Policia pengon investimet e Bashkisë për turizmin në Pogradec

Bashkia e Pogradecit dënon ashpër ndalimin e 3 punonjësve të Ndërmarrjes së Gjelbërimit nga Policia e Shtetit. Sot, në përmbushje të detyrës së tyre, punonjësit Kristo Pura, Qani Nurka dhe Altin Rushiti janë shoqëruar pranë Komisariatit të Pogradecit. Vërejmë se punonjësit e Bashkisë ishin në krye të detyrës, duke krasitur pemët përgjatë bulevardit kryesor, i cili prej ditësh po sistemohet për të qenë gati në hapjen e sezonit turistik. Bashkia e Pogradecit i është drejtuar zyrtarisht Prefektit dhe Policisë për këtë tejkalim të kompetencave të Policisë së Shtetit dhe kërkojmë lirimin e tyre të menjëhershëm.“I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit të mos ndikohet politikisht nga ish- zyrtarë lokalë të korruptuar që janë punësuar në polici apo zyrtarë të tjerë që kërkojnë të pengojnë për qëllime politike Bashkinë, por t’i shërbejnë ligjit dhe interesave të qytetarëve. I bëjmë me dije qytetarëve se Bashkia e Pogradecit është në gatishmëri të plotë për t’i dhënë qytetit të gjithë përgatitjen e duhur për të pasur një sezon turistik sa më të mbarë dhe se askush nuk do të pengojë Bashkinë në misionin e saj për t’i shërbyer qytetarëve” thuhet në një reagim të Bashkisë së Pogradecit. Ndaj kësaj situate ka reaguar edhe ish kryeministri Berisha. “Çunat e krimit të Saje qorrit për qëllime politike dalin kundër turizmit në Pogradec! Përpjekjet serioze të bashkisë së qytetit të Pogradecit për të përgatitur sa më bukur perlën e turizmit shqiptar, Pogradecin për nje sezon turistik të paparë, sabotohen për motive politike në një akt të turpshem dhe primitiv me porosi të Saje qorrit nga çunat e krimit të komisariatit të policisë së këtij rrethi. Kështu, ata sot kanë ndaluar në krye të detyrës tre punëtore të ndërmarrjes së gjelbërimit që po krasitnin sipas projektit të bashkisë pemët në një zonë të qytetit. Ndalimi i tyre është një akt policesk tërësisht i kundraligjshem që u bë me pretekstin se ata po prisnin pemë, në një kohë që ata, si punonjës të ndërmarrjes së gjelbërimit po zbatonin detyrën ditore të punës së miratuar nga Bashkia. I bëj thirje prokurorisë së shtetit të vendosi para ligjit çunat e krimit të Saje qorrit, shefin e tyre që mendon dhe vepron njëlloj si në një shtet policor” shkruan Berisha.

Exit mobile version