Policia në gjunjë para fisit Rraja/ Pak orë pas arrestimit, lirohet vëllai i ish-deputetit të PS

Policia dhe prokuroria vijojnë të përkulen para fisit Rraja. Rrahman Rraja dhe vëllezërit e tij vijojnë të bëjnë ligjin në Nikël dhe askush nuk guxon të merret me ta. Shteti është shumë i dobët përballë një fisi, i cili po terrorizon gjithë zonën.

Ashtu siç ndodhi një vit më parë, ku askush nuk u dënua për dhunën barbare ndaj dy qytetarëve të thjeshtë pas sherrit për guroren, e njëjta gjë ka ndodhur dhe për sherrin e një muaji më parë, ku Flamur dhe Arjel Rraja (babë e bir) dhunuan barbarisht Kujtim Cacën dhe djalin e tij e tij, pas një konflikti për pronën. Flamur dhe Arjel Rraja janë vëllai dhe nipi i ish-deputetit, Rrahman Rraja.

Ata u shpallën në kërkim dhe dje paradite u bë me dije se ishte ndaluar vëllai i ish-deputetit. Por qëndrimi i tij në komisarit ka zgjatur fare pak. Duke fshehur emrat, policia bën me dije se Flamur Rraja do të hetohet në gjendje të lirë, teksa ja ka kaluar topin prokurorisë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë kapën shtetasin në kërkim F. Rr., 55 vjeç, banues në Fushë Krujë, i cili pas konkludimit me prokurorin u procedua në gjendje të lirë, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje” parashikuar nga neni 89 i Kodit Penal.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi më datë 24.10.2024, në afërsi të Rinasit, në bashkëpunim me shtetasin A. Rr., dyshohet se, për motive pronësie janë konfliktuar fizikisht me shtetasit A. C., dhe K. C”, tha policia.

Duhet theksuar se policia e mbajti të fshehtë edhe sherrin në fjalë.

Po ashtu, edhe një vit më parë fisi Rraja ishte protagonist. Pamjet brenda një lokali në Thumanë, të filmuara nga vetë anëtarë të fisit Rraja, treguan dhunën e tyre barbare ndaj 2 kushërinjve të fisit Maja.

Dhuna barbare ndodhi më 6 korrik 2023, pasi kushërinjtë Maja kishin denoncuar në polici se gurorja e Rrajave po u prishte shtëpitë në Borizanë. Vëllezërit dhe djali i deputetit u shfaqën si në një skenë filmash duke goditur me shkopa bejsbolli dhe mjete të tjera të rënda 2 persona. Bilbil e Jashar Maja përfunduan në spital vetëm se deshën të mbrojnë shtëpitë e tyre.

Madje, Flamur Rraja u pa dhe me armë në dorë, por fisi Rraja, për shkak të lidhjeve të forta me pushtetin i rregulluan gjërat.

Për mjekësinë ligjore, në 2 ekspertiza njëra pas tjetrës nga 2 mjekë të ndryshëm, dhuna u konsiderua e lehtë. Pas akt-ekspertimit të parë të mjekut Elton Serani, Prokuroria kërkoi një tjetër akt-ekspertim, i cili në datën 18 shtator ka rikonfirmuar të njëjtin rezultat, dëmtime të lehta të cilat kanë sjellë për pasojë humbjen e përkohshme të aftësisë për punë në masën 9 ditë.

Në akuzë nuk reflektohej armëmbajtja pa leje, pasi pamjet që Rrajat filmuan si dëshmi force ndaj banorëve të tjerë të zonës që të mos ankoheshin për guroren, vëllai ish-deputetit, Xhelal Rraja, shfaqet edhe me armë në dorë. Një tjetër skandal është se Arjel Rraja, një vit më parë është arrestuar për drogë, por duket se ka dalë i lirë. 

Exit mobile version