Dy të arrestuar nga Policia e Beratit janë dhunuar nga policia në dhomat e paraburgimit. Njëri prej tyre ka përfunduar në gjendje të rëndë në spital. Ata janë Artur Polovina dhe Ismet Kumria, të cilët u arrestuan teksa tentuan të grabisnin një banesë në Kuçovë. Por ndërkohë, policia pretendon se grabitësit u rrahën nga një prej familjarëve në banesën që u tentua të grabitej.
Për dhunën e ushtruar ndaj tyre ka reaguar edhe Ministria e Drjejtësisë. Ministri Ylli Manjani ka urdhëruar Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve që të evidentojë ngjarjen dhe ta referojë menjëherë rastin në Prokurori, ndërsa sjell në vëmendje se ushtrimi i dhunës ndaj personave të ndaluar përbën vepër penale.
Zyra e shtypit pranë Ministrisë së Drejtësisë njoftoi mesditën e së premtes, se Policia e Shtetit ka dorëzuar në paraburgim shtetasit me inicialet A.P dhe I.K. Këta shtetas, thotë Ministria e Drejtësisë, janë dorëzuar në gjendje të rëndë shëndetësore dhe me dëmtime të dukshme fizike për shkak të dhunës së ushtruar. Ndërsa njëri nga të arrestuarit ka dëmtime më të rënda dhe gjendet në spital.
Aktualisht, personave të dëmtuar po ju merren dëshmitë paraprake dhe çështja do t’i referohet Prokurorisë. Nga ana tjetër, Policia e Shtetit ende nuk ka reaguar për të dhënë sqarimet e duhura se ku janë dhunuar këta dy shtetas, në cilin Komisariat apo rajon policie.