Policët vrasës sulmuan familjen Çapja në Elbasan

Familja Çapja nga Elbasani shprehet se është terrorizuar nga forcat e Policisë së Shtetit dhe FNSH-ja. Nëpërmjet një deklarate publike nga një studio avokatie, familja Çapja shprehet se ngjarja ka ndodhur të mërkurën pasdite, ku punonjësit e policisë kanë qëlluar ndaj tyre me armë zjarri pa asnjë paralajmërim dhe nuk kishin asnjë shenjë indentifikuese, si dhe më pas kanë ushtruar terror. Ky reagim vjen pasi, policia mbrëmjen e së mërkurës arrestoi dy prej pjesëtarëve të kësaj familje dhe gjashtë persona të tjerë, pasi pati një shkëmbim zjarri mes tyre dhe policisë.
“Rreth orës 17 të pasdites, një makinë me xhama të zinj, njëri nga katër personat që ndodhej në automjet nxori dorën jashtë duke filmuar me një kamer dore. Dhe pa paralajmëruar askënd qëllojnë në drejtim të biznesit me armë zjarri nga makina e përbërë nga katër persona. Makina dhe personat, të cilët ndodheshin në automjet nuk kishin asnjë shenjë dalluese që të tregonte se ishin punonjës të policisë. Pas pak sekondash afrohet reparti i FNSH të maskuar, që ndodheshin pak metra larg nga automjeti privat dhe qëllojnë në mënyrë të pakontrolluar”, thuhet në deklaratën e familjes Çapja.
Më tej, në deklaratë thuhet se, i është vënë nënave pistoleta në gjoks duke e kërcënuar me vdekje, madje një nga personat e maskuar ka ushtruar dhunë ndaj një anëtareje të kësaj familje që është e diagnostikuar me tumor në gjoks dhe është duke kryer kimioterapi, madje duke i drejtuar dhe një armë automatike në drejtim të gjoksit.
“Gjithashtu ndaj Ferit Muçës, njërit nga të plagosurve të muajit shkurt, i cili është i dëmtuar rëndë në trup dhe ndodhet në regjim shtrati është tërhequr zvarrë nga dhoma ku ndodhej deri në oborrin e banesës së tij. Ndaj pronarit të hotel ‘Univers’, FNSH ka qëlluar drejt për ta ekzekutuar pa paralajmërim, por fatmirësisht falë një makine që ndodhej aty pranë ai ka shpëtuar, duke u fshehur dhe plumbat kanë përshkruar makinën tip ‘Benz’, ngjyrë e zezë. Deri rreth orës 00:00 të ditës së enjte asnjë nga familjarët e kësaj familje nuk është lejuar të futet në banesat e tyre, madje nuk kanë qenë prezent edhe gjatë kontrolleve të ushtruara ndaj pronave dhe shtëpive të pjesëtarëve të familjes Çapja”, thuhet në deklaratë.
Në deklaratë thuhet më tej se, veç armëve në të gjithë biznesin dhe në shtëpitë e familjes Çapja është ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike, duke filluar tek fëmijet 1 vjeç e deri tek të moshuarit e kësaj familje. “Gjithashtu, klientët e huaj të hotel ‘Univers’, theksojmë shtetasit e huaj, janë dhunuar psikologjikisht duke mos i sqaruar për atë çfarë kërkonin të bënin forcat e maskuara të policisë. Prej muajit shkurt, kur ndaj familjes Çapja është qëlluar nga katër persona të veshur me uniforma policie, ku humbën jetën dy anëtarë të familjes, pjesëtarët e kësaj familjeje janë ndjerë të kërcënuar dhe të rrezikuar. Sqarojmë se nga fillimi i ushtrimit të dhunës rreth orës 17:00 e deri në orët e vona të natës policia veç ushtrimit të dhunës dhe terrorit ndaj nënave, fëmijëve dhe pjesëtarëve të kësaj familje nuk ka sqaruar arsyet dhe motivet e kësaj bastisje”, thuhet në deklaratë.
Po ajo që duhet theksuar është fakti se avokatit të familjes nuk i është dhënë asnjë informacion dhe pse janë gjendur përpara komisariatit nga ora 21:00 deri në orën 02.00 të këtij ambienti. “I kërkojmë trupit diplomatik të akredituar në Tiranë të ndërmarrë veprimet e duhura përkundrejt terrorit të shkaktuar në ambientet e resortit, duke i vënë në dispozicion listën emërore të të gjithë klientëve të huaj, të cilët mund të dëshmojnë gjithçka të ndodhur (mbi 25 të huaj). Sikurse pas sulmit të qëllimshëm dhe të paramenduar me armë ndaj pronarit të këtij resorti, Ardjan Çapja nga forcat e rendit, i cili nuk bëri rezistencë dhe i paarmatosur, ky i fundit lihet për një kohë të gjatë pa ndjenja i shtrirë në tokë nga gjendja e shokut, ndërkohë që forcat e rendit e zhvishnin dhe mblidhnin gëzhojat të qëlluara nga po vetë armët e tyre për të zhdukur provat.
Pamjet e kësaj ngjarje janë të filmuara nga kamera amatore të shumë klientëve prezentë në ato moment. Disave prej tyre nën kërcënime të armëve i janë thyer aparatet smartphone gjatë regjistrimit. Çdo klient prezent në bar, një pjesë e mirë të shoqëruar nga fëmijë, është kërcënuar nën armë dhe janë detyruar me dhunë të shtrihen në tokë. Shumë prej tyre e dëshmojnë këtë të fundit”, përfundon deklarata e familjes Çapja.

Mbesa e Çapjas: Polici më kërcënoi me kallash mua dhe fëmijën 1.5 vjeç

Mbesa e të ndaluarit Ardjan Çapja në Elbasan ka denoncuar se, gjatë kontrolleve të policisë pas të shtënave me armë, forcat e policisë kanë terrorizuar familjen dhe i kanë vendosur kallashnikovin në kokë asaj dhe fëmijës së saj 1 vjeç e gjysmë. Ajo i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha, i cili e ka publikuar në Facebook dhe i ka kërkuar Prokurorisë së Elbasanit hetim për “terrorin policesk të policisë ndaj fëmijëve”.
“Qytetari dixhital denoncon: Kërcënimin nga polici me tytë kallashi në kokën e fëmijës 1.5 vjeç! Duke dënuar me forcë dhe preraz çdo sulm ndaj uniformave blu, gjithashtu dënoj me ashpërsi një terror policesk që nuk kursen as vogëlushët njëvjeçarë. I bëj thirrje Prokurorisë së Elbasanit të verifikojë këtë akuzë tepër të rëndë dhe të vendosë para ligjit me vendosmërinë më të madhe autorin e tij katil! Sb”, shkruan Berisha në Facebook duke publikuar mesazhin e qytetares nga Elbasani.
“Përshëndetje! Jam mbesa e Ardjan Çapjas. Ju lutem na ndihmoni. Po na kërcënojnë me tytën e kallashit në kokë. Mua dhe fëmijën tim. Fëmija është 1 vjeç e gjysmë. Unë jam femër, më gjuajtën me tytën e kallashit në dorë. Unë filmova momentin kur po qëllonin dajën tim, Fejzulla Çapja, ndërkohë i vunë kallashin në kokë fëmijës tim 1-vjeçar. Do jua vras fëmijën nëse nuk na jep filmimin. Po kalojmë tmerr”, përfundon mesazhi i qytetares.
Dy netë më parë ndodhi një luftë e vërtetë në Elbasan pranë kompleksit “Univers” që ndodhet në afërsi të stadiumit. Breshëritë e plumbave të kallashnikovit shkaktuan terror tek qytetarët. Pas ngjarjes së rëndë policia bëri të ditur se arrestoi tri persona. Ndërkohë njëri nga banorët që banon pranë vendit ku ndodhi ngjarja, shprehet se policia ka ushtruar terror ndaj tij dhe familjes së tij. Enver Sinakolli, babai i Arditit, i cili ndërroi jetë gjatë breshërisë së armëve të 3 shkurtit të këtij viti në lokalin ku ndodhej familja Çapja, shprehet i shqetësuar se policia i ka rrëmbyer djalin e vogël, Ambrin.
“Pas ngjarjes, djali im është marrë nga policia, edhe pse në momentin kur ka ndodhur shkëmbimi i zjarrit, Ambri ka qenë në banesë. Dua të di ku është djali im, nuk kam asnjë komunikim me të. Djali im është i pafajshëm. Policia ka nisur që mbrëmë të na shqetësojë. Këtu në shtëpinë time është bërë gardh me polici, dua të gjej djalin, nuk e di se ku më ndodhet. Është drita e syve të mi”, është shprehur Enver Sinakolli.
Ai shprehet më tej se policia nga momenti në moment i kërcënon. “Shefi i Komisariatit të Policisë më ka kërcënuar duke më thënë se ‘do të të vras’ dhe nuk e kuptoj arsyen se përse. Këtu është shtetrrethim, tamam si në luftë. Kam jetën time me familjen time, pse nuk më lënë të qetë?!”, u shpreh Sinakolli.
Policia bëri të ditur se Çapjat sulmuan me armë zjarri efektivët e policisë. Sipas burimeve nga policia, mësohet se afër kompleksit “Univers”, një prej bizneseve të fisit Çapja, kanë qenë 4 punonjës policie pa uniformë, me makinë private, të cilët ishin vendosur aty me mision vëzhgimi në kuadër të ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur në këtë qytet dhe ka pasur të përfshirë pjesëtarë të këtij fisi. Në këtë moment, djemtë e fisit Çapja, dyshohet dy vëllezër, duke menduar që policët e veshur civilë, mund të jenë kundërshtarë apo hasmit e tyre, kanë marrë armët dhe kanë gjuajtur mbi ta. Nuk ka mjaftuar me kaq, por kur efektivët civilë janë larguar me makinë, ata i kanë ndjekur dhe këtu ka pasur edhe shkëmbim zjarri mes vëllezërve Çapja dhe efektivëve, fatmirësisht pa pasoja në njerëz.

R.POLISI

Artikulli paraprakPërgjimi, si vrasja në Sarajevë
Artikulli tjetërPërgjimet, largimi i Tahirit, parakusht për zbardhjen e plotë të megaskandalit