Policia e Shtetit ka zhvilluar në mesditën e djeshme operacionin e koduar “Blici rrugor”, të shtrirë në 12 qarqet e vendit, në akset kryesore dhe zonat urbane. Operacioni nisi në orën 12:00 dhe zgjati deri në orën 13:30 minuta. Policia e Qarkullimit Rrugor është mbështetur nga Policia e Rendit, FNSH e Shqiponjat.
Në këtë operacion blic u angazhuan rreth 1200 punonjës policie në total. U ngritën dhe funksionuan 280 pika kontrolli në gjithë vendin. Aksioni synoi goditjen e paligjshmërisë, kryesisht atë që lidhet me zbatimin e nenit 170 të Kodit Rrugor, për mos vendosjen e rripit të sigurimit.
Në total në të gjithë vendin u vendosën 1495 masa administrative: Nga këto 950 për mos vendosje të rripit të sigurimit, si dhe për shkelje të tjera u vendosën 545 masa administrative.
Operacioni i zhvilluar kishte për qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e vendosjes së rripit të sigurimit, por edhe të respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor në tërësi.
Policia Rrugore edhe në ditët në vijim do të vijojë me intensitet punën për ndëshkimin e çdo shkelje të kodit rrugor, duke u fokusuar më shumë në drejtim të ndëshkimit të drejtuesve të automjeteve që përdorin pije alkoolike, që përdorin celularin dhe nuk respektojnë normën e vendosjes së mjeteve të fiksimit.