Një nga agresorët që goditi me sende të forta gazetarin Elvi Fundo është arrestuar nga policia. I dyshuari është Ilir Gjuzi, një 42-vjeçar nga Tirana që tashmë gjendet në qelitë e Komisariatit Nr.3 të kryeqytetit. Mbetet për t’u parë kush është personi tjetër i përfshirë në ngjarje, ndërsa pjesa më e vështirë e hetimit është porositësi i dhunës ndaj gazetarit. Elvi Fundo u rrah nga dy persona në mars të këtij viti, ndërsa ishte duke ecur pranë ish-Stacionit të Trenit në Tiranë. Dyshohet se ngjarja ka lidhje me profesionin e tij si gazetar.
Pas këtij lajmi, drejtuesi i CityNews.al, gazetari Elvi Fundo ka dhënë një prononcim për ReportTv. Gjatë një lidhje telefonike ai është shprehur se pas agresorit fshihen autorë të tjerë dhe se 42-vjeçari është thjesht një mercenar. Fundo gjithashtu ka thënë se dhuna ka ardhur për shkak të shkrimeve.
“Personin nuk e njoh, pasi sikur shihet nga pamjet jam goditur nga pas. Ka qenë puna e policisë dhe prokurorisë deri diku, e Komisariatit 3, që ka bërë identifikimin dhe arrestimin. Disa persona kanë dhënë info për autorët dhe sot jam njoftuar se njëri është shoqëruar. Nuk kam asnjë dijeni kush është, autori i kapur është personi i parë që më goditi, ndërsa i dyti është në kërkim.
Dua të falënderoj publikisht Policinë e Shtetit, që ka bërë një punë të shkëlqyer, duke zbardhur ngjarjen. Çështja është dërguar në Gjykatë, çdo aludim ka rënë poshtë, le të presim në zbardhjen e më shumë detajeve dhe në fund të shohim cila është pasqyra e vërtetë e goditjes.
Unë i qëndroj idesë se dhuna ka ardhur për shkak të shkrimeve, por ne jemi gazetarë, ne kalojmë 200 info në ditë dhe investigime. Deri në zbardhjen e ngjarjes nuk mund të flas, do të pres hetimet. Shpresoj të kapet edhe personi i dytë. Nga sot kemi një autor të ndaluar, që me shumë gjasa është një mercenar. Arrestimi i tij është një mesazh që policia jep, nëse godet median, shpresoj që ngjarja të tilla të mos përsëriten më”, ka deklaruar ai.
Ngjarja ndodhi në datën 8 mars të vitit 2017, rreth orës 10:35, në afërsi të Stacionit të Trenit, ku gazetari u godit me mjete të forta dhe me levë hekuri pas koke. Dy personat i kanë zënë pritë në rrugë gazetarit dhe e kanë goditur me mjete të forta, duke e shtrirë në tokë dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur për policinë. Fundo është dërguar në Spitalin Ushtarak ku qëndroi për një kohë të gjatë për t’u mjekuar për plagët që kishte marrë.