Gangsterët shqiptarë luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në veprimet e botës së krimit në Amsterdam, thotë një raport i policisë së kryeqytetit holandez, cituar nga portali NU.nl.
Trafiku i kokainës, qenieve njerëzore dhe mashtrime me pasuritë e paluajtshme, janë sektorët ku bandat shqiptare janë më aktive. Sipas policisë, organizatat ballkanike janë lider në importin e kokainës nga Amerika e Jugut dhe në shpërndarjen në Evropë.
Përveç Holandës, shqiptarët janë gjithashtu shumë aktivë në trafikimin e drogës në Britaninë e Madhe. Numri i personazheve aktivë në malavitën e Amsterdamit është në rritje të vazhdueshme.
Në rritje edhe krimet e dhunshme të lidhur me trafikimin e armëve të zjarrit, sidomos pushkët dhe mitralozët të ardhur nga Ukraina, Siria, Mali dhe Libia, konfiskohen rregullisht.
Vrasjet në Amsterdam në vitet e fundit janë të gjitha të lidhura me trafikun e kokainës, tha policia dhe janë “vrasje me pagesë”, ose të rinjtë që tërheqin këmbëzën janë të angazhuar si “të pavarur” nga malavita.