“Policët e vendosën trupin e tij te stiva me dru, por një shi i rrëmbyer…”- Historia e trishtë e djalit 7-vjeçar në kampin e Tepelenës: Dha shpirt duke mos e ndjerë më ngrohtësinë e duarve të nënës së vet

Ndue Progni ishte 7 vjeç kur ndërroi jetë në prehrin e nënës së tij, Lulë Progni. Ishte një natë ftohtë dimri e vitit 1951, në Kampin e Internimit në Tepelenë, i ngritur mbi ish-kazermat e ushtrisë italiane. Familja u dërgua me forcë nga Tropoja në Tepelenë, pasi babai Gjoni, pjesëmarrës i kryengritjeve të Veriut kundër komunizmit, u arratis jashtë vendit. Si familja Progni, hakmarrja e pushtetit të Enver Hoxhës dërgoi qindra familje, kryesisht gra, fëmijë dhe të moshuar, në këto kazerma të rrethuara me tela me gjemba, ku sipas dëshmive dhe dokumenteve, pati vdekje masive për shkak të urisë, kushteve të këqija dhe sëmundjeve. Kushëriri i Ndues, Gjelosh Progni, tregon se shpresat e familjes për gjetjen e eshtrave të tij, po veniten.

 

Një portret i vetëm i Ndues së vogël, u rikrijua nga një piktor duke u bazuar në tiparet e të atit, pasi familja nuk kishte as dhe një foto të tij, që ta kujtonte! Familja nuk e kishte kërkuar deri para disa muajsh, kur Gjeloshi vendosi të bënte një kërkesë për gjetjen e tij, pranë Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, i njohur si Autoriteti i Dosjeve. Lidhur me këtë dhe të tjera, na njeh me dëshmitë e tij z. Gjelosh, në këtë intervistë ekskluzive.

Z. Gjelosh ju jeni njohur me projektin mbi ecurinë e procesit të gjetjes dhe identifikimit të personave të zhdukur gjatë regjimit komunist. Ju keni plotësuar anketën dhe keni ndarë me ne përvojën tuaj mbi gjetjen e eshtrave të 7-vjeçarit Ndue Gjon Prognit. Duke u nisur nga kjo, do doja të më tregoni pak historinë e përndjekjes së familjes Progni, e cila çoi më pas në vdekjen e djalit 7 vjeçar, Ndues?

Nduja ishte djali i vetëm i Gjon Prognit, i cili ishte një akademist, pasi kishte mbaruar shkollën ushtarake në Romë në vitin 1932, funksionar i lartë i Mbretërisë së Zogut, duke kryer detyrat e larta funksionare të Xhandarmërisë së saj, si në Lushnjë, Tiranë, Burrel, Krumë, Tropojë dhe e mbylli karrierën e tij si funksionar, duke shërbyer si komandat i Xhandarmërisë në zonën Nikaj-Mërtur.

Artikulli paraprakShorti i plotë i kualifikueseve të Botërorit/ Grup “ferri”, Shqipëria rigjen Anglinë dhe sfidon Serbinë pas 10 vitesh! Kosova “peshkon” Zvicrën
Artikulli tjetërIsh-futbollisti i Kombëtares nuk dëshironte Serbinë, Adrian Aliaj: Duan të na rrahin, Silvinjo nuk më pëlqen sepse…