Prej gati 1 muaji territori i vendit monitorohet nga ajri nga një avion i Interforcës italiane, për zbulimin e parcelave të mbjella me kanabis. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thonë për “Top-Channel” se, monitorimi ka nisur që në datën 25 qershor dhe informacionet e marra i janë përcjellë drejtorive të policive në qarqe, të cilat janë angazhuar në plane operacionale për asgjësimin e bimëve. Por statistikat zyrtare të policisë flasin për një rritje masive të kultivimit të hashashit për këtë vit. Deri më tani, kur jemi në pikun e sezonit, konfirmohet se janë asgjësuar rreth 725 mijë rrënjë kanabis, shifër kjo që ka tejkaluar edhe totalin e vitit të kaluar, kur gjithsej u asgjësuan rreth 690 mijë bimë.
Burime nga policia thonë se, zonat më problematike të evidentuara mbeten ato në jug të vendit, si dhe zonat e thella në veri. Sipas uniformave blu, gjasat janë që këtë vit numri total i bimëve të asgjësuara të kalojë shifrën prej 1 milion, pasi sipërfaqet e mbjellja janë dyfishuar. Ndërkohë, deri më tani, policia ka vënë në pranga disa persona, të cilët janë arrestuar si autorë të kultivimit të parcelave me kanabis.
Kultivimi në masë të gjerë i kanabisit në të gjithë vendin tonë është kthyer në një shqetësim ndërkombëtar. Policia italiane, ndryshe nga ajo shqiptare, është shumë e shqetësuar për këtë situatë. Sipas autoriteteve italiane, kultivimi i hashashit është zgjeruar në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe ky përbën një shqetësim serioz.
Nëse qeveria do të kishte pikësynim goditjen e kultivimin e lëndëve narkotike, atëherë si shpjegohet që kanabisi lulëzon në të gjithë vendin, ndërsa policia bën sikur organizon aksione, duke korrur disa parcela të vogla që u përkasin njerëzve pa mbështetje nga polcia. Apo më keq akoma, korr kanabisin, pasi është vjelë droga nga trafikantët.