Studentët kërkojnë dorëheqjen e ministres

Duke mbajtur në duar pankarta ku shkruhej “Nikolla dorëhiqu” dhjetëra aktivistë të Lëvizjes “Për Universitetin” dhe studentë në Tiranë protestuan përpara Ministrisë së Arsimit, duke i kërkuar ministres së Arsimit, Lindita Nikolla dorëheqjen e saj.
Protesta erdhi një javë pasi një aktiviste e Lëvizjes “Për Universitetin” spërkati me salcë ministren Nikolla në ditën ndërkombëtare të studentëve si shenjë revolte për dështimin e reformës së arsimit të lartë.
“Jemi mbledhur këtu si studentë, pedagogë, gjimnazistë dhe aktivistë për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi. I drejtohemi znj. Lindita Nikolla si ministre e Arsimit dhe i kërkojmë dorëheqjen pasi jeni vënë në shërbim të bizneseve private që rrjepin familjet e shqiptarëve me tarifa disa mijëra euro”, tha në deklaratë “Për Universitetin”.
“Ju si ministre zonja Nikolla me udhëzimet dhe dhjetë raundet e regjistrimit vratë ëndrrat dhe të ardhmen e maturantëve. Ju shkaktuat panik masiv ministre Nikolla, ju e kaluat vijën e kuqe”, deklaruan studentët.
Protestuesit i bënë thirrje institucioneve ligjzbatuese të hetojnë skemën e regjistrimit në universitete dhe e akuzuan ministren Nikolla se e ka vënë atë në shërbim të universiteteve private.
Ata dënuan gjithashtu sulmin mediatik ndaj aktivistes së Lëvizjes, e cila hodhi salcë ndaj ministres duke brohoritur “turp”, ndërsa vetë Ruko pohoi për “BIRN” se lajmet e publikuara në të ishin ngritur mbi baza false.
“Protesta e Lëvizjes ‘Për Universitetin’ kundër reformës në arsim është një protestë e hershme që po vazhdon prej dy vitesh tashmë. Ne jemi përballur me heshtje nga Ministria e Arsimit në lidhje me kërkesat tona”, tha për “BIRN” Mirela Ruko aktiviste e “Për Universitetin”.
“Ne kërkojmë me vendosmëri dorëheqjen e ministres Nikolla, e cila ka dështuar në punën e saj”, shtoi Ruko.
Kaosi në arsimin shqiptar u thellua edhe më tej në shtator të këtij viti kur ndryshimet në minutë të fundit të skemës së pranimit në universitete dhe favorizimi i maturantëve ekselentë në fazat e para të regjistrimeve, lanë mijëra maturantë jashtë fakulteteve.
Lëvizja “Për Universitetin”, një grupim studentësh dhe aktivistësh që synojnë të reformojnë nga brenda jetën studentore u bë aktive në vitin 2014 dhe për pasojë është përplasur vazhdimisht me qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit, të cilat sipas Lëvizjes po veprojnë në dëm të universiteteve shtetërore për të mbrojtur interesat e universiteteve private.

Policia nuk lejon studentët të protestojnë

Studentë e aktivistë të Lëvizjes “Për Universitetin” protestuan dje kundër ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e ministres pas dështimit të reformës së arsimit të lartë.
Me pankarta në duar ku shkruhej “Nikolla dorëhiqu”, “Jeni ministre katastrofë”, “Me salcë e vezë studenti do ju presë” e me thirrje për dorëheqjen e Lindita Nikollës, studentët nuk u lejuan të protestonin përpara ministrisë.
Protestuesit u ndaluan nga policia me argumentin se nuk janë pajisur me leje nga policia për të protestuar përpara ministrisë.
Ky fakt u kundërshtua nga protestuesit, të cilët thanë se janë pajisur me leje nga Policia e Tiranës.
Gjithsesi, ky incident nuk e ndaloi protestën. “Armiqtë tanë nuk janë policët, por ata në godinat e qeverisë që japin urdhrat”, deklaroi një prej protestuesve.
Lëvizja “Për Universitetin” e ka kundërshtuar ligjin e arsimit të lartë që përpara se ai të miratohej. Një aktiviste e Lëvizjes, Mirela Ruko hodhi salcë mbi ministren Nikolla pak ditë më parë, në shenjë proteste.

Exit mobile version