Policia, ”kërdi” me gjobat te ”Komuna e Parisit”

Zona e Komunës së Parisit është një nga më problematiket sa i përket qarkullimit të mjeteve. Qytetarë të shumtë janë ankuar në Polici për gjendje, e cila vështirësohet sidomos për shkak të parkimeve të gabuara, kryesisht në oraret e mëngjesit dhe të drekës.
Këtë javë shërbimet e Policisë Rrugore janë përqendruar në rrugën “Medar Shtylla”, zona e njohur si Komuna e Parisit.
Nga kontrollet e ushtruara janë ndëshkuar 83 drejtues automjetesh për parkim të gabuar, kryesisht në rrugë urbane dytësore dhe brenda komplekseve të banimit, duke u bërë pengesë serioze për qarkullimin normal të mjeteve të banorëve të zonës dhe mjeteve të emergjencave civile apo mjekësore, në rastet kur nevojitet ndërhyrja e tyre.
Policia Rrugore apelon për zbatim të rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe falënderon qytetarët që besojnë tek Policia dhe kontribuojnë për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Exit mobile version