Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi Ramën dje se, dita kur ai do të përgjigjet para drejtësisë për lidhjet e tij me krimin e drogës është shumë pranë. Në një konferencë të posaçme për shtyp nga selia e PD, Basha reagoi ashpër dje për urdhërarrestet e Prokurorisë për arrestimin e tre ish-drejtorëve të policisë, të lidhur me Tahirin në kohën që ai drejtonte Ministrinë e Brendshme.
Basha i cilësoi urdhërarrestet e Prokurorisë si dëshmi e lidhjeve të Ramës me trafikun e drogës dhe faktin se si qeveria në gjithë këto vite ka funksionuar si organizatë e mirëfilltë kriminale.
“Ngjarjet e 24 orëve të fundit treguan qartë për të gjithë botën, se Policia ka funksionuar si një organizatë kriminale e strukturuar, me hierarki të përcaktuar, nga koka e saj Saimir Tahiri tek drejtorët e Policisë së rretheve dhe shefat e Antidrogës e të terrenit.
Edi Rama ka lejuar dhe bekuar me vetëdije të gjithë aktivitetin kriminal të trafikimit të drogës dhe të kriminalizimit të plotë të policisë. Me autoritetin e Kryeministrit, ai ka ofruar mbështetjen e pushtetit për këtë aktivitet kriminal, duke e kthyer Shqipërinë në zonë të lirë për krimin.
Për tre vite me rradhë, Edi Rama ndërrmori një fushatë masive gënjeshtrash dhe manipulimi të opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar për të mbuluar të vërtetën e krimit dhe për t’i dhënë krimit gjithë qetësinë dhe hapësirën e nevojshme për të lulëzuar”, u shpreh Basha.
“E gjithë kjo organizatë shtetërore kriminale, bandat që ajo kontrollonte dhe paratë e drogës u përdorën nga Edi Rama për manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2017 dhe ruajtjen e pushtetit të tij.
Krimi i organizuar është sot një kërcënim serioz ndaj sigurisë kombëtare të Shqipërisë, si dhe rrezikon të sjellë destabilizimin e thellë politik, shoqëror dhe ekonomik të vendit.
Lufta kundër krimit, duke filluar nga dekriminalizimi dhe pastrimi total i qeverisë, policisë dhe i gjithë strukturave të shtetit nga kriminelët dhe individët e kriminalizuar, është sot prioriteti kryesor kombëtar”, tha Basha.
Kreu i PD deklaroi se, “Hapi i parë është largimi i Edi Ramës nga drejtimi i vendit. Çdo ditë që kalon konfirmon se ai është pengesa kryesore për drejtësinë dhe luftën kundër krimit në Shqipëri. Qëllimi i tij i vetëm, sot është mbajtja e pushtetit me çdo kusht”.
Strategjia e tij për të mbajtur pushtetin ka tre elementë kryesorë:
Së pari, Basha deklaroi se “mbrojtja politike dhe shmangia nga drejtësia të gjithë bashkëpunëtorëve të tij të përfshirë direkt në aktivitete kriminale, nga Saimir Tahiri, Vangjush Dako, Qazim Sejdini deri tek kokat e policisë.
Liria e Saimir Tahirit, dekonspirimi nga vetë Ministria e Brendshme i aksionit të djeshëm për arrestimin e kokave të policisë janë aktet dhe provat që konfirmojnë këtë fakt”.
“Fakti që ministër i Brendshëm është vëllai i Agron Xhafajt, një prej kokave kryesore të trafikut të drogës në vend, dëshmon se politikisht Edi Rama është në mbrojtje të krimit”, u shpreh kreu i PD.
“Elementi i dytë, theksoi Basha, është kapja e sistemit të drejtësisë, veçanërisht e organeve të hetimit dhe të Prokurorisë, me qëllimin për të garantuar se nën kontrollin e Ramës këto organe nuk do të nxjerrin para drejtësisë kokat e mëdha të krimit dhe do të mbyllin të gjitha hetimet që rrezikojnë Saimir Tahirin, Vangjush Dakon, Qazim Sejdinin, Agron Xhafajn, Habilajt, grupin e heroinës së Elbasanit, e dhjetëra raste të tjera”.
Ndërsa elementi i tretë, citoi kreu i PD është manipulimi i opinionit publik vendas dhe të huaj me të njëjtën metodë që ai arriti të mbulojë dhe fshehë trafikun masiv të drogës dhe krimin në Shqipëri për katër vite.
Basha deklaroi se gjithë zhvillimet e fundit janë një paralajmërim i fortë për fundin e shpejtë të Ramës.
“Banalizo gjendjen e krimit, banalizo të vërtetën, sulmo median, sulmo opozitën, përdor mercenarë shqiptarë dhe të huaj për të shtrëmbëruar të vërtetën.
Por këmbanat po bien për Edi Ramën. Ai e di se po i vjen fundi dhe po bën gjithçka për të vendosur nën kontrollin e tij të plotë edhe sistemin e ri të drejtësisë. Me një prokurori dhe drejtësi të pavarur, Edi Rama e di se nuk shpëton dot dhe se dita kur do të japë llogari para drejtësisë është vetëm çështje kohe.
Nuk do të lejojmë një Kryeprokuror për Ramën
Partia Demokratike nuk do të lejojë kapjen e Prokurorisë së Përgjithshme nga Rama.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me çështjen e emërimit të Prokurorit të Përgjithshëm, kreu i PD, Basha deklaroi se PD do të përdorë të gjitha format dhe mjetet që të mos lejojë Ramën në emërimin e një kryeprokurori antikushtetues dhe të kapur me qëllim mbylljen e dosjeve që çojnë atë pas hekurave.
– Por zoti Basha, mazhoranca ka vendosur që të zgjedhë një prokuror tjetër, pasi Adriatik Llallës i përfundon mandati në fillim të dhjetorit. Deri tani PD ka heshtur mbi këtë nismë të PS-së, sikundër po hesht dhe për kërkesën tjetër të PS-së për shkarkimin e kreut të KQZ.
Qëndrimet tona kanë qenë dhe janë të qarta: Prokurorin e Përgjithshëm nuk mund ta emërojë Edi Rama. Ky që ndërrmori këtë sulm të ashpër ndaj prokurorëve vetëm, sepse kërkuan hetimin dhe arrestimin e Saimir Tahirit nuk mund të emërojë Prokurorin e Përgjithshëm, as deputetët e Partisë Socialiste që e mbrojtën, duke i mbajtur imunitetin nuk mund të emërojnë Prokurorin e Përgjithshëm. Nuk mund të emërojnë Prokurorin e Përgjithshëm, miqtë e Saimir Tahirit, Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit. Një prokuror i Përgjithshëm i emëruar nga këta njerëz do të thotë fund i hetimeve në rastin “Tahiri”, fund i hetimeve në rastin e “Dakos”, do të thotë fund i hetimeve në kupolën kriminale dhe do të thotë fushë e lirë për krimin. Ndaj nuk mund të emërohet nga Edi Rama, Prokurori i Përgjithshëm dhe ne nuk do ta lejojmë dhe nuk do ta pranojmë kurrë këtë. Për më shumë, kjo bie në konflikt total me frymën e Kushtetutës dhe të Reformës në Drejtësi dhe për të kuptuar absurditetin mjafton t’ju kujtoj se edhe vetë Saimiri ka të drejtë të votojë. Pra, i bie që një Prokuror i Përgjithshëm të zgjidhet me votën e Saimir Tahirit dhe ky prokuror është ai që do të nxjerrë para drejtësisë, Saimir Tahirin.
– Si do ta pengoni?
Me të gjitha mjetet dhe format. Nuk do të pranojmë dhe nuk do të lejojmë emërimin nga Edi Rama të Prokurorit të Përgjithshëm.