Edhe pse ka një vendim Gjykate për vendosjen nën sekuestro të hotel “Vollgës” ku një nga aksionerët është Emiljano Shullazi, policia ende nuk e ka zbatuar këtë vendim. Ndonëse kanë kaluar 48 orë nga vendimi i Gjykatës pas kërkesës së Prokurorisë për sekuestron e hotel “Vollgës”, Policia nuk ka kryer asnjë veprim dallues që tregon zbatimin vendimit të Gjykatës së Durrësit. Boldneës.al ka publikuar disa foto ku duket qartë se nuk është vendosur asnjë shirit për të rrethuar godinën, e cila është nën sekuestro.
Para dy ditësh, Prokuroria e Durrësit vendosi për sekuestrimin e ish-hotel “Vollga”, një pjesë e të cilit i është “dhuruar” Emiljano Shullazit, i arrestuar nën dyshimin për gjobvënie dhe disa vepra të tjera të rënda penale. Në argumentat e Prokurorisë, dorëzuar para Gjykatës, konstatohen shkeljet e renditura si më poshtë:
– Paligjshmëri në veprimet e kryera mbi ndryshimet e pronësisë, ku vihet re se, edhe me vendim Gjykate të formës së prerë të vitit 2014, është konstatuar fakti i falsitetit të dokumentit të vërtetimit hipotekor e shënimet e vendosura në hipotekë për pasurinë objekt kallëzimi. Po ashtu, me vendim Gjykate është pranuar edhe falsiteti i dokumentit të prokurës së bërë në Selanik për një shtetas që pretendon se është përfaqësues i trashëgimtares së ligjshme të pronës, Alie Fortuzi.
– Paligjshmëri në lëshimin e çertifikatave të pronësisë në vitin 2014, në kohën kur nga ana e Gjykatës së Lartë është vendosur pezullimi i ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Apelit të dhënë në favor kallëzuesit në vitin 2014;
– E në vazhdim me tjetërsimin e po kësaj prone në vitin 2014, veprime këto zinxhir që kanë patur për qëllim mbulimin e veprimeve të paligjshme të kryera për përfitimin e pasurisë, nëpërmjet veprimeve të tjetërsimit që gjithsesi shfaqin dyshime për paligjshmëri.
Pikërisht këto veprime krijojnë dyshime mbi veprime të kundraligjshme që konsistojnë në zhdukjen e origjinës së kësaj prone dhe vënien në dispozicion të saj të personave me precedent kriminal nëpërmjet “dhurimit” të dyshuar, e krijimin kështu të dyshimeve për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 287 i K.penal.
Si u falsifikua përvetësimi i ish-hotel “Vollgës” nga Shullazi
Blerja, përfitimi dhe dhurimi i ish-hotel “Vollgës” që nga pronarët e vërtetë, të kompania arabe dhe më pas aksionerët shqiptarë, mes tyre Emiljano Shullazi po hetohet nga Prokruoria për Krime të Rënda. Burimet pranë grupit hetimor, konfirmuan se Prokuroria ka sekuestruar të gjithë dosjen e ish-hotel “Vollgës” në Hipotekën e Durrësit dhe atë të Tiranës, për të verifikuar të gjitha veprimet e kryera për këtë pronë që nga viti 1994. Pasi dyshohet se kjo pronë, ka përfunduar në pronësi të familjes Kodra dhe Shullazi me anë të falsifikimit dhe kërcënimeve të vazhdueshme.
Burimet thonë se, autorizimi për shitjen e kësaj pronë në marsin e vitit 1994 që i kalon pronarëve dyshohet se është e falsifikuar. Po atë vit, në dhjetor pronarët i kanë shitur këtë pronë shtetasit arab Muhamed Abudulla Bawzeer. Që në atë kohë, dyshohet se veprimet hipotekore janë falsifikuar nga pronarët dhe personat që janë autorizuar për të kryer veprime. Pas kalimit të pronësisë, janë zhvilluar disa procese gjyqësore mes pronarëve të vërtetë dhe kompanisë arabe. Në vitin 2003, trashëgimtarët e familjes Fortuzi arrijnë të regjistrojnë pronën në emër të tyre. Po atë vit, shtetasi Zamir Hasa që tashmë ka kallzuar për vjedhjen e pronës së tij, ka regjistruar pronën në emër të tij me prokurë dhe autorizim të pjesëtarëve të familjes Fortuzi.
Në këtë kohë, kompania arabe hap përsëri një proces gjyqësor që në korrik të 2014 Gjykata e Lartë vendos të pezulloi regjistrimin e kësaj prone në emër të kompanisë arabe. Pavarësisht këtij vendimi, Gjykata e Durrësit me një vendim të çuditshëm hedh poshtë vendimin e Gjykatës së Lartë dhe urdhëron regjistrimin e pronës në emër të kompanisë arabe. Ky vendim, dyshohet se është zbatuar nga drejtues të Hipotekës së Tiranë dhe Durrësit me anë të presionit dhe kërcënimeve.
Me regjistrimin e pronës, kompania arabe në nëntor të 2014 i shet pjesëtarëve të familjes Kodra 2/3 e sipërfaqes së kësaj prone me 670 mijë euro. Një muaj më pas, në dhjetor të 2014 përfaqësuesi i kompanisë arabe Ylvi Beqja dhe pjesëtarët e familjes Kodra në shenjë mirënjohje i dhurojnë 30% të sipërfaqes së ish-hotel “Vollgës” Emiljano Shullazit. Ky dhurim, dyshohet se është kryer pasi, Shullazi kishte arritur që me anë të presionit dhe kërcënimeve të regjistrojë pronën në emër të shoqërisë arabe dhe në shenjë shpërblimi i kanë dhënë 30% të sipërfaqes totale të ish-hotel “Vollgës”. Por ajo që bie në sy nga hetuesit, është fakti se nga verifikimi i dosjes së sekuestruar në Hipotekën e Durrësit dhe Tiranës rezulton se janë zhdukur materialet që tregojnë origjinën e kësaj prone, që është një nga pistat e tjera të hetimit të kësaj dosje.