Policia del bllof me grabitjen e bankës, lirohet i shoqëruari

Policia ka dalë bllof me lajmin e shpërndarë për mediat, për gjoja arrestimin e njërit prej grabitësve të bankës tek “21 Dhjetori”. Pas disa orë pyetjesh dhe ripyetjesh të Erion Kodrës, nga oficerët e Komisariatit Nr.2, si dhe të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, në lidhje me grabitjen e filialit të një banke në Tiranë, ai është lënë i lirë. Lirimi i tij është bërë i ditur nga burime të policisë së kryeqytetit. Kodra është personi që shfaqej në një foto të siguruar nga policia prej kamerave të sigurisë së bankës. Në foto, Kodra shihet se qëndron pranë hyrjes së bankës.
Pavarësisht kësaj, edhe pas ripyetjes për të disatën herë, policia nuk gjeti fakte që implikonin këtë person në grabitje, edhe pse të dhënat e para për të në fillim dukeshin të dyshimta. Pak minuta pas publikimit nga policia të fotos, Erion Kodra u paraqit vetë në ambjentet e Drejtorisë së Policisë, duke deklaruar se nuk kishte lidhje me grabitjen, pasi kishte tërhequr para nga bankomati. Kodra ka mohuar të ketë lidhje me grabitësit, apo që të ketë ndihmuar në veprimet kriminale. I pyetur nga oficerët e Policisë Gjyqësore se përse ndodhej aty, ai ka shpjeguar se do të kryente veprime në bankomat për tërheqjen e një shume parash, që ai i ka depozituar si klient i bankës.
Tre ditë më parë, filiali i një banke të nivelit të dytë në Tiranë, ra pre e grabitësve të armatosur. Dy persona të maskuar dhe të armatosur grabitën nën kërcënimin e armës një sasi parash në një bankë të nivelit të dytë në zonën pranë kryqëzimit të “21 Dhjetorit” në Tiranë. Megjithatë, ende nuk ka asnjë të ndaluar për ngjarjen. Të hënën, rreth orës 08:30 dy grabitësit të cilët lëvizin me një motor të vogël kryen grabitjen me armë. Njërit prej grabitësve gjatë largimit nga vendngjarja i ka rënë arma tip pistoletë. Dyshohet se grabitësit kanë marrë një shumë prej rreth 50 milionë lekësh.
Në momentin që grabitësit janë futur në bankën e nivelit të dytë te “21 Dhjetori”, personi i parë me të cilin janë përballur ka qenë roja i sigurisë, një burrë rreth të 60-ve. Njëri prej autorëve e ka përplasur atë pas murit, duke e rrëzuar në tokë dhe më pas është drejtuar për tek arka për të realizuar vjedhjen e parave. Burime nga Policia e Tiranës thanë se, autorët kanë vepruar me shpejtësi për të shmangur rënien e sinjalit të alarmit, pasi banka ndodhet shumë pranë Komisariatit Nr.2. Megjithatë, nuk kanë arritur ta shmangin sinjalin, edhe pse kanë arritur të largohen në kohë, para se aty të mbërrinte policia. Gjatë kohës që njëri nga grabitësit kërcënonte arkëtaren për t’i dhënë paratë, roja i sigurisë që ishte përplasur më parë në tokë, ka arritur të aktivizojë alarmin. Në këtë moment, grabitësit i ka zënë paniku dhe kanë nxituar të largohen nga banka. Ndërsa, gjatë momentit që largohen, ata janë përplasur në një prej tavolinave dhe njërit prej grabitësve i ka rënë në tokë pistoleta që mbante në dorë.
Grabitjet e bankave dhe bizneseve nga bandat e armatosura dhe me maska, tashmë janë kthyer në një ritual të përditshëm në të gjithë vendin. Grabitja e bankës tek “21 Dhjetori” ndodhi në mes të ditës dhe vetëm 100 metra larg komisariatit të policisë. Ashtu si edhe në grabitjet e tjera të bankave në Tiranë, Vlorë, Durrës, Krujë, etj., edhe në tre rastet e grabitjeve të para tre ditëve në Tiranë, Fier dhe Korçë, ku  maskat arritën të marrin rreth 142 milionë lekë, policia nuk ka arritur të arrestojë grabitësit. Policia jo vetëm që nuk i arreston, por ka frikë t’u afrohet këtyre grabitësve profesionistë. Bandat e grabitjeve dhe të trafikut të drogës nuk goditen nga qeveria, sepse qeveritarët bashkëpunojnë me to. Policia u hap rrugë maskave që të grabisin banka e biznese, ndërsa godet qytetarët që dalin të shesin paketa cigaresh në rrugë, apo qepë e presh për të mbajtur frymën gjallë. Parimi i qeverisë është goditja e të dobtëve dhe lënia fushë veprimi të lirë për grabitësit e bankave dhe bizneseve.
Grabitjet e fundit nga maskat tregojnë edhe një herë se, biznesi po goditet dhe sulmohet për çdo ditë, ndërsa autorët largohen “në drejtim të paditur” për policinë. Mjaft biznesmenë dhe tregtarë shprehen se ndjehen të pasigurtë në punën e tyre, për shkak të sulmeve dhe grabitjeve me armë nga maskat, ndërsa alarmi i tyre ndaj qeverisë ka rënë në vesh të shurdhër.

Exit mobile version