Prokuroria ka vënë nën arrest një punonjës policie për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Sipas burimeve, punonjësi i policisë Dritan Metani me gradën N/Komisar ishte nën hetim prej disa muajsh nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë si i dyshuar se kishte konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv” dhe të “Shpërdorimit të detyrës”. Ai dyshohet se gjatë ushtrimit të detyrës ka lejuar në tre raste, të bëheshin ndërtime pa leje, kundrejt shpërblimesh në shuma monetare.
Hetimi nisi pas dyshimeve për korrupsion ndaj punonjësit të policisë N/komisar Metani. Në zbatim të vendimit penal përkatës, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka ekzekutuar masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”.
Dritan Metani ka qenë arrestuar në vitin 2007 për korrupsion pasiv dhe në vitin 2008 është dënuar me 1 vit e 4 muaj burg. Në vitin 2013, Gjykata e Lartë e ka lënë në fuqi përfundimisht këtë dënim, ndërsa Tahiri jo vetëm që e mori sërish në polici, por edhe e gradoi Nënkomisar.
Pas arrestimit të nënkomisarit Dritan Metani ka reaguar ish-Kryeministri Berisha, i cili në një postim në Facebook shkruan se, Dritan Metani, Nënkomisar, që pas kësaj vjedhjeje do lartësohet në Komisar! “Qytetari dixhital denoncoi në nëntor të vitit të kaluar ngritjen në detyrë në nënkomisar, për shkak të korrupsionit, të Inspektor Metanit, i cili në vitin 2008 u dënua me burg 1.4 vjet dhe gjobë 600 mijë lekë dhe ndalim për 4 vite për të kryer funksione publike.
Megjithë këtë Metani vazhdoi zanatin e tij si militant i Rilindjes të rrjepjes së qytetarëve. Prokuroria e shtetit e arrestoi dje atë përsëri për vjedhje dhe ryshfete. Burime të afërta njoftojnë se, i gëzuar iu tha rilindësve të tjerë, “mos u mërzisni, prisni se më erdhi radha për t’u graduar Komisar!”, shkruan Berisha.
Denoncimi i Berishës
Në nëntor të vitit të kaluar, ish-Kryeministri Berisha publikoi në rrjetet sociale denoncimin e një qytetari, i cili shkruante se, Dritan Metani ka qenë i dënuar me 2 vjet burg për korrupsion nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe nga ajo e Apelit, por ai është emëruar shef Krimesh, pasi është militant i PS në Sauk. “Lajme nga policia e gjeneratës tjetër, qytetari dixhital informon: Ngritjen në detyrë për shkak të korrupsionit dhe dënimit me vendim Gjykate të formës së prerë, të shefit të Seksionit për Krimet në Komisariatin Nr. 2 Dritan Metani!”, shkruante Berisha, duke publikuar edhe mesazhin e qytetarit.
“Zoti Berisha! Dua të denoncoj tek ju shtetasin Dritan Metani me detyrë shef Seksioni për Krimet në Njësinë Nr. 7 nën juridiksionin e Komisariatit Nr. 2. Ky shtetas është i dënuar për korrupsion në kohën e qeverisë tuaj. Këtë gjë e dinë dhe ata që e kanë emëruar apo shpërblyer në atë post, pasi ai është militant i rilindjes në zonën e Saukut. Eshtë mjaft e lehtë të zbulohet dëshmia penale e këtij personi, që sot mban një post jo të vogël në Policinë e Shtetit. Sapo të gjej informacione të tjera do ju bëj me dije se, vetëm ju jeni zëri i të drejtës në këtë vend, i nderuar! Gjykata e rrethit Gjyqësor Tiranë në dt. 03.04.2008 e ka dënuar me 2 vjet burgim dhe me 900 mijë lekë gjobë Dritan Metanin. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendim Nr.147 dt. 03.03.2009 ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë Tiranë me ndryshimin e vetëm që nga 4 vjet ta ulë në 2 vjet ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike. Respekte”, përfundon mesazhi i qytetarit.
Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë më 2008
Deklarimin fajtor të të pandehurit Dritan Metani për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personit që ushtron funksione publike” kryer në bashkëpunim dhe në bazë të Nenit 259 e 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim dhe 900.000 (nëntëqind mijë) lekë gjobë.
Në aplikim të Nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Dritan Metani i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 1 (një) vit e 4 (katër) muaj burgim dhe 600.000 (gjashtëqind mijë) lekë gjobë.
Vuajtja e dënimit për të pandehurin Dritan Metani fillon nga dita e arrestimit të tij datë 14.09.2007.
Shlyerja e gjobës nga i pandehuri Dritan Metani të kryhet brenda një viti, duke filluar nga dita e marrjes së vendimit të formës së prerë.
Në zbatim të Nenit 35 të Kodit Penal urdhërohet për të pandehurin Dritan Metani “Heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike”, për një kohe prej 4 (katër) vjetësh.