Polici kapet duke shitur sendet që vidhte vëllai i tij në Gjermani

Një punonjës i Policisë së Shtetit është arrestuar nga strukturat e SHÇBA në Ministrinë e Brendëshme nën akuzën e bashkëpunimit në krim. Në kuadër të hetimeve përgjatë vitit 2019 është dokumentuar se punonjësi i Policisë ka pranuar sendet e vjedhura nga i vëllai në Gjermani duke i përdorur përkohësisht, e shitur më vonë në treg

Njoftimi i policisë

SHÇBA ndaloi punonjësin e Policisë nga Laçi, që shiste në Shqipëri sende të vjedhura nga i vëllai në Gjermani

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), në Ministrinë e Brendshme, në bashkëpunim me Policinë e Hamburgut, Gjermani dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Laç ka arrestuar 1 punonjës policie, banues në Laç.

Ai dyshohet për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë”.

Në kuadër të bashkëpunimit me partnerët gjermanë, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, mbi procedimin penal nisur në vitin 2018, u finalizua me sukses operacioni ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të SHÇBA-së dhe Policisë së Hamburg-ut, për arrestimin e Inspektorit E.I., 32 vjeç, me detyrë punonjës policie në Seksionin e Policisë Rrugore, pranë DVP Lezhë.

Ky procedim lidhet me një hetim të nisur nga autoritetet gjermane për vjedhje banesash në kuadër të grupit kriminal.

Në qytetin e Hamburgut janë arrestuar dhe ndiqen në gjendje të lirë disa persona, në mes tyre edhe vëllai i efektivit të Policisë Rrugore në Lezhë.

Në kuadër të hetimeve përgjatë vitit 2019 është dokumentuar se punonjësi i Policisë ka pranuar sendet e vjedhura nga i vëllai në Gjermani duke i përdorur përkohësisht, e shitur më vonë në treg.

Ekspertë të Policisë së Hamburgut ishin në Tiranë si pjesë e kryerjes së veprimeve operacionale në terren, së bashku me SHÇBA dhe drejtuesit e Prokurorisë në Laç.

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e efektivit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale sende të vjedhura, me vlerë të lartë në treg, si orë, bizhuteri, pajisje guzhine, pajisje elektronike etj., por edhe një armë gjahu pa leje. Të gjitha sendet dyshohet se janë vjedhur në shtetin gjerman.

Në Landin e Hamburgut u arrestua një grup i strukturuar kriminal në fushën e vjedhjeve, 3 prej autorëve janë dënuar me vendim të formës së prerë dhe po vuajnë dënimin në shtetin gjerman.

Exit mobile version