Policia nuk prek drogën e habilajve në Vlorë

Policia e Shtetit bëri të ditur dje se organizoi një operacion të gjerë për shkatërrimin e parcelave me kanabis. U njoftua se aksioni ka nisur nga Veriu në Jug dhe ka sekuestruar rreth 1 tonë drogë në të gjitha operacionet e ditës së djeshme. Por ajo që ra në sy është fakti se në Vlorë u bllokuan vetëm 45 kg drogë ndonëse e gjithë zona është e mbuluar me kanabis që nga bregu i Lumit e deri në Malin e Çukës, plantacione që janë në zotërim të habilajve, njerëzve të afërt të ministrit Tahiri.
Edhe në operacionin e djeshëm policia nuk e preku drogën e habilajve, por bllokoi vetëm ca kilogramë të njerëzve që nuk kanë lidhje me policinë. Magazinat e drogës së habilajve ndodhen në jo shumë larg qytetit të Vlorës dhe dihen nga të gjithë, por policia nuk guxon t’u afrohet dhe jo më t’i prekë.
Në operacionin e para një jave të organizuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pas informacioneve të SHISH u sekuestruan plot 13 tonë kanabis i tharë gati për t’u trafikuar. Mediat bënë të ditur se kjo sasi e madhe droge i përkiste habilajve dhe për këtë arsye ajo u zhduk. Pra shkoi përsëri në magazinat e habilajve. Për të fshehur gjurmët e zhdukjes të kësaj sasie të madhe droge, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako deklaroi dy ditë pas operacionit se nuk “ishin sekuestruar 13 tonë drogë, por 13 kg”. Sipas Çakos kishte një ngartërrim të media në shifra.
Për këtë sasi të madhe droge u arrestua edhe një officer policie, i cili bashkëpunonte me trafikantët. Ai mbante në ruajtje parcelat e drogës dhe nuk lejonte njeri të afroheshin tek kanabisi. Policia ishte në dijeni të këtyre parcelave me drogë, por nuk ndërhynte për t’i shkatërruar, pasi ishin në pronësi të habilajve. Në një operacion që u zhvillua para disa ditësh policia preu vetëm 126 rrënjë kanabis që ishin në anë të rrugës dhe nuk iu afrua plantacioneve të habilajve.
Burimet nga Policia e Vlorës bënë të ditur se, në Malin e Çukës ka nisur grumbullimi i hashashit në magazine ku po kryhet procesi i tharjes. Magazinat e habilajve ruhen me persona të armatosur dhe askush nuk guxon të afrohet në këtë zonë.
Në operacionin e djeshëm, policia njoftoi se ka sekuestruar 250 rrënjë kanabis në fshatin e ministrit Tahiri. Në fakt i gjithë fshati Gusmar, fshati i ministrit Tahiri është i mbuluar nga kanabisi dhe ndodhen tonelata me drogë, ndërsa policia shkuli vetëm 250 rrënjë për të mashtruar opinionin se gjoja po e godet drogën edhe në fshatin e ministrit.
Jo pa qëllim banorët e zonës e quajnë “Minierat e Gusmarit” për shkak se ka tonelata me drogë, ku një pjesë e mirë e saj është trafikuar jashtë shtetit.
Pak kohë më parë, opozita publikoi disa fotografi të parcelave me hashash në fshatin Gusmar, të cilat, mbrohen nga ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri. Droga tashmë është korrur nga parcelat dhe është dërguar në magazinë ku po kryhet procesi i tharjes dhe pastrimit të boçeve gati për t’u trafikuar.

R. POLISI

Artikulli paraprakSkandal! PS, lista të fshehta për militantët për legalizimin e shtëpive
Artikulli tjetër18-vjeçari braktis shkollën për të punuar te magazina e hashashit