Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në fshatin Fitore. Një efektiv policie ka humbur jetën dhe tre kolegët e tij janë plagosur. Punonjësit e policisë kishin përfunduar së kryeri kontroll territori mbi parandalimin e kultivimit të lëndëve narkotike, në zonat e Devollit të Sipërm dhe po ktheheshin nga shërbimi.
Mjeti tip “Mitsubishi” me targa Policia 0305, ka dalë nga rruga dhe për pasojë ka ndërruar jetë punonjësi i Policisë shtetasi Lorent Duli 27 vjeç, (me detyrë SPZ në Njësinë Administrative Miras) si dhe janë plagosur tre punonjës të tjerë shërbimi, të cilët janë duke marrë mjekim në Spitalin e Bilishtit.
Shkaku paraprak i aksidentit dyshohet të ketë qenë humbja e kontrollit nga ana e drejtuesit Duli, punonjësi i cili humbi jetën. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj ka ngushëlluar familjen e punonjësit të policisë Lorent Duli, i cili humbi jetën gjatë kthimit nga kryerja e detyrës, duke kontrolluar territorin në kuadër të parandalimit të kultivimit të bimëve narkotikë.
“Shpreh pikëllimin tim të thellë për humbjen e jetës së efektivit tonë Lorent Duli. Ai sot do t’i mungojë familjes, kolegëve dhe Policisë së Shtetit. Në emër të Ministrisë së Punëve të Brendshme ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe dhe të parakohshme të familjarit tuaj, duke ju siguruar se në asnjë moment nuk do t’ju mungojnë ndihma dhe përkrahja jonë. I pa harruar kujtimi i tij. Sinqerisht Dritan Demiraj”, shprehet Demiraj.
Ministri Demiraj ju ka uruar shërim të shpejtë të tre efektivëve të tjerë të plagosur në këtë aksident tragjik.
Ndërkohë një shtetas hungarez është aksidentuar dje në Sarandë. Policia bën me dije se rreth orës 15:12, në aksin rrugor Finiq-Sarandë pranë vendin të quajtur “Ish-miniera e kripës”, shtetasi hungarez me inicialet L.Z, 37 vjeç, duke udhëtuar me mjetin motor tip “Suzuki” është rrëzuar.
Për pasojë ka marrë disa dëmtime në trup dhe ndodhet në Spitalin e Sarandës, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje, duke kryer hetimet e mëtejshme.