Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani deklaroi dje se policia duhej ta kishte arrestuar që në maj Kelment Balilin, i cili ishte shpallur në kërkim nga drejtësia greke për trafik ndërkombëtar droge. Në një postim në Facebook ministri Manjani shprehet se është I surprizuar nga një lajm të publikuar nga Top Channel se Ministria e Drejtësisë nuk e ka dërguar në Prokuroi dosjen e mbërritur nga Greqi për Klement Balilin.
“I surprizuar (jo për herë të parë) nga përhapja e një lajmi me burim Top Channel, mbi vonesat e dosjes se Klement Balilit, dua tu bëj me dije se:
1. Që prej ditës së djeshme, pra para se të bëhej lajmi Prokuroria Shqipëtare ka në dispozicion dosjen e përkthyer zyrtarisht. Ministri i Drejtësisë është autoriteti ligjor që përkthen dhe çertifikon përkthimet ligjore.
2. Dokumentat origjinale në gjuhën Greke ne i kemi marrë zyrtarisht, më datë 14 Nëntor 2016. Kjo dosje ju përcoll ashtu siç ishte brenda ditës Prokurorisë. Kjo e fundit i regjistron këto dokumenta në dosjen hetimore.
3. Më datë 16 Nëntor, është sjellë në Ministri, nga Prokuroria kopja e dosjes për tu përkthyer zyrtarisht. Procedurë e kërkuar nga ligji.
4. Menjëherë zyra e përkthimeve ligjore në Ministri, si për çdo rast tjetër ka filluar punën për përkthimin dokumentave. Fillimisht u angazhuan 10 përkthyes dhe në vijim u shtuan edhe 5 të tjerë.
Praktika ime e punës është veprim sa më i shpejtë, veçanërisht në çështjet ë marrëdhënieve juridiksionale me jashtë. Kjo zyrë administron të dhëna konfidenciale në shërbim të proceseve hetimore dhe jo vetëm.
5. Koha që u harxhua për përkthim ishte rekord! Përkthime të kësaj natyre janë të vështira sepse kërkojne nivel profesional. Kjo vështirësi shtohet kur volumi është i madh! Sidoqoftë tashmë dosja e përkthyer zyrtarisht është dërguar dje, datë 06.12.2016.
Kjo është kronologjia e kësaj dosje, për të gjithë ju që doni të dini të vërtetën.
Kjo është kronologjia zyrtare e faktuar për të gjithë ata që bëjnë lajme në emër të “burimeve” gjithfarësh! Me këtë rast le të njoftohen edhe “burimet”…
Kjo është e vërteta edhe për ata që zhvillojnë skenarë e teori konspiracioni me “mbrojtje” për të kërkuar apo të dyshuar!
Madje këtij grupi dua ti sjell në vemendje se Ministri i Drejtesisë nuk është as Prokuror, as Gjykatës e as Polic! Që do të thotë kushdo që e ka në dorë për ta arrestuar e gjykuar ligjërisht Klement Balilin dhe këdo tjetër bën mirë ta bëjë!
Këtë gjë e kam thënë që në muajin maj të këtij viti dhe nuk e ndryshoj aspak qëndrimin!
Punë të mbarë drejtësisë! Të tjerat skanë më asnjë rëndësi!”, përfundon Manjani.
Si u fsheh dosja e Klement Balilit?
Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani pranoi sot (7 dhjetor) për herë të parë se autoritetet greke kanë kërkuar arrestimin e ish-zyrtarit të shtetit shqiptar Klement Balili, i dyshuar si drejtues i një organizate ndërkombëtare të trafikimit të lëndëve narkotike.
Manjani shkroi në faqen e tij në Facebook se dosja që përmban provat greke kundër Balilit ka mbërritur me të vërtetë në Shqipëri më 14 nëntor 2016 dhe se ministria e tij kishte angazhuar një numër të madh përkthyesish të licencuar për ta bërë gati dosjen për prokurorinë shqiptare.
“Dokumentat origjinale në gjuhën greke ne i kemi marrë zyrtarisht, më datë 14 nëntor 2016. Kjo dosje ju përcoll ashtu siç ishte brenda ditës Prokurorisë. Kjo e fundit i regjistron këto dokumenta në dosjen hetimore”, deklaroi Manjani.
Policia greke kreu një operacion masiv në fillim të majit, duke konfiskuar qindra kilogramë marijuanë dhe duke arrestuar një numër të konsiderueshëm trafikantësh si pjesë e një hetimi ndërkombëtar të shtrirë në shumë vende. Media greke raportoi për një zyrtar shqiptar, drejtor në Drejtorinë e Shërbimeve të Transportit Rrugor në Sarandë, konsiderohej kreu i organizatës kriminale, por ky rezultonte figurë tepër e fuqishme për t’u arrestuar për shkak të lidhjeve të tij politike. Autoritetet shqiptare heshtën, ku Prokuroria e Përgjithshme as e konfirmoi dhe as e mohoi që një person me këto tipare qe në kërkim, ndërsa Ministria e Brendshme u përpoq të mbrojë veten, duke përgënjeshtruar lajmet e medias greke dhe duke argumentuar se kishte bashkëpunuar me operacionin ndërkombëtar, por sërish heshti në lidhje me Balilin. Përgjatë të gjithë ditës së 11 majit, ndërsa media greke raportonte mosveprimin e autoriteteve shqiptare për arrestimin e tij, ndërsa këto të fundit heshtnin, vetë Balili u shfaq në media duke deklaruar se qe i pafajshëm dhe se qe sulmuar politikisht nga Partia Demokratike.
Mbrëmjen e 11 majit, BIRN siguroi dokumentat e policisë greke, në të cilat Klement Balili rezultonte person i shpallur në kërkim, si financues dhe organizues i trafikut të drogës në sasi të mëdha. Sipas dokumenteve, sasi të mëdha marijuane niseshin nga zona e Sarandës në Shqipëri me det për mbi 100 kilometra deri në gjirin e Korinthit në Greqinë qendrore, nga ku dërgoheshin nëpër Europë, duke përdorur kompani false transporti. Në Belgjikë, autoritetet zbuluan hallkën belge të drejtuar nga një shqiptar, i dyshuar dhe hetuar pa sukses më herët nga Prokuroria shqiptare për pastrim parash.
As në kërkim dhe as i lirë
Zyrtarisht Balili është shkarkuar nga detyra si drejtor në Ministrinë e Transportit në Shqipëri dhe ai nuk është parë publikisht që nga maji. Por autoritetet shqiptare ende nuk kanë thënë nëse Balili është apo jo person në kërkim.
Situata ndryshoi mbrëmjen e kaluar (6 dhjetor), kur Top Channel se burime diplomatike greke i kanë thënë se dosja voluminoze prej 10 mijë faqesh është dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë në Shqipëri. Sipas Top Channel, grekët e kanë dorëzuar dosjen në gjuhën shqipe, për të shmangur zvarritjen e përkthimit në Ministrinë e Drejtësisë.
Manjani, i cili i përket Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, me të cilën familja Balili ka lidhje të shumta, reagoi sot duke përgënjeshtruar supozimin se ministria e tij ka zvarritur përkthimin e dokumenteve greke për Balilin. Ai deklaroi në faqen e tij në Facebook se, dosja voluminoze është “përkthyer në kohë rekord”, dhe është dorëzuar në Prokurorinë shqiptare sakaq.
“Koha që u harxhua për përkthim ishte rekord! Përkthime të kësaj natyre janë të vështira, sepse kërkojnë nivel profesional. Kjo vështirësi shtohet kur volumi është i madh! Sidoqoftë tashmë dosja e përkthyer zyrtarisht është dërguar dje, datë 06.12.2016”, deklaroi Manjani.
Ai hodhi poshtë aludimet se ministria e tij po pengon në çështjen Balili, duke i konsideruar ato “teori komploti”.
“…Ministri i Drejtësisë nuk është as prokuror, as gjykatës e as polic! Që do të thotë kushdo që e ka në dorë për ta arrestuar e gjykuar ligjërisht Klement Balilin dhe këdo tjetër bën mirë ta bëjë!”, tha Manjani.
Por ndërsa Ministria e Brendshme aludon për vonesa mbi çështjen Balili në Ministrinë e Drejtësisë dhe kjo e fundit, thotë se ia ka dërguar dosjen Prokurorisë, Prokuroria e Përgjithshme ruan heshtjen dhe nuk pranon të deklarojë asgjë mbi këtë çështje, ndërsa Balili zyrtarisht vijon të jetë i lirë nga çfarëdolloj akuze në Republikën e Shqipërisë.
Njeriu më i kërkuar nga vendet partnere përfshi edhe DEA-n amerikane për trafikun ndërkombëtar të drogës është me pushime në Shqipëri. Klement Balili, të cilit i është vënë edhe epiteti si “Eskobari” i Ballkanit jo vetëm që nuk është në kërkim nga policia shqiptare, por është nën mbrojtjen direkte të Ramës dhe po kalon pushimet në një nga hotelet e Sarandës.
Fotot tregojnë Balilin duke shijuar rrezet e diellit nga një skaf luksoz, ndërsa një video e transmetuar në orët e mbrëmjes nga ish-Kryeministri Berisha e tregon Balilin duke shijuar motorët e ujit.
Para pak kohësh PD bëri publike fakte të rënda për lidhjet kriminale të policisë me kreun e një prej karteleve të drogës më të fuqishme në Ballkan. Në deklaratën e PD thuhej se, Eskobari i Ballanit ka qenë në shoqërinë e nëndrejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Rebani Jaupaj, i cili po pushonte në të njëjtin hotel ku qëndron edhe Klement Balili.