Efektivët e policisë nuk lejojnë mediat të filmojnë skenat e dhunës policore ndaj banorëve tek Bregu i Lumit. Dy policë janë caktuar të pengojnë punën e gazetarëve për të raportuar pranë banesave.
Gazetarja e BalkanWeb Dorjana Bezat, tha se në momentin që tentoi të raportojë ‘live’ për Neës24 është penguar nga këta dy efektivë të cilët nuk e kanë lejuar të kryejë lidhjen direkte, duke i dalë para kameras së operatorit. Në debat, efektivët e policisë i kanë thënë gazetares Bezat se do të shoqërohej bashkë me operatorin nëse nuk largohej.
Gjithçka, sipas efektivëve, bëhet për efekt sigurie, edhe pse siç duket nga pamjet vetë punonjësit e policisë për ‘efekt sigurie’ nuk kanë asnjë masë mbrojtëse për veten e tyre. Gazetarja Bezat tha ndërkohë se, nuk lejohet të kalojnë vetëm mediat, ndërsa për kalimtarë të rastit, civilë rruga është e hapur. Sakaq, grupit të xhirimit në vendin e ngjarjes iu desh të zhvendoset për të raportuar mbi situatën nga një tjetër pikë e Bulevardit.
Vijon të jetë e tensionuar situata te Bulevardi i Ri, mes policisë e banorëve, të cilët kundërshtojnë shembjen e banesave të tyre. Forca të shumta sigurie kanë zbarkuar në këtë zonë, ndërsa duket se edhe detyrat për efektivët janë të mirëpërcaktuara.