Punonjësit e policisë kërcënojnë me protesta për mospagesën jashtë orarit të punës. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha pas mesazheve të marra nga punonjësit e policisë.
“Policia drejt protestave! Familjari dixhital denoncon: Keqtrajtimin e policëve të thjeshtë nga qeveria e Noriegës. Mospagesën e tyre për orët dhe ditët e shumta që bëjnë jashtë orarit të punës dhe në shkelje të hapur të Kodit të Punës. Mbrojtjen dhe bashkëpunimin me trafikantët të eprorëve të tyre.
I bëj thirrje policëve të ndershëm, të organizohen me guxim në sindikata të tyre të vërteta për të mbrojtur me të gjitha format demokratike të protestave të drejtat e tyre që nëpërkëmben nga narko-drejtorët dhe narko-ministrat e tyre!”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje Dr.Berisha! Dëshiroj të shpreh shqetësimin e një familjarit tim, i cili punon në Policinë e Shtetit. Konkretisht në Drejtorinë e Policisë Elbasan. Prej 1 muaj tashmë, punonjësit e policisë punojnë me orare të tejzgjatura, shërbim 12 orësh edhe më shumë…
Shërbim ky i cili bie në kundërshtim me Kodin e Punës për arsye se punonjësit e policisë nuk paguhen për oraret shtesë… Kjo është gatishmëri sa për të bërë zhurmë, a thua se patrulla e policisë në shërbim të stërmunduar do kapi kriminelët e drogës që janë pjesë e tyre..punonjës policie që në dorë kanë vetëm një gjobë fukarai, sepse shkelësit e vërtetë nuk guxohet t’i prekësh në atë qytet, sepse mbrohen pa limit nga eprorët e policisë.
Veç kësaj prej vitesh punonjësit thirren dhe gjatë kohës që janë pushim për të shërbyer në stadiume për mbarëvajtjen e ndeshjeve futbollistike dhe për këtë shërbim shtesë sërisht nuk paguhen. Për çdo kalesë të kryeministrit apo personave të tjerë zyrtarë, thirren edhe pasi kanë punuar gjithë natës për të siguruar “rrugë të lira” për kalesa. Citoj edhe njëherë se në atë drejtori, ndryshe ndoshta nga shumë drejtori të tjera, asnjëherë nuk paguhen oraret shtesë të punonjësve të policisë, por edhe në 5 ditë punë që duhet të punojnë në javë, punojnë 6 ditë përherë. Zëri i tyre është i pamundur t’ja dalë për të fituar të drejtat. Lutemi që ju ta ngreni zërin për ta! Respekte! Lutem anonim!”.