Policia, atentat të riut për t’i faturuar grabitjen

“Policia tentoi të më vriste për të më faturuar grabitjen në Rinas”. Kështu e ka nisur denoncimin e publik një person nga fshati Derven i rrethit të Krujës në studion e gazetarit të “News24”, Artan Hoxha. Gazetari Hoxha publikoi provat që i ka vënë në dispozicion shtetasi Klodian Çypi, i cili deklaroi se, policia ka tentuar ta ekzekutojë pa paralajmërim në 1 korrik në hyrje të Laçit, për t’i faturuar grabitjen e parave në Rinas.
Gazetari Hoxha u shpreh se, ka në dispozicion edhe pamjet filmike të ngjarjes, por nuk i ka bërë publike ato, për të mos vënë në rrezik punonjësit e policisë që morën pjesë në operacion. Sipas Hoxhës, shtetasi Klodian Çypi kërkon zbardhjen e ngjarjes, në të kundërt siç është shprehur ai, do detyrohet ta zgjidhë vetë këtë çështje.
Pas grabitjes në Rinas, policia bëri shoqërime në zonën pranë aeroportit Fushë-Krujë, Tapizë, Nikël, deri afër Fushë-Kuqes. Në një kontroll të ushtruar pasditen e ngjarjes në fshatin Derven të Fushë-Krujës, gjatë kontrollit që është kryer në banesën e familjes Çypi, kërkuan djalin e familjes, Klodian Çypi. Nuk u gjet në banesë. Ngaqë ai nuk është gjetur, policia ka vepruar në një formë tjetër. Pasi janë marrë deklarimet e të shoqëruarve, të cilët qëndruan jo më shumë se 8 orë dhe më pas u larguan në banesat e tyre, banesa e Klodian Çypit është kontrolluar dhe ai është kërkuar si person që mund të dyshohet për grabitjen në Rinas. Ai ka patur një precedent në lidhje me grabitjen e një argjendarie. Çypi nuk ishte në kërkim, ishte një qytetar i lirë, në momentin kur ka ndodhur bastisja.
Në datën 1 korrik, rreth orës 14:30 është kryer një operacion tjetër në hyrje të qytetit të Laçit. Në krahun e djathtë të rrugës janë dy lokale dhe një lavazh. Shtetasi në fjalë gjatë asaj dite ka bërë disa lëvizje dhe ka ndryshuar dy herë mjetin. Ka hyrë në lokal me 5 persona të tjerë. Nga dëshmia që më ka bërë mua, më tha se, në lokal kishte parë dy persona të dyshimtë, të veshur civilë.
Klodiani ka dalë nga lokali, ka kalur urën dhe ka shkuar tek lavazhi. Në momentin që ka hipur në makinë dhe ka tentuar t’i japë mbrapa makinës, një “Golf 5” me xhama të errët i ka bllokuar rrugën. Më pas, një furgon me xhama të errët i ka bllokuar rrugën më tutje. Nga furgoni kanë dalë disa persona me maska dhe me automatik. Çypi ka manovruar me shpejtësi dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Personat e maskuar dhe me armatim kanë hapur zjarr në drejtim të tij, me idenë dhe pretendimin se ai nuk i ka ndaluar policisë. Eshtë qëlluar me breshëri automatiku.
Pretendimi i Çypit se ata e kanë qëlluar drejt, bazohet në gjendjen e mjetit të tij, predhat kishin goditur në sediljen e pasagjerit ku vendoset koka. Sipas policisë,  Klodian Çypi është në kërkim. Nuk ka një hetim për këtë ngjarje.
Çypi pretendon se pa e njoftuar njeri fare, pa ja bërë të ditur se janë të policisë apo civil, e kanë qëlluar me armë. Ai nuk ka patur armë me vete dhe nuk ka reaguar ndaj policisë, prandaj e sheh të pashpjegueshme përse është hapur zjarr në drejtim të tij, në një lartësi ku i rrezikohej jeta.
Unë nuk e gjej me vend këtë lloj zgjidhje. Nuk është tentuar të kapet, pasi ishte në lokal dhe kjo situatë ka krijuar një amulli shumë të madhe.
Në polici dhe në Prokurorinë e Laçit kjo ngjarje nuk ekziston. Çypi pretendon se kanë tentuar ta eliminojnë, si të dyshuar për grabitjen.
Policia nuk e ka pranuar zyrtarisht, por ma kanë pranuar verbalisht se kanë patur një aksion për të kapur një person që ishte i dyshuar për grabitjen.
Një orë pas ngjarjes, është kthyer një automjet tjetër me tre persona që kanë mbledhur gëzhojat që ishin qitur në vendin e ngjarjes. Unë disponoj një predhë që mund t’i shërbejë hetimit se me çfarë arme është qëlluar.
Kanë tentuar ta ekzekutojnë pa e njoftuar, pa e vënë në dijeni që është policia dhe pa e ditur ai se për çfarë është nën akuzë.
Kamerat e sigurisë në lokalet përreth zonës kanë fiksuar edhe momentin e ndjekjes së Klodianit, unë i verifikova, i kam parë ato. Ai i ka identifikuar automjetet si automjete të Forcave Operacionale dhe një grup prej 14 ose 15 persona.
Ajo që nuk shkon në këtë histori është fakti që nëse është 100% e vërtetë ajo që pretendon Klodiani, ngjarja mund të mos mbyllet me kaq dhe mund të ketë pasoja të tjera. Ai thotë se në rast se autoritetet nuk ndërhyjnë, ai është i detyruar ta zgjidhë vetë.
Në raste të tilla është shumë e rëndësishme jeta e punonjësve të policisë. Nëse ka patur tejkalim të kompetencave të tyre, apo edhe një tentativë për të kryer një eliminim fizik, duhet një palë e tretë që verifikon se çfarë në të vërtetë ka ndodhur me ketë ngjarje.
Klodiani pretendon se kanë tentuar ta ekzekutojnë, për ta veshur me një krim që se ka bërë, dhe të pushohej çështja. Ai pretendon se nëse do të eliminohej, tre grabitjet e bankave do t’i faturoheshin atij. Policia pretendon se do të ekzekutonte një urdhër ndalimi, por personi në fjalë nuk ka ndaluar dhe ata kanë tentuar ta eliminojnë.

Artikulli paraprakPolicia lejoi makinën e grabitësve në Aeroport
Artikulli tjetërFotoja 80 mijë dollarëshe e Ramës me paratë e drogës