqaruar se ligji nuk përmban asnjë listë të mbetjeve të importueshme. Lista përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Së dyti, pavarësisht pohimeve të vazhdueshme të Kryeministrit dhe komentatorëve politikë proqeveritarë, qeveria Rama nuk ka miratuar ndonjë listë të re. Lista në fuqi është ende ajo e miratuar nga qeveria Berisha në vitin 2012 (VKM 550, datë 22.06.2012), e titulluar Mbetjet e Listës së Gjelbër, e cila përmban 25 artikuj të lejuar për importim. Lista “Berisha” është pikërisht lista që zbatohet nga doganat shqiptare për importimin e mbetjeve nga jashtë edhe në këto momente.
Për më tepër, është e diskutueshme nga ana ligjore nëse një vendim i Këshillit të Ministrave mund të kufizojë më shumë se një ligj, pra edhe nëse qeveria do të miratojë një listë më të kufizuar kjo mund të jetë kapërcim i përcaktimeve ligjore dhe lehtësisht e kundërshtueshme në gjykatë.
Legjislacioni i ri i ndalon fabrikat e riciklimit të importojnë më shumë se sa kapaciteti i tyre teknologjik.
Nuk ka asnjë kufizim të tillë në ligj dhe në asnjë akt tjetër nënligjor. Ky pohim është thjesht manipulativ, për të shtuar articifialisht sa më shumë “risi” pozitive të amendamenteve, por që në fakt janë perifrazim i atributeve të ligjit origjinal të vitit 2011.
Një përcaktim i tillë tekstual, sikurse shprehet Kryeministri, është i panevojshëm. Nëse ligji lejon importin vetëm për qëllim riciklimi dhe ndalon depozitimin apo asgjësimin e mbetjeve të importuara, është e qartë se nëse ligji zbatohet, fabrikat nuk mund të importojnë më shumë se kapaciteti i tyre pasi do të duhej t’i depozitonin apo asgjësonin tepricat duke shkelur kështu ligjin.
Këto mbetje janë lëndë të para që rifuten në prodhim dhe blihen në bursë njësoj si gruri, kafja, sheqeri. Asnjë fabrikë nuk ka arsye të blejë më shumë se ç’mund të përpunojë.
Një tjetër “informacion” kryekëput i gënjeshtërt i Kryeministrit Rama: në botë nuk ekziston asnjë “bursë” për tregtimin e mbetjeve, ndërkohë që ka shumë bursa ose të ashtuquajturat borde tregtie për shumë produkte bujqësore, përfshi kafen dhe sheqerin sikurse pretendon Kryeministri.
Në botë shumë komunitete lokale kanë krijuar borde informative për të ndihmuar prodhuesit e mbetjeve dhe rickluesit të koordinohen për riciklimin e mbetjeve: prodhuesit e mbetjeve njoftojnë sasinë e vendin dhe ricikluesi shkon e i merr ato pranë tyre.
[Ky ligj] është një hap i domosdoshëm në drejtimin e duhur për një Shqipëri më të pastër.
Nuk ka asnjë analizë dhe asnjë shpjegim logjik që të shpjegojë se përse importi i mbetjeve do ta bëjë Shqipërinë më të pastër. Ndryshimet e fundit ligjore nuk kanë asnjë lloj përcaktimi që ka të bëjë me mbledhjen dhe trajtimin e plehrave vendase (ligji e trajton këtë çështje, por këto përcaktime janë të gjitha të vitit 2011).
Përkundrazi, arsyeshëm mund të mendohet që duke qenë se lënda e parë tashmë do të sigurohet më lehtë nga importi, ricikluesit nuk do të kenë më nxitje që të përpiqen të mbledhin dhe riciklojnë mbetjet vendase.
Më duhet ta pranoj se nuk kemi bërë sa duhet dhe me kohë, për të informuar qytetarët për strategjinë e kësaj beteje të re dhe të madhe për ta bërë më të pastër Shqipërinë. Kam vënë re këto ditë se ka një mungesë të madhe informacioni mbi dallimin thelbësor mes plehrave që nuk i duhen dreqit e që duhen asgjësuar dhe mbetjeve të riciklueshme që janë lënda e parë e ekonomisë së gjelbër.
Kryeministri ka vënë re një gjë të vërtetë -qeveria nuk ndërmori asnjë hap për konsultimin e publikut. Në fakt ligji u hartua dhe miratua në shkelje të hapur të Konventës Aarhus, të Ligjit për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, Ligjit për Mjedisin dhe një sërë vendimesh të Këshillit të Ministrave.
Konventa Aarhus dhe aktet e mësipërme kërkojnë që në hartimin e çdo programi, strategjie apo ligji i cili prodhon efekte që kanë ndikime në mjedis të merret mendimi i qytetarëve përmes një procesi të detajuar ligjërisht të konsultimeve publike. Shumica socialiste e hartoi dhe miratoi ligjin në mungesë të plotë transparence, sikurse pothuajse për çdo politikë dhe projekt tjetër të saj.
Legjislacioni i ri shpëton industrinë e riciklimit nga një falimentim që do të ishte katastrofik jo vetëm për ekonominë e për mijëra familje që ushqehen me punën në këtë ekonomi, saktësisht 3273 punonjës të punësuar dhe rreth 30 mijë të tjerë të vetëpunësuar që mbledhin mbetje të riciklueshme në rrugë, kazanë.
Nuk ka asnjë katastrofë. Para pak muajsh falimentoi ricikluesi më i madh në vend, kompania Kurum, e cila prodhonte më shumë se gjysmën e prodhimit total të ricikluar në Shqipëri dhe nuk ndodhi asgjë e aq më pak katastrofë.
Shifrat e punësimit janë arbitrare. Shifra e të punësuarve nuk përputhet me shifrën e dhënë nga vetë shoqata e ricikluesve, e cila në vitin 2013 mbas shfuqizimit të ligjit nga Kryeministri Rama pohoi se në Shqipëri ishin të punësuar rreth 1260 punonjës -ky numër madje mund të ketë qenë i fryrë duke qenë se shoqata ishte e interesuar t’i mbivlerësonte shifrat e punësimit. Që ky numër të jetë gati dyfishuar gjatë periudhës së ndalimit të importeve është pak e besueshme. Por nëse për një moment besojmë shifrën e Kryeministrit kjo do të thotë që industria e riciklimit është dyfishuar të paktën në punësim pa patur nevojë për importim të mbetjeve.
Ndërsa për sa i përket atyre që Kryeministri i quan në mënyrë të pasaktë të vetëpunësuar, bëhet fjalë për ata që mbledhin shishe të përdorura, kanaçe, hekur, etj. Pa u marrë me metodologjinë si i ka llogaritur Kryeministri këta persona kur ata nuk janë të regjistruar askund dhe nuk paguajnë as taksa dhe asnjë detyrim tjetër, alarmi i Kryeministrit për humbjen e punës prej tyre është i pabazë pasi ata mbledhin plehrat vendase dhe ata do të bëhen të panevojshëm nëse plehrat do të importohen.
Do të ishte katastrofik për mjedisin në Shqipëri një falimentim i tillë. 120 mijë tonë mbetje që sot mblidhen në vend nga rrjeti i grumbulluesve dhe riciklohen po në vend, do të mbeteshin rrugëve tona dhe do ta rëndonin situatën aspak të lehtë të fushave të plehrave pranë qyteteve.
Shifra e ofruar nga Kryeministri është e pabazë, ndërsa pohimi i palogjikshëm. Strategjia Ndërsektoriale e Mjedisit 2015-2020 e qeverisë shprehet (faqja 9) se në Shqipëri riciklohen rreth 10 për qind e mbetjeve, pra, rreth 40 mijë tonë mbetje nga rreth 400 mijë tonë që prodhohen çdo vit.
Logjika e Kryeministrit që këto biznese do të riciklojnë nuk ka asnjë logjikë. Nuk është e qartë se pse duhet të falimentojnë ato impiante riciklimi që riciklojnë të paktën aq sa riciklohet sot. Ndërkohë nuk është e qartë se pse impiantet do të zgjedhin të mbyllen dhe jo të financojnë mbledhjen e mbetjeve të vendit.
Në këtë debat fjala mafia u përdor më shumë se fjala pastërti. Për të gjithë ata që s’e dinë: mafia është armiku më i madh i industrisë së riciklimit sepse mafias i duhen sa më shumë sasi plehrash për të djegur apo groposur, duke marrë pagesën nga bashkitë për çdo kilogramë. Nëse një pjesë e plehrave del që s’janë më plehra, por mbetje të riciklueshme, mafia e humbet këtë sasi bashkë me paratë.
Pohim tjetër i pavërtetë i Kryeministrit Rama. Mafia dhe krimi kanë shënjeshtruar me kohë industrinë e ricklimit. Në shumë vende perëndimore ekzistojnë grupe kriminale që kontrollojnë apo përfitojnë nga industria e riciklimit. Thjesht për ilustrim, mund të lexohet ky raport i detajuar që tregon si mafia ka shtrirë aktivitetin e saj në industrinë e riciklimit në shtetin e Nju Xhersit në SHBA dhe këtu një artikull i gazetës britanike “The Guardian” që trajton të njëjtin problem në Mbretërinë e Bashkuar.
Le t’i lëmë në kazanin e tyre politikanët sharlatanë që duan veç të helmojnë mendjet dhe shpirtrat e njerëzve dhe sharlatanët e mediave që ushqehen prej atij kazani e le të vazhdojmë të pastrojmë Shqipërinë me dashuri dhe vendosshmëri.
Një sulm i padenjë dhe i përsëritur i Kryeministrit, i cili çdo kritikë apo kundërshti të politikave të tij e shpjegon me dy klishe tashmë bajate: a) fajin e kanë parardhësit e tij; dhe b) ata që e kundërshtojnë janë ose injorantë ose sharlatanë.
“Exit.al”