Policia e Librazhdit, në mbrojtje të drogës së njerëzve të Ballës

Parcelat me kanabis në Librazhd ndodhen jo vetëm në zonat e thella, por edhe në afërsi të qytetit, por jo vetëm që nuk preken nga policia, por bëhet e ditur se janë marrë në mbrojtje prej saj. E gjithë zona nga Martaneshi, midis Prevallit, Kostenjës, (fshati i deputetit socialist, Taulant Balla) dhe malit të Lunikut është e mbuluar me kanabis. Parcelat me drogë ruhen nga persona të armatosur dhe askush nuk guxon t’u afrohet. Policia e Librazhdit ka marrë sinjalizime për këto parcela me drogë, por nuk guxon t’i prekë. Burime nga Policia e Librazhdit bëjnë të ditur se, parcela me drogë janë mbjellë edhe në Spathar, Babje, Dardhë e Xhyrë, vetëm pak kilometra larg Librazhdit, por nuk ndërhyhet për shkatërrimin e tyre, pasi kontrollohen nga shoferi i Taulant Ballës.
E gjithë zona e Çermenikës është e mbjellë me kanabis dhe ruhet me roje të armatosur. Banorët të zonës bëjnë të ditur se, këto zona me kanabis janë në zotërim të njerëzve të Taulant Ballës ndaj nuk i prek policia.
Po ashtu edhe mali i Polisit është mbjellë me kanabis dhe sipas burimeve, shoferi i Ballës qëndron në të shumtën e kohës në këtë zonë dhe në Sopot, ku ndodhen plantacione të tjera me drogë. Sipas burimeve, shoferi i Ballës e merr rrogën në Gardë, ndonëse shkon radhë në Tiranë, pasi qëndron në Librazhd dhe kontrollon parcelat me kanabis.
Bëhet e dituir se para katër ditësh në Sopot të Librazhdit në fshatin Gaferr, janë zbuluar mbi 1 mijë rrënjë kanabis, por nuk janë prekur nga policia. Madje, zbulimi i këtyre parcelave me drogë nuk është përmendur fare nga Policia e Librazhdit. Po ashtu, sipas burimeve nga Komisariati i Librazhdit, policia ka marrë njoftime për parcelat me drogë në Sopot, Mali Plak dhe në Stravaj, Breg Plep, por nuk ndërhyn.
Në muajin gusht u zbuluan disa parcela me kanabis në Parkun Kombëtar “Shebenik Jabllanicë”. Pas marrjes së njoftimeve, policia ka asgjësuar 2600 bimë narkotike. Bimët narkotike janë zbuluar në fshatin Qarrishtë, në vendin e quajtur “Qaf Kryq”, në një zonë të mbuluar në Parkun Kombëtar “Shebenik Jabllanicë” pas sinjalizimit të banorëve. Por është për t’u theksuar se banorët kanë njoftuar policinë edhe për drogën në zonën e Kostenjës, por nuk është ndërhyrë për shkatërrimin e kanabisit.
Prej kohësh, banorët e zonës kishin sinjalizuar policinë për mbjelljen e drogës në Parkun Kombëtar, por nuk ishte ndërhyrë për shkak se drejtori i Parkut, njihet si një i afërt i deputetit socialist Taulant Balla. Ai ka qenë në grevën e urisë së PS në vitin 2012 në Tiranë për rrëzimin e qeverisë demokratike. Si shpërblim për këtë devotshmëri, ai është emëruar nga Balla drejtor i Parkut Kombëtar “Shebenik Jabllanicë”.

Propaganda false e policisë për drogën

I gjithë vendi është i mbushur me kanabis, ndërsa policia godet vetëm ato parcela që nuk kanë lidhje me bosët e drogës dhe shefat e komisariateve që bashkëpunojnë me ta. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur pushtimi masiv i vendit nga kanabisi siç po ndodh nën qeverisjen e “Rilindjes”. Propaganda false e mashtruese të disa rrënjëve që nxjerr qeveria në ekran, gjoja si sukses të luftës ndaj drogës është një fasadë.
Nëse u referohesh shifrave zyrtare të Policisë, për numrin e bimëve të asgjësuara deri ditët e fundit, rezulton se kultivuesit e kanabis sativa, kanë dyfishuar aktivitetin e tyre për 8 muajt e parë të vitit 2016. Kështu, nëse policia ka deklaruar se gjatë vitit 2015 ka asgjësuar 860 mijë bimë narkotike, deri dy ditë më parë për këtë vit kjo shifër ka qenë gati dyfish, 1.570.000 rrënjë. Pavarësisht se policia mburret me rritjen e numrit të rrënjëve të drogës së asgjësuar, këto shifra faktikisht tregojnë se, ajo e ka territorin e vendit krejtësisht jashtë kontrollit. Askush nga radhët e drejtuesve të policisë nuk është penalizuar apo të paktën t’u jetë nënshtruar masave administrative, për parandalimin e këtij fenomeni, ndonëse opozita ka denoncuar publikisht me emra krerët e policisë që kanë plantacione me drogë.
Përgjegjësia e mbjelljes në gati 80% të territorit të vendit, madje edhe fare afër zonave të mëdha urbane, vazhdon të mbetet jetime. Por fakti më skandaloz në gjithë këtë situatë është ai, që policia, pasi ka zbuluar dhe më pas ka ndërhyrë për të asgjësuar parcelat, në shumicën e rasteve nuk ka identifikuar pronarët e vërtetë të tyre, se për financuesit as që bëhet fjalë.

Enton DOÇI

Artikulli paraprakKapen 7 blerës votash, të gjithë drejt Dibrës
Artikulli tjetër5 ditë nga fillimi i shkollës, kaos dhe mungesë tekstesh