Gjykata e Tiranës ka lënë të lirë dje 6 personat e arrestuar të hënën, pas protestës së opozitës para Parlamentit, ku PD dhe LSI, kundërshtuan zgjedhjen e kryeprokurores së përkohshme. Gjykata e Tiranës vendosi “detyrim paraqitje” për të arrestuarit, të cilët akuzohen për akte dhune gjatë protestës të së hënës përpara Kuvendit, në kohën kur votohej Kryeprokurorja e përkohshme.
Gjatë masës së sigurisë, të pranishëm në sallën e gjyqin ishin edhe deputet e PD dhe LSI. Sipas policisë, ndalimi i tyre u bë, pasi gjatë protestës, në mënyrë aktive kanë kryer veprime të dhunshme, si: hedhja e sendeve të forta në drejtim të uniformave blu, hedhja e materialeve piroteknike, si dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë në përmbushjen e detyrës.
Ndërkohë, Byroja e Kuvendit në një mbledhje që ka patur, ka debatuar ashpër ku ka përjashtuar për 10 ditë 7 deputetë të opozitës për protestën e të hënës para Parlamentit për të kundërshtuar emërimin e Kryeprokurorit të Përkohshëm në shkeljet të Kushtetutës. Vendimi është marrë vetëm me votat e mazhorancës, e cila bëri edhe kërkesën për përjashtimin e tyre.